Drejtori i rrugëve Gjirokastër Dhimitër Nasi, i ka mbyllur “gojën” prokurorisë me “garuzhden” e korrupsionit

859
Nga autoriteti kontraktor (Drejtoria e Rrugëve të Rajonit Gjirokastër) janë likuiduar situacione për punë të pakryera në 102 raste, të cilat nuk rezultojnë në dokumentacionin teknik të zbatimit dhe mbikëqyrjes së punimeve të ndërtimit të administruara në dosjen teknike, librezat e masave, aktet e kontrollit dhe ditarin e punimeve
Drejtësia në këtë vend po dëshmon përfundimisht, se përveçse përballë krimit politik e krimit të rrugës, ka rënë “në gjunjë” edhe përballë krimit ekonomik-financiar. Përditë publikohen fakte të rënda, që dëshmojnë se drejtësia në gjithë linjën e vet nuk po ndëshkon, por po mbron krimin! Një rast tipik, që provon se drejtësia shqiptare nuk “belbëzon” përballë krimit prej pazareve që bën më të është dosja “mal” e abuzimeve të “pazarxhiut” Dhimitër Nasi, drejtorit të Rrugëve Rajonale të Gjirokastrës, “esnafit” dhe “afendikoit” të tenderëve abuzivë që bëhen në këtë drejtori me rrugët, por edhe me milionat që shpenzohen me letra fiktive për gjoja “shpenzime operative”, që nga blerja e kancelarive, pjesët e këmbimit, dietat e udhëtimeve e hoteleve, makineritë, pagesat e ekspertëve të jashtëm, të revizionuesve, pajisjet e deri tek karburantet. Po bëjmë një paralele: Katër vite më parë, Prokuroria dhe gjykata në Gjirokastër, kanë dënuar me 3 vjet burgim një varfanjak që lypte rrugëve, mbasi ishte kapur në flagrancë duke vjedhur një kapak pusete rruge me peshë 5.5 kilogramë (150 lekë), për ta shitur për skrap me “ëndrrën” për të blerë 2 bukë! Ndërsa drejtori i Rrugëve Rajonale Gjirokastër Dhimitër Nasi, ka abuzuar me miliarda lekë në 97 tendera rrugësh e prokurimesh të skeduar si “krim financiar, dokumentar e procedural” dhe “çuditërisht” në 4 vitet e fundit është graduar 3 herë në detyra të larta shtetërore si Drejtor i Spitalit të Përmetit, si Zv/Prefekt i Qarkut Gjirokastër e tashmë si Drejtor i Rrugëve të Rajonit Jugor të Gjirokastrës, bërë me urdhrin dhe “avokatinë” e një deputeti “skuth” që prej 7 vitesh shet vende pune në jug dhe akordon kreditime biznesi lokal në gjithë Shqipërinë! Edhe pse në çdo detyrë është “kapur” me shkelje të rënda financiare me pasojë shpërdorim detyre, Dhimitër Nasi nuk është prekur e nuk po preket nga drejtësia, paçka se ka si produkt një dosje të zezë të mbingarkuar krimi ekonomik e financiar e jo vetëm kaq! Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, prokuroria dhe zura e anti-krimit ekonomik-financiar në qarkun Gjirokastër e në nivel qendror, po heshtin përballë krimeve të tij! Rastin më të fundit të aferës me rrugët e ka denoncuar dhe po e denoncon prej disa ditësh gazeta “Telegraf”, lidhur me një tender fiktiv mirëmbajte dimërore rrugësh me vlerë 313 milionë lekë për disa segmente rrugore zonale në rrethin e Gjirokastrës që duhej bërë në tetor 2015 si shërbim, por që kontrata u lidh në prill 2016, tender të cilin ia dha me abuzim ligjor një firme të paracaktuar si “fituese”, por që Komisioni i Prokurimit Publik (APP) ia cilësoi si shkelje të rëndë të lignit dhe ia anuloi. Nuk e dimë, nëse drejtori Nasi e ka kthyer “kafen” që presidentit të firmës “fituese” nga Saranda me shkronjën e parë të mbiemrit “Ç…” ia ka marrë paradhënie (për drejtorin Xhika dhe ministrin Haxhinasto-siç ka deklaruar). Por dimë faktin, që ky president firme, i është drejtuar 4 ditë më parë me një dosje denoncuese gazetës “Telegraf”, për të folur edhe “shumë gjëra” me tenderët që shet e blen drejtori Nasi! e si drejtuesi i firmës nga Saranda, janë edhe shumë firma të tjera të cilat janë zhvatur nga drejtori Nasi për të fituar tendera, por edhe që janë skualifikuar mbasi (sipas tyre) nuk kanë paguar aq sa ka caktuar “kafen” drejtor Nasi, i cili përherë përdor emrin e drejtorit Xhika dhe të ministrit Haxhinasto për “miratim pazaresh”! Kujtojmë, që edhe me “dosjen e zezë” të tenderëve të rrugëve, prej drejtorit Nasi po ndodh ashtu siç ndodhi që “bleu” raportin fals të Ekspertit Ligjor Mjekësor, duke “groposur” vdekjen kriminale të një fëmije 7 vjeçar kur Nasi ishte drejtor Spitali në Përmet. kështu po vepron ky “padrino” kolltukësh të blerë,duke i mbyllur “gojën” prokurorisë e antikrimit ekonomik-financiar me “garuzhden” e korrupsionit!
