Drejt shkatërrimit rruga Elbasan-Cërrik

172
Aksi rrugor Elbasan-Cërrik, ndër rrugët nacionale që kryen lidhjen e katër qyteteve dhe bashkive, po shkon drejt shkatërrimit bashkë me urën mbi lumin Shkumbin duke rrezikuar bllokimin e mbi 70 mijë banorë të asaj zone. Elbasani përmes këtij aksi rrugor realizon lidhjen e Cërrikut, Gramshit dhe Gramshit me Tiranën, ndërkohë që ura e vetme (pas shembjes 2 muaj më parë nga vërshimet e lumit të urës 80 vjeçare) mbi Shkumbin, e ndërtuar në vitet ‘80, po thërrmohet dita-ditës, nga dora e njeriut dhe mungesa e investimeve. Ky aks rrugor, i ndodhur në juglindje të Elbasanit, prej vitesh është kthyer në ferrin e shoferëve dhe banorëve, pasi çdo 5-6 muaj ajo vetëm sa mbushet me inerte dhe nuk shtrohet kurrë. 
Çdo ditë në aksin rrugor Elbasan-Cërrik lëvizin mbi 15 mijë mjete, kur në sezon vere dhe fund viti ky numër 10 fishohet. Hapja e kantierit të H/C të Banjës, kantieret e tjera të ndërtimit dhe përpunimit të inerteve, ndërtimet e banesave dhe komplekseve tregtare, lëvizjet e mjeteve të vogla dhe të mëdha të banorëve dhe firmave private, të linjave që vijnë dhe ikin çdo ditë drejt Gramshit, Belëshit, apo edhe Skraparit, ka bërë urgjente nevojën e investimeve nga qeveria. Duke nisur nga fillimi urës së Shkumbinit dhe deri sa shkon në Cërrik, por dhe duke vazhduar drejt Shtërmenit, Belëshit, dhe Gramshit, ky aks rrugor të prezanton gropat, kanalet, dhe ngushtimin e tij në çdo 10 metra, duke rrezikuar mjetet dhe këmbësorët. Banorët e lagjeve periferike dhe fshatrave thonë se “kemi vite që kërkojmë shtrimin, ose ndërtimin e rrugës, kërkojmë ndriçimin e saj, nuk ka muaj të mos ketë aksidente me pasojë jetën e drejtuesve dhe pasagjerëve, ecin me shpejtësi, por edhe gropat dhe kanalet e pambushura me asfalt, janë një rrezik serioz për ne dhe fëmijët tanë”. 
Pavarësisht se është premtuar prej vitesh për “zgjerimin dhe ndërtimin nga e para të aksit rrugor Elbasan-Cërrik”, deri sot kërkesat e ish-komunave dhe banorëve kanë rezultuar premtime boshe dhe mashtrime. Ky aks rrugor nacional, dhe ura mbi lumin Shkumbin, e cila po thërrmohet dhe shkatërrohet çdo ditë nga tabani saj, që lidh 4 qytete dhe mbi 109 fshatra, duhet me urgjencë ti nënshtrohen ndërtimit dhe investimit me projekt të detajuar, pasi ndoshta një ditë mund të kemi edhe ndonjë tragjedi njerëzore. Vetëm 2 muaj më parë ura e ndërtuar 80 vite më parë, ura njëkalimëshe e ndërtuar nga italianët në kohën e Zogut, është shembur nga prurjet e lumit Shkumbin, ndërkohë që edhe ura e ndërtuar në vitet ‘80, sipas specialistëve të urave, paraqet një situatë të frikshme. Këmbët e saj janë zbuluar dhe krahët janë shembur, kurse kanalet e urës pothuajse nuk ekzistojnë, duke prishur çdo ditë makinat dhe rrezikuar jetën e banorëve. Por duket se edhe pse banorët dhe ndonjë media lokale, kanë ngritur shqetësimin, duket se ministritë respektive, apo edhe drejtoritë e rrugëve, nacionale dhe lokale, nuk kanë qenë të interesuara të japin alarmin, të planifikojnë ndërhyrjet apo investimet për ndërtimin nga e para. Kjo gjë ndoshta do të bëhet kur prurjet e lumit Shkumbin pas 2-3 muajve ta shembin edhe ndonjë këmbë të “urës së re” se kështu quhet akoma nga banorët, dhe pastaj qeveria, e cila edhe gjatë fushatës nga ai aks rrugor kalonte, të kujtohet për të nisur punimet. Aksi rrugor nacional Elbasan-Cërrik, mbetet rruga lidhëse mes 4 qyteteve dhe e mbi 109 fshatrave, por edhe nyja lidhëse me aksin rrugor Elbasan-Durrës. Kjo e bën edhe më urgjente ndërhyrjen dhe ndërtimin, ose të paktën rehabilitimin e saj të pjesshëm, por gjithmonë pa harruar urën mbi lumin Shkumbin.