Drejtësia në Elbasan, e molepsur nga korrupsioni

484
Sigal

Qytetarët akuza dhe indinjatë për zbatuesit e ligjit

Sistemi gjyqësor në Shqipëri ka afro dy dekada që e ka marrë tatëpjetën, nuk ka Kryeministër, KLD dhe President Republike ta ndalë kalbëzimin e krejt strukturave të tij. Edhe në Elbasan, sistemi drejtësisë mbetet i përfolur dhe molepsur nga korrupsioni, dhe kjo më së shumti rëndon çdo ditë xhepat e qytetareve elbasanas të hallexhinjve, të atyre që dergjen zyrave dhe sallave,  duke shpresuar se do të ketë zbatim të ligjit dhe drejtësi. Pothuajse çdo ditë në sheshin para dy institucioneve të drejtësisë në Elbasan, presin me qytetarë, të cilët halli i sjellë, për pronën, çështje të tjera penale dhe civile. Nuk ka asnjë nga ata hallexhinj, që kur i pyet të thotë se: “kam të drejtë, do ta fitoj gjyqin”, por  ata gjithmonë shprehen se: “avokati më kërkoi kaq milionë për ta mbyllur apo fituar çështjen, pasi paratë ndahen në dy apo tre pjesë”. Dhe natyrisht po qe se, nuk jepen paratë, mos prit  të marrësh drejtësi. Shpesh abuzimi me detyrën dhe korrupsioni në sistemin e drejtësisë, ka qenë objekt i medias, analistëve, dhe rrallë edhe i KLD-së, e cila deri sot nuk ka penalizuar askënd. Vetëm nga Gjykata e Elbasanit në vitet e fundit ka patur me qindra denoncime në KLD dhe Ministrinë e Drejtësisë. Denoncime ka çdo ditë edhe në Prokurori. Qindra elbasanas, dergjen prej vitesh në trotuaret e zyrat e dy institucioneve të drejtësisë së rrethit, duke paguar gjoba tek sekserët, të cilët, duke shpresuar drejtësi dhe vendime të bazuara në ligj, zbrazin xhepat dhe shkatërrojnë jetët e tyre. Korruptimi i sistemit gjyqësor mbetet plaga më e rëndë e shoqërisë shqiptare të pas viteve 1990. Bëhen mbledhje në KLD, takime, debate në Parlament, premtohen reforma, por deri sot asgjë ndryshe. Në Elbasan tregojnë një histori për një gjyqtare, kur thonë se, çdo javë hap hartën dhe shënon për ta bërë realitet, ishullin apo vendin më piktoresk ku të kalojë fundjavën apo edhe pushimet e vitit. Mjafton tu shikosh deklaratën e pasurisë, ku asnjeri prej gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk del me apartament të vetëm, por kanë shtëpi në bregdet, toka, makina luksi e miliona në banka. Asnjeri prej tyre nuk ka më shumë se 10-15  vjet punë si gjyqtar, dhe asnjeri prej tyre, po të funksiononte shteti ligjor, nuk do të kishte shpëtuar pa futur në burg. Qytetarët e Elbasanit, ashtu si gjithë qytetarët e Shqipërisë, apelojnë  për ndëshkimin e korrupsionit në institucionet e drejtësisë, pasi sot më tepër se kurrë, ALARMI për të larguar shushunjëzat e ligjit.