Drejtor policie me makinë luksoze dhe targa falso

1017
Sigal

Drejtori i policisë së Korçës lëviz me makinë luksoze e targa false

Fiks fare/ Po  drejtuesit e tjerë të Policisë së Shtetit pse heshtin, kur drejtuesi i tyre shkel ligjin

Policia e Shtetit pretendon se do të bëjë vetting për drejtuesit e Policisë. Mirëpo, drejtuesit e Policisë së Shtetit, bredhin me makina luksoze, pa justifikuar ku i kanë gjetur paratë, sepse rroga e tyre nuk u mjafton as të paguajnë karburantin. Drejtori i Policisë së Korçës, e ka dhuratë makinën luksoze? Nga kush? Nga njerëzit që i ndihmon të mos i prekë …ligji?

Denoncimi

Mbrëmjen e së enjtes “Fiks Fare” denoncoi se Zv.drejtori i policisë së Korçës ka në përdorim të tij  një automjet të sekuestruar dhe  me targa false. Automjeti që përdor zv.drejtori Alfred Nomani është i tipit BMW  X6 , ngjyrë e bardhë, me targa AA 303 Ç.  Këtë makinë e shikon të parkuar çdo ditë para ndërtesës se Drejtorisë së Policisë e  Korçës .  Të gjithë qytetaret e Korçës e njohin makinën e shefit të policisë, madje kur i  pyet,  nëse e dinë se e kujt është makina e  luksoze para drejtorisë së policisë,  përmendin zv. drejtorin e policisë së Korçës. Por gazetarët e “Fiks Fare” nuk u mjaftuan me aq, duke  verifikuar targat që kjo makinë mbante, nga ku rezultoi se targat i përkisnin një tjetër tip automjeti. Targat AA302Ç janë targat që i përkasin një automjeti tjetër, tip   SEAT Cordoba, prodhim i vitit 2001 dhe që është në pronësi të një qytetari nga fshati Rrëmbec  i Korçës.  Gazetarët e “Fiks fare” kontaktuan me pronarin e makinës, të cilës i përkasin targat me të cilat lëviz zv/drejtori i policisë.  Ai tregon  se makinën tip  SEAT i biri e ka shitur  tek një servis automjetesh për pjesë këmbimi. Pyetjes së gazetarit, nëse makina është çregjistruar, babai i pronarit të makinës i përgjigjet se automjeti është ende në sistem, pasi makina figuron me siguracion dhe taksa të paguara deri në muajin janar 2019.  Në këto kushte gazetarët e “Fiksit” i kërkojnë që t’i blejnë ato targa. Zotëria pas kërkesës së bërë flet më të birin në telefon për ta pyetur për targat e makinës tip SEAT. Në bisedën e kryer midis të dyve në telefon i biri i pohon se targat e SEAT-it ia kishte marrë nga makina tjetër  shefi i policisë se Korçës. Ia kishte parë në makinë dhe në mënyrë shoqërori ia ka marrë. Kur gazetarët e pyesin se kush është ky shef, ai përgjigjet: “Nuk na intereson ajo punë. Targat ia kemi dhënë ne mënyrë shoqërore, është gjë pa zarar”.

Dialogët:

Fiksi-Mos ke këtë makinën e bardhë mo?

Qytetari-Jo, bre çne, e ka nëndrejtori.

Fiksi-Nëndrejtori i policisë?

Qytetari-Ëë  po, nga Vlora, nga Vlora.

Biseda me pronarin e makinës ,targat e së cilës i ka marrë zv.drejtori i policisë

Fiksi-Si ke qenë? Ja ky është Flamuri.

Qytetari-Mirë si të kam.

Fiksi- A të keqen vëllai. Tani për çfarë interesohem unë. Djali ka një SEAT ( makinë) .

Qytetari-A e shiti, e shita.

Fiksi-E ke shitur ë? Me letra ishte me të gjitha?

Qytetari-Me letra të paguara deri në fund të dhjetorit. I ndërrova motorin unë,  nuk kaloi kolaudimin. Unë e kisha njeriun që mund ta kaloja.

Fiksi-Kujt ja shite?

Qytetari-Në një servis, në një servis e mori për pjesë.

Fiksi-E hoqe ti nga taksat?

Qytetari-Nga taksat..

Fiksi-Mos e shit kështu kot se gjynah, se gjen belanë pastaj.

Qytetari-Jo, jo letrat ia mbajta. Po unë i kisha paguar deri në, janë letrat  deri në fund të dhjetorit ka siguracionin.

Fiksi-I ke letrat ti?

Qytetari-Po i kam letrat.

Fiksi-Tani për targat  bëhet mundësi që t’i marrim?

Qytetari-Nuk e di,  ja të flas me çunin.

Qytetari-Nëse ka mundësi të më gjejë targat, vij ia blej unë.

Qytetari-Targat i ka në.. aty..

Flet në telefon me të birin.

Qytetari- Hë bab,  kam një mikun tonë këtu,  targat e SEAT-it i ke? Pse? Pse e mori atë ai? Po letrat i more ti? Si ke mbyllur letrat akoma? Vetëm targat tha, se të tjerat i rregulloj vetë tha. Po mirë mo vemë e mbyllim që nesër ne, pse ça? E o mirë, mirë. Hajd, po e di, e di.

Po e do me gjithë letra thotë vete ia marr, se deri ne shkurt janë të paguara letrat. Taksat e shtetit. Pa kolaudim.

Fiksi-S’ka gjë kolaudimin e bëj unë. Siguracioni është deri në datën 6 janar. Letrat janë deri më 20 shkurt, po pa kolaudim.

Fiksi-Të vij unë  për na një javë këtu, më kthen ti përgjigje?

Qytetari-Po t’ia, marrësh targat atij,  edhe ti marrë ky. Për Pazar pastaj flasim. Tashi ky thotë e marr përsipër unë, e rregulloj vet. Mirë? Hajd.

Fiksi-Hë se vi dhe ditë tjetër e flasim. Më ndryshe është. Ku i ka lënë ky tani, te kush servis?

Qytetari-Dëgjo, nuk janë letrat në servis,  letrat janë në shtëpi. Janë këtu letrat. Targat ia kish parë në makinë një shef i policisë në Korçë, edhe ia kish marrë. Me mirëkuptim.

Fiksi-Ja ka marre këtij djalit?

Qytetari-Po djalit.

Fiksi-Ja ka marrë këtij djalit? Djalit tënd ja kishte marrë?

Qytetari-Po. I kishte në makinën tjetër,  jo në SEAT.  Se SEATIN  e çuam për..

Fiksi-Po si ja gjeti targat ai?

Qytetari-Në makinë eee… janë gjera shoqërore më shumë sesa  jo kështu konfliktuale,

Fiksi-Punon çuni?

Qytetari-Punon bre.

Fiksi-Ku punon çuni?

Qytetari-Ne ……

Fiksi-Ça është ky? Ndonjë polic qarkullimi? Ça është ky?

Qytetari- Janë të… Nuk na intereson ajo punë. Se është gjë pa zarar.  Po qe se i do me gjithë letra tha, se pa letra nuk ja jap.

Fiksi-Ajo ka vlerë, me letra.

Qytetari-Me letra ka vlerë. Me gjithë letra vete ja marr tha se do ta shes.

Fiksi-Mirupafshim. Do vi gjene një herë tjetër.