Drejtorë rajonalë hajdutë e me diploma false, që shteti duhet t’i pastroj dhe drejtësia t’i ndëshkoj

590
Këto ditë e sidomos dje, kanë ardhur shumë denoncime e informacione në redaksinë e Gazetës “Telegraf”, pas shkrimit të botuar lidhur me disa nga drejtorët e ish-drejtorët rajonalë të Qarkut të Korçës dhe me drejtorët e ish-drejtorët e institucioneve në rrethet e këtij Qarku në Pogradec, Devoll, Korçë e Kolonjë, të cilët edhe pse janë të “fundosur në moçalin e abuzimeve” me detyrën e janë thirrur shpesh prej drejtësisë rajonale, “çuditërisht” nuk po ndëshkohen, përkundrazi po merren në mbrojtje prej kupolës qendrore e lokale politike, paçka se janë futur si subjekte krimi ekonomik-financiar e dokumentar në dosjet e drejtësisë. Në vend që të ishin përpara drejtësisë, si me një lojë “guraleci” nga një dorë e fshehtë, ata hiqen nga “vend-krimi” i drejtorit ku abuzojnë e kapen “me presh në dorë” dhe qarkullohen si të emëruar e të komanduar po si drejtor apo si nëndrejtor në në zyra të tjera! Kjo ndodhi me një nëndrejtor në shëndetësinë e Korçës, i dënuar me 3 vite burg për abuzime me detyrën, i cili 1 muaj më parë u arrestua si “person në kërkim”, kur në fakt gjendej çdo ditë në zyrë, ngjitur me ndërtesën e policisë e të prokurorisë së Korçës, ku ishte emëruar si si drejtues shëndetësie! Ka edhe një drejtore rajonale në Korçë e cila është bërë drejtorisë personazhi tek ai filmi komik “Kiu Fiu” me 2 diploma me stampa të 2 universiteteve të huaja, adresat e të cilëve nuk gjenden as nga “FBI”, por pa asnjë kurs apo shkollë të lartë në Shqipëri! Këta drejtorë, që më së shumti në Korçë dhe në qarqet e tjerë, janë “çeta” me nga 40 persona, përfytyrojnë dhe kanë krijuar tek vetja një bindje psiko-deliri madhështie e paprekshmërie definitive dominonte, se gjoja janë “bajraktarët” e qarqeve, rretheve, qyteteve e zonave, përballë të cilëve sipas mendjes së tyre, duhet të ulen “në gjunjë e t’u bëjnë temena” të gjithë, kur në fakt janë “vemje” që nuk honepsen, të “shëmtuar” në sjelljen e tyre edhe pse xhelosen, parfumosen e krekosen me kostume, këpucë, kollare e makina luksoze! Të veshur me pushtet absolut dhe me “antiplumb” mbrojtës deputetët e zonave bosët e pushtetit në qendër, të pasuruar me hajdutëri e babëzi të përshpejtuar prej pisllëqeve që bëjnë me detyrën, drejtorët e Korçës dhe të krejt qarqeve të vendit, këta janë kthyer në “Tuç Makët” e zonave që marrin e heqin nga puna cilët të duan, që shesin vende pune, që rrëmbejnë troje, që përzgjedhin sekretare, që bëjnë biznese në pyje, rezervuare, licenca transporti, nafte, gazi, uji ushqimesh, bujqësie, arsimi, shëndetësie, farmacie, import-eksportesh, që ndërtojnë lokale luksoze me milionat e vjedhura, që ndërtojnë vila me pishina, fusha tenisi e parqe… Këta bëjnë gjithçka që e ka emrin babëzi fitimprurëse nëpërmjet shfrytëzimit të pushtetit dhe arkëtimit “të dhjetës” tek krerët e pushtetit. Po përse nuk verifikohen “salltanetet” e këtyre drejtorëve që edhe diplomat, ashtu si pasuritë i kanë të vjedhura, i kanë nga një karton fallco me nota e logo universitetesh deri në Indi! Kush ua jep fuqinë për të abuzuar? Ku e gjejnë “magjinë” e paprekshmërisë nga drejtësia? Ku i gjejnë “muskujt” për të bërë “të fortin” përballë shtetit, për të bërë “kapadaiun” përballë drejtësisë, për të bërë “again” përballë punonjësve e për të bërë “bajraktarin” përballa qytetarëve?! Janë drejtorë të emëruar jo prej aftësive, përkushtimit, kontributit e ndershmërisë, por me preferenca deputetësh zonalë, me urdhra “byroistësh” të partisë e ministrash, paçka se janë pa arsim të lartë, pacaka se janë hajdutë e hijena, paçka se janë “bulona skrap” të forcës politike që i ka emëruar drejtorë e të shoqërisë. Kur do të pastrohen këta, nga drejtimi? Kur do të çohen përpara drejtësisë? Edhe sa kohë pushteti, shtetit dhe politika në pushtet, do të përfaqësohet nga “mbetje” të tilla?! Këta drejtor në Korçë e kudo, të zhytur në abuzime, falsifikime e përfitime dhe që nuk po preken prej drejtësisë, do të bëhen publike prej gazetës tonë. Kanë ardhur shumë denoncime nga Elbasani, Korça, Berati, Shkodra, Lezha, Dibra, Fieri, Durrësi, Vlora, Gjirokastra etj, nëpërmjet të cilëve publikohen fakte konkrete abuzimesh e skandalesh të bëra nga drejtorët rajonal e të rretheve lidhur me tenderët, për “punësimet me lekë”, për mbushje të zyrave me familjarë, shokë e ortakë biznesesh, për drejtorë që kanë hapur biznese që kanë lidhje me sektorin që drejtojnë, për drejtorë që bëjnë “njëmijë e një horrllëqe”… Sot po publikojmë letrën e ardhur në redaksinë e gazetës “Telegraf”, për bëmat e Drejtorit të Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Qarkut të Korçës, koordinatorit të PS për Korçën, zotin Petrika Tollkuçi, letër të cilën po e publikojmë pa asnjë ndryshim:
—————————————————-
Një letër në redaksi, denoncon: 
Drejtori i Fondit të Kujdesit Shëndetësor Korçe, me detyrë partiake kordinator i Partisë Socialiste në Korçë, një nga drejtorët me të korruptuar
Ky drejtor, njihet për korrupsionin e tij si Drejtor i Zyrës së Tatimeve pranë Bashkisë Korçë, kapur me shkelje nga Kontrolli Lartë i Shtetit dhe… mbyllur çështja nga drejtësia. 
I njohur në qytet, për emërimet dhe punësimet, kundrejt shpërblimeve deri 3000-4000 euro.
I njohur për korrupsionin në institucionin ku punon drejton.
Ka hapur biznes privat, lokal “Roshicat” në Boboshticë, ku pothuajse gjithë kohës rri atje, ndërsa vetëm një orë rri në punë në zyrë.
Në këtë lokal organizohen gjithë eventet (banketet) e vitit dhe festat familjare të stafeve shëndetësore të Korçës. 
Por neveria arrin deri atje, sa edhe analizat mujore të punës së mjekëve, janë organizuar në lokalin e tij dhe po kështu seminaret për marrje kreditesh të stafit shëndetësor. 
Kur bën organizimet e festave, stafin shëndetësor e përzgjedh sipas preferencave, duke fyer pjesën tjetër të stafit që jep shërbime shëndetësore (mjekë, farmacistë etj).
Bëmat e tij janë të pafundme në Korçë dhe dihen nga të gjithë!
Sigal