Drejtësia nuk po hap “gropën e zezë” të 72 tenderëve të rrugëve të viteve 2014-2015

617
Sektori më i korruptuar në Shqipëri, pas energjisë elektrike e minierave dhe shëndetësisë është sektori i ndërtimit të rrugëve. Që prej 24 muajsh, ky sektor është duke u drejtuar prej një klienti politik të emëruar në këtë detyrë jo për profesion, jo për aftësi profesionale e as për aftësi menaxhuese dhe zbatim ligji në detyrë, por për menaxhim dhe zbatim skenarësh korruptiv me tenderët dhe koncesionet e rrugëve, të inskenuar në kupolën e ministrisë në varësi të së cilës është Autoriteti Rrugor Shqiptar. Faktet e shumta lidhur me aferat dhe abuzimet me rrugët, gazeta “Telegraf” i ka denoncuar dhe do vazhdoj t’i denoncoj skandalet që bëhen me tenderët që projekton, manipuloi, shpall dhe realizon kreu i rrugëve dashamir Xhika, tendera që pas përfundimit të procedurave të prokurimit, nisin zbatimin me një tjetër procedurë korruptive, që gllabëron miliardat e tenderuar dhe ndërton, dorëzon, pranon e fut në përdorim rrugë jashtë kërkesave fizike ndërtimore dhe standardeve të sigurisë. Çfarë ndodh? 
Aferat me tenderët, po afrojnë rrugë pa standarde, ja abuzimet që miratojnë drejtuesit e ARRSH
Rrugët që kanë përfituar projekte financiare për ndërtim, ose rehabilitim, janë kthyer në “viktima” të tenderëve korruptiv që ka planifikuar e ka realizuar kupola drejtuesve Autoritetit të rrugëve, të cilët sipas konceptit dhe praktikës së kreut të këtij Autoriteti, “kapter” Dashamir Xhika vazhdojnë të konsiderohen si mundësi e mirë, si një hapësirë e plotë pasurimi me një firmë, vulë e pazar skutash, të cilat prej 2 vitesh janë të pakontrolluara nga shteti e drejtësia. Këtë mundësi, kreu i rrugëve, shefat e tij në ministri që ia miratojnë akrobacitë dhe pazaret, i arrin duke zbatuar projekte me abuzime e mangësi në standarde e zbatim fizik të projekteve. Psh., zhvillohet tenderi për një rrugë dhe për të përfituar pakësohen volumet e punimeve, veprat e artit, eleminohen standardet fizike, të funksionalitetit e të sigurisë, madje ndryshohen projektet edhe si “shenjë” në terren dhe milionat e punimeve që pakësohen në projekte, kthehen në miliona që futen në xhepat e shefit të rrugëve, shefave të shefit të rrugëve në ministri dhe të atyre që bëjnë këta marifete në mos zbatimin e projekteve. Konkretisht, abuzimet po vazhdojnë të bëhen me trashësinë e shtresave të bazamentit nën asfalt, me shtresën e asfaltit, apo stabilizantëve, siç ka ndodhur në rrugën Plepa-Rrogozhinë, në rrugën Fier-Levan-Vlorë, në rrugën Bejar-Memaliaj e në shumë rrugë në veri-lindje, në jug-lindje dhe në akset kryesore në Shqipërinë e Mesme. Devijimet nga projekti fillestar, shtimi i vëllimeve të punës për të arritur në vlerën me të cilën është fituar tenderi, etj. siç e kemi theksuar dhe ia kemi referuar si informacion edhe drejtësisë shqiptare, qeverisë dhe institucioneve hetimore të krimit ekonomik-financiar, rikujtojmë se një kontroll i bërë në procedurat prokuruese me rrugët prej Kontrollit të Lartë të Shtetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, i shoqëruar edhe me verifikime në terren, ka nxjerrë në pah një numër të konsiderueshëm abuzimesh me fondet publike gjatë ndërtimit. Shembull konkret, ku janë bërë shkelje nga më të ndryshmet në (mos)zbatim të projektit është segmenti Plepa-Kavajë-Rrogozhinë. Në zbatimin e projektit të këtij aksi, ndeshet devijimi i “hartës” së rrugës, mosparashikimi i saktë i punimeve që duhen kryer, firma është lejuar të ndërhyjë me “mendjen” e saj në projektin fillestar të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe kjo është autorizuar nga ministria për të lejuar këto devijime. 
