Drejtorët nepotikë të shëndetësisë dhe qytetarët hallexhinj

547
Vetëm para dy ditësh një grup mjekësh, specialistë dhe laborantë të qendrës së transfuzionit të gjakut i dërguan një peticion kryeministrit Rama, në të cilën i kërkonin ndërhyrjen e menjëhershme për të zëvendësuar titullaren e këtij institucioni. Arsyeja e kësaj kërkese ishte e thjeshtë, e sinqertë dhe profesionale, pasi kërkonin që në krye të institucionit më delikat sikurse është ai i qendrës së gjakut të mos ishte një masazhere por një specialist i fushës. Nuk po futemi se kush e emëroi, cili është kriteri bazë i këtij emërimi, sa profesionale është zonja në fjalë dhe pse meritokracia për të cilën kryeministri me të drejtë foli para pak kohësh është zëvendësuar me paaftësinë dhe aprofesionalizmin. Por të ishte vetëm ky rast do të thoshim se në numrin e madh të qindra mijëra punonjësve të administratës edhe ndodhin raste spontane të emërimeve klienteliste, por me sa duket kjo qenka modeli i Rilindjes dhe shkatërrimit që po i bëhet shëndetësisë nga njerëz të lidhur ngushtë me shtetin dhe shtetarët. Këto ditë mbyllen zgjedhjet për drejtues të qendrave spitalore dhe deputetë, ministra, kryebashkiakë kanë vërshuar për të mbështetur politikisht dhe emëruar njerëzit e vet, pasi mendojnë se do u duhen për zgjedhjet që zhvillohen në vendin tonë (lokalet dhe më vonë qendroret). Por qytetarët kur ndeshen më vonë me situatën skandaloze në këto spitale, pasojat nuk i marrin ata por i merr qeveria dhe partia socialiste që ka marrë mandatin e ushtrimit të qeverisjes katërvjeçare. Për të vërtetuar këtë rast dhe për të krijuar bindjen se si po bëhen zgjedhjet e drejtorëve, mjafton edhe një fakt tjetër ku drejtori i Sanatoriumit është pa kandidatura alternative dhe me konflikt të hapur interesi, pasi zv/ministrja e shëndetësisë që do e emërojë, kontrollojë gjatë ushtrimit të detyrës është bashkëshortja e vet. Që të jesh mjek, shef pavioni apo klinike është normale, por që të jesh titullar dhe të kontrollohesh nga bashkëshortja, kjo nuk shkon dhe nuk mund të pranohet. Të shpresojmë që të gjitha emërimet të jenë profesionale, politikanët të largohen nga ndikimet në emërime dhe më të mirët dhe më profesionistët të marrin përsipër menaxhimin e këtyre institucioneve kaq jetike për jetën e qytetarëve. Rastet e përmendura nga kryeministri ku këngëtar dhe daullexhinj punësohen dhe drejtojnë institucione jashtë profilit duhet të marrin fund.
Sigal