Drejtorët që urdhërojnë me celularë nga zyrat

524
Porti më i madh i vendit, duket sikur ka jo një, por 10 drejtorë, ku çdo njëri prej tyre nuk ka asgjë në dorë. Se bëhen tendera, se bëhen projekte, se privatizohen dhe jepen koncesione, apo punësohen njerëz, se largohen të tjerë nga puna, asnjeri nuk di të shpjegojë arsyet e kësaj situate. Drejtorë janë deputetët, drejtorë janë ministrat, drejtorë janë miqtë e ministrave dhe deputetëve, dhe sërish asnjeri nuk di asgjë të shpjegojë lidhur me këtë situatë. E pashpjegueshme mbetet edhe vlefshmëria ligjore e koncesioneve në APD, pasi Bordi Ekzekutiv prej 2 vitesh nuk vendos fatin e tyre për periudha afatgjata, duke deklaruar “rishikimin dhe rivlerësimin”. Rrumpalla që ka nisur nuk di të bitiset në portin e Durrësit , por edhe vija bregdetare vazhdon të mbetet shpesh jashtë kontrollit të Policisë Kufitare. Çdo muaj deti ha “koka” peshkatarësh dhe kjo për fajin, neglizhencën dhe papërgjegjshmërinë e Policisë Kufitare, e cila pavarësisht se ka mjete dhe pajisje logjistike bashkohore, duket se nuk e prish terezinë, por numëron vetëm viktimat që dalin në breg. 
Vija bregdetare e Durrësit, pothuajse nuk kontrollohet dhe nuk monitorohet nga Policia Kufitare. Në 6 muajt e parë të 2015, kemi 4 viktima të gjithë peshkatarë, që dalin për të gjuajtur peshkun, dhe për të fituar bukën e gojës. Detyra e parë ligjore e Policisë Kufitare ka qenë dhe mbetet ruajtja dhe monitorimi i vijës bregdetare, rritja e sigurisë dhe kontrolli i çdo mjeti detar të paligjshëm. Por ajo ka për detyrë edhe sigurimin e parandalimin e çdo mjeti detar që tenton të dalë në det pa patur sigurinë për jetën e ekuipazhit. Porti më i madh i vendit ka mjaft problematika që lidhen me fitimet neto të APD nga taksat e anijeve dhe bizneseve, nga eksport-importet, nga prekja e kroçerave turistike, nga monitorimi ngarkesave të rrezikshme detare, nga thellimi kanalit hyrës e deri tek terminalet e trageteve dhe kalatat. Askush deri sot nuk ka kryer të plotë dhe të zbatueshëm masterplanin e portit, ndërkohë që sa herë ndërrohet pushtetet thuhet se “po zbatohet ky projekt dhe do të zbatohet ai tjetri”, duke hedhur në det miliona lekë dhe euro investime boshe nga paratë e taksapaguesve tanë dhe donatorëve të huaj. Porti sot është parcelizuar, janë ndarë kalatat, të cilat administrohen dhe drejtohen nga anëtarët e thjeshtë të Bordit Ekzekutiv, që kanë në APD “atributin” e ministrit apo deputetit. 
Asnjëherë nga APD nuk deklarohen fitimet, harxhimet, ndryshimet, punësimet, largimet, sponsorizimet, ndërkohë që mbetet KLSH dhe Auditi KM ata që zbulojnë në rastet e veçanta abuzimet sikundër ato në 8 vitet e shkuara. Tek ecën dhe ndalon në sektorët e portit, tek pyet punonjësit e tij për proceset e punës, lidhjet e zakonshme me bizneset dhe kontratat, askush nuk di të shpjegojë dhe të deklarojë emrat, pronarët e vërtetë të firmave koncesionare, nëse janë gjermanë, norvegjezë, apo kinezë, por të thonë “këtu ka 10 drejtorë, nuk merret vesh kush drejton sepse urdhrat vijnë nga celularët e atyre që bredhin në rrugët e portit me BMV 100 mijë euroshe”. E ndërsa trokasim në katin e parë të drejtorisë APD, tek informacioni thonë se “informacionin për median do ta merrni me emali pasi të keni bërë kërkesën me shkrim”. Duket tamam si një port-bunker dhe jo si një port i hapur ku grumbullohen, përpunohen, importohen dhe eksportohen mallra dhe pasagjerë.
Sigal