Nga 30 standardet e BE pë sigurinë, rrugët e ndërtuara në 2014-2015 plotësojnë vetëm 2 prej tyre
Mjafton të shfletosh statistikat zyrtare dhe shikon që aksidentet dhe viktimat e shkaktuara prej tyre janë në përmasa më të mëdha, se mesatarja e botës, madje edhe më të larta, se mesatarja e vendeve më pak të zhvilluar se Shqipëria në aspektin ligjor e infrastrukturor. Çdo ditë, javë, muaj e vit nëpër rrugët dhe mjediset publike të Shqipërisë, madje dhe në qendrat e qyteteve makinat dhe shërbimet e transportit të gjithë llojeve, “prodhojnë” viktima të shumta në njerëz. Aksidentet rrugore me rezultat viktimat, janë aq të shumta në numër, sa ka ardhur momenti që institucionet përkatëse ligjbërëse, ligj zbatuese e ligj kontrolluese, të veprojnë me ndërhyrje efikase dhe jo vetëm me “citate”, me fletëpalosje, me tabela rrugore e konferenca sensibilizuese e raportuese, të bëra në zyra dhe salla hotelesh. Këto problematika që kanë lidhje me rrugët e pasigurta e të pa orientuara me sinjalistikë, madje edhe brenda qendrave të banuara, kanë të bëjnë vetëm me 2, nga 30 kushtet dhe bazat e sigurisë rrugore, siç është inxhinierimi i rrugëve dhe ekzistenca e rrugëve fizikisht. Rrugët në Shqipëri kanë mjaftueshmërisht ndikim përcaktues në situatën e alarmante të sigurisë rrugore. Nga mungesa e kushteve të sigurisë, në rrugët e vendit ndodhin çdo vit afro 2100 aksidente me 340 viktima e 2600 të plagosur, shifër kjo që ka si shkak rrugët pa standarde ndërtimi dhe me sinjalistikë të munguar, ose të ç’orientuar. Kjo shifër aksidentesh, na rendit në vendet me nivelin më të lartë të aksidenteve në Evropë. Ka shumë shqetësime në lidhje me rrugët e ndërtuara, Çdo ditë, nëpër rrugë, në qendra qytetesh, në rrugë rurale, madje edhe nëpër trotuar e rrugica lagjesh, ka ngjarje të rënda aksidentesh, shoqëruar me viktima të shumta e të plagosur që përfundojnë si invalidë. Nga bisedat me specialistë zyrtarë të rrugëve, pranohet, që rrugët nacionale në Shqipëri, sidomos të ndërtuara e rikonstruktuara totalisht ose pjesërisht në 2 vitet fundit, janë jashtë parametrave teknik e fizik. Këtë fakt e ka theksuar si detyrim të realizuar edhe raport-progresi i paraqitur 10 ditë më parë nga KE! Sipas këtij raport-progresi, Shqipëria bën pjesë në vendet me problematikë të shumtë në qarkullimin dhe sigurinë rrugore, problematikë e ndeshur në mënyrë shqetësuese e jashtë kontrollit të shtetit dhe drejtësisë, sidomos vitin e fundit. Shtrojmë këto pyetje: Si po ndërtohen rrugët në Shqipëri? Cila është gjendja e rrugëve ekzistuese të rehabilituara në 24 muajt e fundit? si janë përdorur fondet e rrugëve? sa dhe si janë zbatuar projektet fizike e infrastrukturore? Cila është siguria e mjeteve në këto rrugë? Sa garanci e jetëgjatësi do të kenë investimet rrugët që janë ndërtuar e rikonstruktuar në 2 vitet e fundit? Në Shqipëri, sipas ekspertëve të qarkullimit rrugor, ka rrugë pa standarde, pra ka rrugë sa për të kaluar makinat, por jo për të qenë të sigurta gjatë lëvizjes. 
