Drejtësia hap dyert për studentët e Perëndimit

546
Dje, ka nisur konkretizimi i premtimit programor qeverisës të LSI, bërë prej kryetarit të kësaj partie zotit Ilir Meta, për pranimin në Shkollën e Magjistraturës të studentëve shqiptarë që kanë kryer studimet në universitetet ndërkombëtare për drejtësi. Këtë zhvillim të rëndësishëm në fushën e arsimit të nivelit të lartë të formimit profesional juridik në Shqipëri e ka deklaruar të nisur me kërkesë zyrtare për konkretizim, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Është ky, një deklarim zyrtar që ministri Ylli Manjani e ka bërë në bashkëbisedimin e hapur që ka zhvilluar dje me studentë shqiptarë, të cilët kanë studiuar dhe janë diplomuar në universitetet jashtë vendit. Ministri Manjani, theksoi se përfshirja në sistemin e drejtësisë shqiptare e studentëve që kanë kryer studimet jashtë vendit, nuk është thjeshtë një akt administrativ, por një hap që shënon tregues perspektiv reformues e konsolidues për të reformuar drejtësinë shqiptare edhe duke futur brenda kualitete me nivel të lartë profesional e me “kod sjelljeje” perëndimor, me mendësi e praktika moderne në respektimin dhe zbatimin e drejtësisë në shërbimin ndaj qytetarëve që shkojnë përballë tyre. 

Nisja e zbatimit të këtij premtimi të bërë prej LSI, me protagonist Ministrin e Drejtësisë përfaqësues të LSI, ka lidhje me momentin se kur bëhet propozimi për nisjen e procesit të pranimeve pa konkurs në Shkollën e Magjjistraturës, të studentëve shqiptarë që kanë studiuar jashtë Shqipërisë. Ky hap hidhet në momentin kur në Shqipëri po debatohet projekti për reformën në drejtësi, reformë për të cilën LSI ka deklaruar se kërkon që kjo reformë, në çdo element të saj të konceptohet, të hartohet e funksionoj sipas parametrave të drejtësisë perëndimore e të vendeve të zhvilluara të BE! Ndaj dhe prej forcës politike LSI, po kërkohet të futet në zbatim ide-premtimi i përpara dy viteve të LSI, aktualisht kërkesë e deklaruar prej ministrit Ylli Manjani në takimin me studentët shqiptarë, që kanë studiuar jashtë Shqipërisë. Në takim, u bë e qartë se kjo nismë është e detajuar dhe gati për zbatim, me synimin për vendosjen e kritereve të reja mbi pranimet në Shkollën e Magjistraturës për studentët e diplomuar në universitetet më të mira jashtë vendit. Qëllimi është, që pas përfundimti të një cikli universitar ose mësimor të një shkolle të caktuar, studentët shqiptarë të universiteteve e shkollave të huaja, që do të futen në shkollën e Magjistraturës Shqiptare, të bëhen fillimisht pjesë e një procesi njohjeje e përshtatje me nivelin dhe programet e shkollës së Magjistraturës shqiptare, periudhë kjo, që mendohet të jetë 1 vit “studim” për përshtatjen e ligjeve shqiptare me ligjet e vendeve perëndimore, pa harruar nivelin dhe metodologjinë e mësimdhënies e të “thithjes” së njohurive, me bazë praktikën në institucione drejtësie të vendeve perëndimore. 

Kjo nismë, përfshin dhe studentët e fondit të Ekselencës në Shqipëri, të cilët sipas projektit “Manjani” parashikohet të pranohen pa konkurs në Shkollën e Magjistraturës. Burime të gazetës “Telegraf”, bëjnë me dije se në këtë projekt do të përfshihen edhe fëmijët e emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe studiojnë jashtë vendit. Sipas ministrit Manjani, ky hap hidhet për faktin, se ecuria dhe zbatimi i reformës në drejtësi, do të kërkojë burime njerëzore të kualifikuara dhe të formuara sa më mirë, duke cilësuar se është momenti i duhur për ndryshimin e kualitetit dhe mentalitetit të drejtësisë në këtë vend, përmes një fryme dhe niveli të lartë profesional, që mund të përcillen e konkretizohen edhe nëpërmjet këtyre studentëve. Në zbatim të këtij procesi, prej ministrit Manjani u bë me dije, se shumë shpejt do të nisin diskutimet edhe me Shkollën e Magjistraturës për të arritur në një zgjidhje të pëlqyeshme dhe të pranueshme ndërsa vlerësoi se janë shumë gjyqtar dhe prokurorë që sillen shumë mirë në raport me ligjin, që janë të trajnuar nga Shkolla e Magjistraturës dhe të diplomuar atje.
Sigal