“Drejtësia e të Miturve në fokus të Reformës së Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”

451
“Drejtësia e të Miturve në fokus të Reformës së Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” është tema e tryezës së konsultimit publik që po zhvillohet paraditen e sotme nga komisioni i posaçëm parlamentar, në bashkëpunim me UNICEF­-in.
Në këtë veprimtari marrin pjesë personalitete, ekspertë dhe profesionistë të fushës nga institucionet shtetërore, organizatat e shoqërisë civile, të spektrit akademik, si dhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë në vendin tonë.
Reforma në drejtësi, e konsideruar si sfida më e vështirë e sesionit të ri kuvendor, aktualisht ndodhet në fazën e tretë, që lidhet me hartimin e amendamenteve kushtetuese e ligjore. Këto amendamente parashikojnë ndërhyrje në mbi 45 ligje, që do të përbënin dhe bazamentin e reformimit të sistemit të drejtësisë shqiptare.
Ky proces ka përmbyllur tashmë dy fazat e para të tij. ‘Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri’, që përbën dhe fazën e parë, është një dokument me rreth 450 faqe, i pari i këtij lloji në 25 vjet, i cili pasqyron në mënyrë të plotë një analizë të hollësishme mbi sistemin e drejtësisë në vendin tonë.
Ndërsa faza e dytë lidhet me ‘Strategjinë për Reformimin e Drejtësisë dhe Planin e Veprimit’ për zhvillimin e saj. Ky dokument synon t’u japë zgjidhje gjetjeve, problematikave dhe përfundimeve të identifikuara në dokumentin e analizës së sistemit të drejtësisë, përmes ndërhyrjeve kushtetuese e ligjore që duhen kryer në këtë drejtim. 
Sigal