Drejtoresha e Qendrës për Ekselencë në Auditim të GAO-s, vizitë pune dy ditore në KLSH

614
Më datën 23 mars, znj. Janet St. Laurent, Drejtoresha e Qendrës së Ekselencës në Auditim të Zyrës së Auditimit të Qeverisë së SHBA-së (GAO) zhvilloi një takim në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në kuadër të një vizite pune dy ditore që po zhvillon në Shqipëri. Në ambientet e KLSH, znj.Janet St. Laurent u takua me Kryetarin, z.Bujar Leskaj dhe drejtues të lartë të KLSH-së. Duke i uruar mirëseardhjen, Kryetari, z.Bujar Leskaj, u shpreh se vizita e znj. St.Laurent, e dyta vizitë e nivelit të lartë nga GAO, pas asaj të Kontrollorit të Përgjithshëm, z.David M. Walker në vitin 2004 dëshmon për forcimin e urave të bashkëpunimit midis dy institucioneve. “Zyra e Auditimit të Qeverisë së SHBA-së është lider në komunitetin e INTOSAI-t, dhe në këtë cilësi, kjo vizitë është një formë “mini-peer review” për Kontrollin e Lartë të Shtetit. GAO ka përgatitur strategjinë e zhvillimit të INTOSAI-t për periudhën 2018-2022, një Strategji e cila do të fillojë implementimin në KLSH për të rritur kontributin në përforcimin e llogaridhënies dhe transparencës në menaxhimin financiar publik”. Kryetari i KLSH-së theksoi vullnetin e tij personal dhe të institucionit që bashkëpunimi mes KLSH-së dhe GAO’s të jetë permanent. Zoti Leskaj vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm që GAO i ka ofruar KLSH-së në këto tre vitet e fundit, përmes programeve të trajnimit 4 mujore (fellowship) për audituesit shqiptarë, duke nënvizuar se kjo marrëdhënia ka një potencial të madh për t’u zgjeruar në fusha të tjera, si auditimet e performancës dhe auditimet IT. Ky takim zhvillohet në vazhdën e takimeve të Kryetarit të KLSH-së me z.Gene Dodaro, Auditor i Përgjithshëm i GAO, në vitin 2015 në Washington dhe në Kongresin e Abu Dhabit, në dhjetor të 2016, si edhe në vizitën e fundit në Washington në shkurt të vitit 2017. 
Kryetari Leskaj theksoi se bazuar në Librin e Verdhë të GAO-s ( Standardet e Auditimit të Qeverisë), të botuar nga KLSH në shqip, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të përgatisë dhe botojë Librin e Verdhë të Standardeve të Auditimit të Qeverisë Shqiptare dhe kërkoi që audituesit e GAO të mbështesin rritjen e kapaciteteve në KLSH, jo vetëm me trajnime por edhe nëpërmjet asistencës profesionale në auditime të rëndësishme. Znj. Laurent, me përvojë të gjatë në GAO, falënderoi Kryetarin e KLSH-së për ftesën duke e konsideruar vizitën dhe takimin me përfaqësues të KLSH-së si pikënisje të një bashkëpunimi më të konsoliduar e konkret mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Zyrës së Auditimit të Qeverisë së SHBA-së. Pasi u njoh me historikun, arritjet, sfidat, risitë e Ligjit të ri organik të Kontrollit të Lartë të Shtetit, zyrtarja e lartë e GAO-s vlerësoi progresin e arritur vitet e fundit në KLSH, veçanërisht në zbatimin e standardeve ndërkombëtare të Auditimit si dhe fushën e trajnimeve që KLSH ofron për audituesit, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. “Vlerësoj fleksibilitetin e KLSH-së në përcaktimin e numrit dhe llojeve të auditimeve që do të realizohen, e cila është esenciale për veprimtarinë e një Institucioni Suprem Auditimi. Një indikator i rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve audituese është programi i trajnimeve. Në këtë fushë, KLSH ka krijuar një traditë solide, për të cilën GAO jep kontributin e saj përmes fellowship-eve për audituesit shqiptarë”. Më tej, znj.St. Laurent i konsideroi inovative botimet e artikujve nga audituesit e KLSH-së në shtypin e shkruar, që sipas saj, forcon transparencën duke krijuar linja konkrete komunikimi me qytetarët dhe vlerësoi botimet e KLSH-së në vitet e fundit, rekomandimet e dhëna nga institucioni për subjektet e audituara, kallëzimet penale, etj. 

Diskutimi mes përfaqësuesve të KLSH-së dhe znj.Janet St.Laurent u fokusua më tej me ekspertizën që mund të ofrojë Qendra e Ekselencës në Auditim të GAO-s, përmes trajnimeve në fusha si auditimi i performancës dhe auditimit IT. Në këtë kuadër, Kryetari i KLSH-së e çmoi ekspertizën amerikane në auditim, jo vetëm si pjesë integrale të politikave të ndërmarra për modernizimin e institucionit, por si një finalizim dhe përmbushje të reformave për ngritjen e kapaciteteve audituese të KLSH-së. “ KLSH është në një fazë ku po konkretizon frymën e bashkëpunimit për forcimin e kapaciteteve, falë edhe bashkëpunimit me SAI partnere si NIK-u Polak, Zyra e Audimit të Kroacisë, Gjykata Austriake e Auditimit, Gjykata Europiane e Audituesve, etj. Në këtë drejtim, bashkëpunim me GAO-n përmbyll këtë cikël modernizimi për institucionin”. Në përfundim të takimit, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj dhe Drejtoresha e Qendrës për Ekselencë në Auditim të Zyrës së Auditimit të Qeverisë së SHBA-së (GAO) znj.Janet St. Laurent u dakordësuan për identifikimin e fushave dhe prioriteteve të KLSH-së, me qëllim konkretizimin e kornizës së bashkëpunimit, ku do të bazohet asistenca e GAO-s për Kontrollin e Lartë të Shtetit. 
Sigal