Shqipëria pa evidencë teknike rrugësh, 70% e qyteteve pa orientim qarkullimi
Nuk mund të flitet për siguri rrugore as në akset nacionale, rurale e madje as brenda dhe as në qendrat banuara, kur nuk ka një skemë orientimi për qarkullimin. Në Shqipëri në 70% të qendrave të qyteteve dhe brenda hartës së tyre urbane, mungojnë tabelat orientuese të lëvizjes së këmbësorëve. Në Shqipëri, akoma nuk ka një inventar teknik e fizik të rrjetit rrugor për të gjithë kategoritë e rrugëve, sipas përcaktimit në Kodin Rrugor. Akoma nuk është hartuar një manual për sigurinë rrugore dhe për standardet e ndërtimit të rrugëve, paçka se deklarohet, se janë përgatitur afro 8000 faqe për standardet e rrugëve, ndërkohë që vazhdojnë të ndërtohen rrugë pa standarde, me qëllimin e vetëm për t’i lejuar vetes “të drejtën e abuzimit”. Vetëm 1 vit më parë, me imponim prej institucioneve të sigurisë rrugore ndërkombëtare, u miratua një VKM për auditimin e rrjetit tonë rrugor, por akoma nuk po bëhet fjalë për veprime konkrete auditimi të rrjetit rrugor, sidomos për elementët e sigurisë dhe sinjalitikës rrugore, në përputhje me standardet për çdo kategori rruge. Shqipëria ende nuk ka asnjë destinacion rrugor të përfunduar plotësisht e me kushte teknike. Sipas të dhënave e vëzhgimeve të ekspertëve, në 70% të qendrave të banuara të qyteteve dhe 40% të rrugëve të vendit, nuk ka orientime për qarkullimin, ndërkohë që në zonat rurale sinjalistika orientuese e rrugëve brenda e jashtë qendrave të banuara mungon totalisht. Në shumicën e akseve rrugore nacionale në vendin tonë, gjendja e sinjalistikës rrugore është ose krejtësisht e munguar, ose në gjendje të mjerë. Kjo praktikë është prezente në akset rrugore të ndërtuara, apo rikonstruktuara 2 vitet e fundit. Nuk bëhet fjalë për sinjalistikë të standardeve evropiane, por thjesht për sinjalistikë horizontale, me vijëzime të rrugëve, për t’i bërë të dukshme për përdoruesit e rrugës korsitë për çdo sens lëvizjeje, Po kështu, duhet të ketë vijëzime të pandërprera, ku ndalohet parakalimi dhe vijëzime të ndërprera, ku lejohet parakalimi, apo dhe vijëzime të kontureve ndarës të karexhatës me bankinat etj, elementë këto që faktikisht mungojnë në rrugët shqiptare. Sinjalistika vertikale është gjithashtu, në gjendje të mjerë, ose më mirë duhet thënë, që është krejt e braktisur dhe inekzistente, ndërkohë që për sinjalistikë të ndritshme as që bëhet fjalë fare. Edhe pse tenderët janë zhvilluar, në shumicën e akseve nacionale, mungojnë tabelat, ose janë vendosur tabela jo sipas standardeve, jo fosforeshente, nuk respektohen përmasat e përcaktuara në aktet ligjore dhe më shqetësues është ky fakt: kjo sinjalistikë edhe kur vendoset nuk mirëmbahet..
Nga 30 standarde të sigurisë, rrugët e financiar në vitet 2014-2015 plotësojnë vetëm 2 prej tyre
Këto problematika që kanë lidhje me rrugët e pasigurta e të pa orientuara me sinjalistikë, madje edhe brenda qendrave të banuara, kanë të bëjnë vetëm me 2, nga 30 kushtet dhe bazat e sigurisë rrugore, siç është inxhinierimi i rrugëve dhe ekzistenca e rrugëve fizikisht. Rrugët në Shqipëri kanë mjaftueshmërisht ndikim përcaktues në situatën e alarmante të sigurisë rrugore. Nga mungesa e kushteve të sigurisë, në rrugët e vendit ndodhin çdo vit afro 2100 aksidente me 340 viktima e 2600 të plagosur, shifër kjo që ka si shkak rrugët pa standarde ndërtimi dhe me sinjalistikë të munguar, ose të ç’orientuar. Kjo shifër aksidentesh, na rendit në vendet me nivelin më të lartë të aksidenteve në Evropë. Ka shumë shqetësime në lidhje me rrugët e ndërtuara, në 24 muajt e fundit. Ja disa shqetësime sigurie, që kanë lidhje me rrugët e dnërtuara e të rikonsturktura në 2 vitet e fundit: 
1. Në afro 40% të gjatësisë së rrugëve nacionale shqiptare, mungon sinjalistika e nevojshme e detyrueshme, për një vetë-menazhim normal e të sigurtë të qarkullimit, prej drejtuesve të mjeteve.
