Drejtorët e rinj me diploma fallco

666
Sigal

ELBASAN/Të sapoemëruarit, fluks në sekretarinë e universitetit: Na duhet shkolla e lartë, e kërkon vendi i punës!

 Një burim tepër i sigurt dhe konfidencial nga dega e PS- Elbasan tha për “Telegraf” se, “afro 60 për qind e personave të sapoemëruar në postet drejtuese në 3 muajt e fundit në institucionet e shtetit, janë pa shkollë të lartë, pa diplomë, dhe tani u janë sulur dyerve të universitetit për të nisur studimet apo edhe për të blerë një diplomë”.

SKANDALI

Ky është vërtetë një skandal, por ja që është i vërtetë. Pothuajse të gjithë njerëzit e emëruar, njihen në Elbasan si militantë të krahut të Majtë dhe persona me kontribute në fushatën elektorale të 23 Qershorit. Ata tashmë po marrin shpërblimin e premtuar nga deputetët që fituan mandatin falë votave të siguruara nga ata që sot janë drejtuesit e rinj të institucioneve të këtij shteti. Ndërkohë, burime nga Universiteti i Elbasanit thanë për “Telegraf” se, “në sekretarinë e Ciklit të Ulët, Shkencave Humane dhe tek Ekonomiku, kanë filluar ardhja e shumë personave që kërkojnë të regjistrohen part-time, duke pretenduar se, “ja kërkon vendi punës”. Por duket se një variant i mirë ‘pune’ do të jetë kjo situatë edhe për kodoshët e diplomave. Ata mësohet se e kanë rritur vlerën e shitjes së tyre për drejtuesit e rinj që nuk kanë mbaruar ende studimet e larta. Propaganda e bërë para dhe pas fushatës, për “emërimet sipas meritokracisë”, duket se ka rezultuar në flluskë sapuni. Ky mbetet një  fillim i keq i drejtimit  dhe qeverisjes së institucioneve të shtetit në rrethe, një denigrim i tyre nga çdo pikëpamje.

PARADOKSI

Njerëz pa diploma apo më keq me diploma të blera, nuk ka patur as Enver Hoxha  pasi mbaroi lufta në vitin 1945 në institucione, por as  Berisha në 1992 kur mori pushtetin dhe ndryshoi sistemi. Ardhja e këtij kontingjenti në drejtimin e ndërmarrjeve dhe institucioneve të shtetit edhe në rrethe, përballja e tyre me problemet e ditës, me  stafin dhe administratën e arsimuar, natyrisht që do të krijojë hendekun e madh moral, intelektual e ligjor. Kjo padyshim do të sjellë “reformën”, pra drejtuesit e rinj do të nisin ashtu siç i kanë nisur prej 2-3 muajsh, largimet masive të pamotivuara nga puna. Realisht në administratën e shtetit në bazë, është krijuar një zinxhir i rrezikshëm strukturash që po mbushen me njerëz të paaftë  dhe që shumë shpejt do të kenë efektet negative  në bilancet ekonomike dhe raportimet  periodike që bëhen në dikastere. Pothuajse të gjithë ministrat e kësaj qeverie, e dinë se emërimet e reja në Elbasan, janë bërë dhe po bëhen mbi baza klienteliste dhe militanteske. Por deri sot asnjeri prej tyre nuk ka patur guximin të kundërshtojë dhe të mos firmosë qoftë edhe një emërim të tillë. Afro 70 për qind e personave që kanë dorëzuar CV  e tyre në degën e PS dhe gjoja konkurset e zhvilluara për emërimet e reja, kanë mbetur të zhgënjyer nga votimet në sallë.

DENONCIMET

Konfirmohet se shumë specialistë të aftë, të paangazhuar me forca politike, apo dhe me bindje të majta, janë ‘harruar’… Një prej tyre, 34- vjeçari Klevis Taullai u shpreh: “Konkurrova me dosjen time të mbushur me specializime jashtë shtetit, madje, kam mbaruar edhe studimet në Padova për Drejtësi, por ishte qesharake, kur votat ju dhanë një militanti të Majtë sepse kishte  bërë fushatë për deputeten  dhe na ishte rreth krushqie i një zëvendësministri, kjo na qenka meritokracia”. Ky realitet i shëmtuar, mbetet peng i mendësive të vjetëruara që ekzistojnë ende në qarqe të caktuara të politikës aktuale qeverisëse, por që me dashje dëmtojnë progresin institucional e ligjor të shtetit  edhe në bazë, atje ku puna është edhe më e vështirë.