Drejtësia nis dekriminalizimin financiar dhe institucional të sindikatave

934
Duket se drejtësia, pas 25 vitesh rrumpallë horrash që kanë uzurpuar e shtrydhur, që kanë degraduar e përdhosur misionin dhe emrin “sindikalist e sindikalizëm”, më në fund është ndalur seriozisht dhe ka nisur goditjen e krimit financiar e institucional që vazhdon të bëhet në sindikatat shqiptare, të cilat në emër të punonjësve e sindikalistëve duke shfrytëzuar turpshëm e në mënyrë antiligjore besimin dhe emrin e tyre, kanë krijuar klika personale e “çetash” klanore, duke shpërdoruar pasuritë dhe pagesat në formë kuotash anëtarësie, që nuk i japin, por që horrat e disa sindikatave shqiptare, ua marrin me dhunë në borderonë e pagës mujore nëpërmjet bankës, duke përdorur listë pagesash të firmosur e vulosura nga drejtuesit e institucioneve e ndërmarrjeve po në mënyrë antiligjore, për të ndalur pagesa financiare mujore nga paga e punonjësve, të quajtur “kuotë sindikale”! Këtë krim financiar e institucional e ka ndalur Gjykata Administrative e Tiranës me vendimin e saj, duke bllokuar disa kontrata e urdhra drejtuesish të ministrisë së Arsimit e Ministrisë së Punës, të cilët kanë nënshkruar kontrata antiligjore me dy sindikata të sektorit të arsimit shqiptar, të cilat nëpërmjet këtyre me kontratave kolektive të punës, të lidhura klientelisht me ministritë, kanë marrë e kanë ndarë mes tyre monopolin sindikal e atë financiar të kuotave që u zhvaten me dhunë mësuesve shqiptarë! 

Çfarë ndodh? Konfederata Sindikale e Shqipërisë dhe Federata Sindikale e Arsimit e kësaj Konfederate të drejtuar ligjërisht e institucionalisht sipas statutit e me votëbesim kongresi nga Kol Nikollaj, ka çuar në gjyq këto kontrata, duke paditur Ministrin e Punës dhe Ministrinë e Arsimit, për njohje e lidhje në kundërshtim me ligjin të kontratave të punës në favor të dy individëve, të cilët paraqiten si sindikata arsimi, konkretisht Sindikatën e Pavarur të Arsimit të komanduar nga Novruz Kaptelli dhe Federatën Sindikale të Arsimit (dublante) të komanduar nga Xhaferr Dobrusha. Kreu i Konfederatës Sindikale të Shqipërisë Kol Nikollaj, në njoftimin zyrtar që i ka dërguar gazetës “Telegraf”, ka depozitar edhe vendimin e Gjykatës Administrative të Tiranës, sipas të cilit dy sindikatat “Kaptelli” e “Dobrrusha” nuk janë më partner ligjor sindikal të Ministrisë së Punës dhe të Ministrisë së Arsimit, mbasi këto dy sindikata paralele që drejtohen nga dy individët e sipërcituar, nuk kanë më kontrata kolektive pune të vlefshme e ligjore me këto dy ministri. Dhe si të tilla, nuk duhet të kenë më bashkëpunim zyrtar shkresor e partneritet social punëdhënës-punëmarrës me këto ministri. Kreu i konfederatës sindikale Kol Nikollaj, ka vlerësuar vendimin në fjalë, si hap të parë të nisjes së procesit ligjor të dekriminalizimit të sindikatave që kanë shkatërruar lëvizjen sindikale e që kanë abuzuar me të drejtat e punonjësve. Në rastin konkret, theksohet fakti që dy sindikatat “Kaptelli” e Dobrrusha”, janë pa kontratë kolektive pune të nivelit të parë me Ministrinë e Punës dhe Ministrinë e Arsimit, qysh prej datës 16. 05. 2016, kur gjykata ka vendosur shfuqizimin dhe mos njohjen e këtyre kontratave antiligjore.

 Dhe detyron këto ministri, të nënshkruajnë kontratë pune kolektive të nivelit të parë vetëm me Federatën Sindikale të Arsimit Parauiniversitar strukturë e KSSH, me kryetar zotin Hajrush Çollaku. Çfarë zbuloi shfuqizimi i këtyre dy kontratave? Dy sindikatat jo partnere zyrtare të ministrisë së Arsimit me emrat “Kaptelli” e Dobrrusha”, prej vitesh, duke përdorur këto dy kontrata të lidhura me klientelizëm antiligjor, zhvatnin miliona lekë në muaj nga pagat e mësuesve e punonjësve të arsimit, nën emrin “kuotë sindikale”. Kjo zhvatje nuk bëhej me thyerje e grabitje banke, por me urdhër nga drejtuesit e ministrisë në të gjithë vendin, me të cilët urdhëroheshin bankat ku paguheshin mësuesit, që t’u ndalej një vlerë financiare nga paga mujore e të kalohej në llogari të sindikatave “Kaptelli” e “Dobrrusha”. Se si administroheshin këto miliona lekë që zhvateshin me dhunë e pa asnjë ligj nga pagat e mësuesve, këtë duhet ta zbardh drejtësia me urgjencë në çdo qindarkë. Pra me ç’ligj u janë ndalur mësuesve? Me çfarë procedura e shkresa janë shpenzuar? Ku janë shpenzuar? Cilët janë firmosësit e veprimeve në bankë? me ç’vendim janë caktuar për këto veprime? A kanë lidhje me sindikata? A kanë lidhje me drejtuesit e sindikatave?

 A janë shpenzuar milionat e kuotave për ndonjë rast mbështetje të mësuesve në rast halli jetik, apo ekonomik e shëndetësor? A janë paguar paga drejtuesish sindikal nga këto miliona dhe mbi ç’vendime institucioni e ligji? A është bërë transperancë për këto miliona? Se sa janë milionat e vjedhura si “kuota sindikale”, për këtë mund të zbardhen llogaritë bankare të pagave të mësuesve dhe kontot bankare që janë mbushur me urdhër ministrie e drejtorësh rajonalë arsimi, arkëtuar për dy sindikatat “Kaptelli” e Dobrrusha”! Skandali me kuotat e punonjësve nuk është vetëm në rastin e mësuesve. Por janë shumë sindikata “kukulla” me logo, me vula, me zyra garsoniere, me sekretare e makina të shtrenjta, që drejtohen edhe nga stërgjyshër dhe nga individë që nuk i njohin as punonjësit e që kane dalë në pension qysh në vitin 1980, por që mbajnë peng vulat dhe logot e sindikatave. E që zhvatin miliona lekë me marifetin e ndalimit të vlerës së kuotës 100, 150 e 200 lekë të reja në muaj me urdhra ministrash, drejtorësh, prefektësh etj., dhe i fusin në llogaritë e tyre, të cilat nuk i bëjnë asnjëherë transparente. Ky krim financiar me emrin kuotë sindikale vazhdon të bëhet në ushtri, arsim, shëndetësi, ujësjellës, KESH, OSHEE, rrugë, ushqim, inspektorate e kudo ku ka institucione dhe ndërmarrje publike! Punonjësve u ndalen lekët me dhunë, duke shpërfillur ankesat e tyre. Dhe jo vetëm kaq, por kush kundërshton hiqet edhe nga puna, mbasi kështu është pazari me sindikatat dhe drejtuesit shtetërorë, të cilët i përdorin krerët e këtyre sindikatave kukulla si “pulte televizori” për të programuar qëndrimet sipas interesave të tyre e për të “ulur zërin” e për të lënë vetëm “figurën” e sindikatave! 
Sigal