2. Në 35% të gjatësisë së rrugëve nacionale shqiptare, tabelat dhe sinjalistika orientuese e qarkullimit është e vendosur në kundërshtim të plotë me kushtet konkrete praktike të orientimit për qarkullim rrugor normal e të sigurt.
3. Në 20% të gjatësisë së rrugëve nacionale shqiptare, tabelat dhe shenjat orientuese të qarkullimit, janë të padukshme dhe jashtë përdorimit nga dëmtimet, vjedhjet ose fshirja e figuracionit.
4. Në 60% të gjatësisë së rrugëve nacionale shqiptare, sidomos autostradave, madje dhe mbi mbikalime, tabelat orientuese të qarkullimit rrugor janë të mbuluara prej reklamave gjigande të firmave private, të cilat janë ngjitur me paretet anësore të rrugëve, ndërkohë që sipas ligjit duhet të jenë mbi 20 metër larg tyre.
5. Në 70% të rasteve, policët e kontrollit rrugor, në mënyrë të kundërligjshme, qëndrojnë të fshehur dhe shfaqen befasisht në rrugë duke ngritur tabelat për ndalim vetëm 30-40 metër përpara mjeteve, duke futur drejtuesit në presion ndëshkimi, në ankth, stres dhe humbje të befasishme të kontrollit të drejtimit të mjeteve.
6. Afro 65% e rrugëve nacionale në Shqipëri, janë vetëm me 30% kompletim, siguri teknike e fizike për të qarkulluar normalisht e pa pasoja.
—————————————————————
Përse drejtësia nuk po hap “gropën e zezë” të 72 tenderëve të rrugëve në vitet 2014-2015, përse hesht qeveria?
Në sirtarët e drejtësisë shqiptare, gjenden të depozituara ato dosje skandalesh që janë bërë me rrugët në vitet 2014-2015, të cilat i disponon dhe i publikon me fakte edhe Gazeta “Telegraf”, por që për to drejtësia nuk po nis hetimin ligjor, shteti nuk po ndërhyn për të dekriminnalizuar këtë sektor publik nga kupola e zhytur në korrupsion. Nuk mund të paragjykojmë, por kemi të drejtën e plotë të shtrojmë disa pyetje për drejtësinë, sektorin e hetimit të krimeve ekonomike dhe për më tepër për qeverinë shqiptare, nisur prej heshtjes së tyre të plotë, përballë një veprimtarie me përmbajtje të plotë krimin ekonomiko-financiar me sektorin e ndërtimit dhe menaxhimit të rrugëve në Shqipëri, bërë haptazi prej një institucioni shtetëror, të quajtur “Autoriteti Rrugor Shqiptar”(ARRSH). Pyetjet që shtrojmë janë këto: 
– Përse drejtësia shqiptare, nuk po hap “gropën e zezë” të 72 tenderëve të rrugëve të shpallur e prokuruar në vitet 2014-2015? 
– Përse drejtësia nuk po nis hetimin për të marr nën përgjegjësi ligjore, drejtuesin e Autoritetit të Rrugëve Dashamir Xhika dhe personat me të cilët i shërbejnë verbalisht, nën presion për të mos humbur vendin e punës dhe të joshur nga shpërblime korruptive vazhdon aferat korruptive?
– Kur do të hapen këto dosje të mbushura me krim ekonomik-financiar e teknik me rrugët kombëtare e ato nacionale? 
– Kur do të ndërhyjë kryeministri për të ndalur shfrenimin dhe babëzinë korruptive që po bën prej 24 muajsh “Çeta Xhika” që është “desantuar” në krye të Autoritetit të Rrugor Shqiptar? 
Përse hetimi i krimeve ekonomike financiare, nuk po heton veprimtarinë abuzive me tenderët e ndërtimit dhe standardet dhe cilësinë e rrugëve, koncesionet dhe menaxhimin e tyre? 
Sigal