“Thërmija” nga dosja e abuzimeve që po fsheh qëllimisht, drejtori Dhimitër Nasi 
1. Anëtarët e Komisionit të Inventarizimit, nuk kanë plotësuar deklaratën për konflikt interesi; para fillimit të inventarit, nuk është mbajtur procesverbal me përgjegjësin material; inventarizimi i vlerave materiale dhe aktiveve është realizuar tej afatit të përcaktuar në urdhrin Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve; në fletët e inventarit nuk ka nënshkruar personi që ka në ngarkim vlerat materiale por vetëm komisioni i inventarizimit; nuk është përpiluar relacioni për Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve mbi rezultatet e inventarizimit; nuk është kërkuar miratimi i procedurave të realizuara, nuk ka miratim nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për nxjerrjen jashtë përdorimit dhe tjetërsimin e vlerave materiale dhe aktiveve në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 10296, datë 8.7.2010“Për menaxhimin financiar dhe Kontrollin” dhe UMF nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik” kreu IV, paragrafi 82-112. 
2. Në të gjitha kontratat e furnizimit me karburant, nuk janë ngritur komisione dhe nuk janë hartuar procesverbale të marrjes në dorëzim të mallit sipas kontratës dhe kërkesave të VKM Nr. 1, datë 10. 01. 2007 “Për rregullat e prokurimit publik”, kreu VIII, pika 2/b e Ligjit nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, UMF nr. 33, datë 11.7.2013, “Për gjurmët standarte të auditit për prokurimin me vlerë të vogël dhe të lartë”, UMF nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”, pika 42,54, 
3. Në dosjet e kontratave, dokumentacionit teknik të zbatimit dhe mbikëqyrjes së punimeve të ndërtimit të administruara në dosjen teknike, situacionet mujore, librezat e masave, aktet e kontrollit dhe ditarin e punimeve, konstatohet se uk ka pasur një korrespondencë të rregullt bashkëpunimi midis Autoritetit Kontraktor, mbikëqyrësit të punimeve dhe operatorëve ekonomikë, në zbatimin e kontratave të shërbimit. 
4. Për situacionet e paraqitura nga operatorët, në shumë raste nuk janë kryer kontrolle nga mbikëqyrësi dhe nuk ka dokumente shoqëruese për të vërtetuar saktësinë dhe vërtetësinë e tyre. 
5. Janë konstatuar mangësi në kontrollin dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të punës dhe shërbimeve lidhur me zbatimin e kontratave, nga kontraktori i shërbimeve nuk janë kryer inspektime dhe prova 1 herë në javë (për rrugë kombëtare të asfaltuara) dhe nuk janë dorëzuar raportet e inspektimit të punimeve 1 herë në 2 javë (1 të hënë po, 1 jo), pasi siç përcaktohet në kontratat në “Kapitullin A”. 
6. Në disa dosje teknike nuk rezulton të jetë kryer asnjë inspektim informal nga ana e kontraktorit dhe mbikëqyrësve të punimeve mbi Nivelet e Cilësisë së Shërbimit duke mos u përmbushur në këtë mënyrë edhe detyra kryesore nga ana e Menaxherit të Projektit ajo e kontrollit të projektit në tërësi sipas kushteve të kontratës si dhe detyrimeve ligjore si mbikëqyrës i punimeve. 
7. Nga autoriteti kontraktor (Drejtoria e Rrugëve të Rajonit Gjirokastër) janë likuiduar situacione për punë të pakryera, të cilat nuk rezultojnë në dokumentacionin teknik të zbatimit dhe mbikëqyrjes së punimeve të ndërtimit të administruara në dosjen teknike, librezat e masave, aktet e kontrollit dhe ditarin e punimeve. Veprimet e mësipërme janë në kundërshtim me kontratat e hartuara, me ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit”, dhe konkretisht neni 7, UKM Nr. 3, datë 15.2.2001 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar, Kreu I, pika 1, pikat 3.2 dhe 3.3, ku përkatësisht përcaktohet se: “Libreza e masave për punimet e ndërtimit është dokumentacioni bazë për verifikimin e saktësisë së vëllimeve të punimeve të ndërtimit, të vendosura në situacion”. 
8. Në dosjet e dokumentacionit teknik të zbatimit dhe mbikëqyrjes së punimeve të ndërtimit të administruara në dosjet teknike, rezulton se në situacionet mujore janë paguar zëra punimesh të parealizuara, të pa pasqyruar në librezën e masave, aktet e kontrollit dhe ditarin e punimeve. 
Sigal