Drejtori i Rrugëve në Gjirokastër, lojë me shkresa antiligjore për të çuar tenderat në duart e firmave klienteliste

623
Gazeta “Telegraf” publikoi në datën 6 maj 2016, disa fakte nga “dosja e zezë” me skandal-krimet e bëra dhe të mbrojtura prej drejtorit të Autoritetit Rajonal Jugor të Rrugëve-Gjirokastër, Dhimitër Nasi. Siç e kemi thënë, shkak për hapjen e kësaj dosjeje voluminoze me abuzime, u bë një “kontratë shërbimi” e firmosur e vulosur mes drejtorit Nasi dhe administratorit të firmës fituese “E… shpk” në datën 11 prill 2016, me objekt punimesh “Mirëmbajtje rutinë e dimërore të rrugës K/Dhuvjan-Libohovë+Rruga Valare-Erind-Çajup, me gjatësi 28 kilometër”, publikuar në Buletinin e Prokurimeve Publike Nr. 15, datë 18 prill 2016. Zbatimi i kontratës për mirëmbajtjen e kësaj rruge në dimrin 2015 nuk është kryer, mbasi fituesi i tenderit i anulua dhe fitues u shpall një firmë tjetër. Sërish pyesim: Pse u anulua fituesi i tenderit me ofertën më të vogël i klasifikuar i pari nga KVO dhe u kualifikua firma e fundit në renditje, me ofertën më të lartë? Cilat janë lojërat me letrat që drejtori rajonal rrugor Dhimtër Nasi i dërgonte shefit të tij Dashamir Xhika, që shefi Xhika i dërgonte “Sillo” Nasit, që Nasi e Xhika në vazhdim të lojës së tyre të pisët me këtë tender e me shumë tendera të këtij “kallëpi”, kanë bërë me KPP dhe me APP, me gjykatat lokale, prokurorinë e ministrinë “Haxhinasto”? Fakti tjetër, që do të publikojmë sot, ka lidhje me një skandal të rëndë shkresash të falsifikuara që janë totalisht një skenar pazaresh me përmbajtje aferë të pastër korruptive, për të privilegjuar firma klinteliste ne tenderët e zhvilluar. Konkretisht, firma “J…” ka nënshkruar kontratën si fituese tenderi në datën 16. 10. 2015, me nr. 942 prot.
Por tenderi është anuluar dhe firma e cila kishte nisur zbatimin e kontratës me punime konkrete është eliminuar në tavolinë me një lojë shkresash antiligjore. Këtë kalim nga fitues në humbës e deklaron me shkresë drejtori Dhimitër Nasi, i cili ia njofton edhe drejtorit Xhika, prej nga vjen “udhëzimi” që të rishikohet tenderi, kur kontrata ishte nënshkruar dhe këtë e ndalon ligji. këtë shkelje ligji e konfirmon APP me shkresën e saj të datës 7 janar 2016, me nr. 14272/1 prot. që i bën të qartë drejtorisë rajonale dhe personalisht drejtorit Dhimitër Nasi, se ka shkelur ligjin me këtë lojë anulimesh fituesi e bllokime kontrate të fituesit të parë! Ja çfarë saktëson APP: “Sqarojmë, se një procedurë prokurimi fillon me daljen e urdhrit të prokurimit dhe përfundon me nënshkrimin e kontratës ndërmjet autoritetit kontraktor dhe subjektit të shpallur fitues. në këtë kuptim dhe në SPE, procedura e prokurimit fillon me shpalljen e saj dhe përfundon me publikimin e njoftimit të kontratës së nënshkruar. më pas, kjo procedurë prokurimi kalon në arkiv”. APP e përcakton të pavlefshme anulimin e kontratës së ligjor dhe sipas saj as gjykata nuk ka fuqi të ndërhyjë në këtë rast, mbasi quhet e mbyllur si procedurë! Por drejtor Nasi ka vazhduar lojën me shkresa antiligjore, duke luajtur me subjektin fitues të cilin arriti ta nxjerr humbës me tender të dhënë në tavolinë! në vjim do të publikojmë fakte të tjera, lidhur me dosjet e shkresave të falsifikuara e të përdorura prej drejtorit Nasi, në bashkëveprim me drejtorin Xhika! 
Ministria e Drejtësisë të zbardhë falsifikimin e dy vendimeve të kundërt, lëshuar nga gjykata Gjirokastër për këtë tender
Eshtë një skandal i bërë mes drejtorisë Rajonale të Rrugëve Gjirokastër dhe Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Gjirokastër. Në datën 28 janar 2016, në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative Gjirokastër, pas gjykimit në seancë drejtuar nga gjyqtari i kësaj gjykate Elidon Papazisi, me sekretare Elvana Shabani është marrë Vendimi Nr. 57, datë 28. 01. 2016, me Nr. 123 Regjistri Themeltar, me datë regjistrimi të çështjes më 18. 01. 2016, me të cilin është shpallur fituese firma “E…shpk” që ishte shpallur humbëse prej KVO të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve. Ky vendim, sipas shkresës zyrtare, nuk ka pasur apelim dhe në datën 12. 02. 2016 ka marrë “Formë të prerë”, konfirmuar me deklarimin shkresor zyrtar të firmosur e vulosur në datën 15. 02. 2016, prej Kancelares së kësaj Gjykate, zonjës Dhurata Abazi. Por skandali, ose më qartë “pazari” qëndron në faktin, se 2 muaj më pas, konkretisht në datën 15. 04. 2016, po Kancelarja e kësaj gjykate zonja Dhurata Abazi ka lëshuar një tjetër deklarim zyrtar shkresor me shkrim dore e me vulë të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, që deklaron kështu: Ky vendim gjyqi, është ankimuar nga drejtoria Rajonale e Rrugëve Gjirokastër”! Të njëjtin vendim gjykate që është edhe i “Formës së prerë” edhe me ankimim (vazhdim) në apel, lëshuar në distancën e 57 ditëve nga Kancelaria e Gjykatës së Shkallës së parë të Gjirokastrës (nga kancelarja), drejtori Rajonal i Rrugëve në Gjirokastër Dhimitër Nasi i ka depozituar dhe i ka përdorur si “dokumente zyrtare” në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, në Prokurori, në Komisionin e Prokurimit Publik, në Agjencinë e Prokurimeve Publike të Shqipërisë dhe madje edhe në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave të Drejtorisë së Rrugëve Rajonale Gjirokastër që ai “komandon”, duke zbatuar një vendim gjykate që sipas dy konfirmimeve të kundërta në përmbajtje zyrtare, çuditërisht ka marrë formë të prerë, por edhe nuk ka marrë formë të prerë, mbasi me shkresë zyrtare të firmosur e vulosur nga e njëjta Kancelare e të njëjtës gjykatë, rezulton i ankimuar nga i njëjti drejtor Dhimitër Nasi që e ka… zbatuar! Ministria e Drejtësisë të zbardh falsifikimin e dy vendimeve të kundërta false, të lëshuar nga gjykata Administrative e Gjirokastrës për këtë skandal, duke i shërbyer skenarit të drejtorit Dhimitër Nasi.
Sigal