Sigal

Riza Çelaj

Doberdoli është një bjeshkë e bukur e vendosur në lartësitë e maleve në Tropojës 2200 m mbi nivelin e detit. Udhëtojmë nga Tropoja drejt bjeshkës. Pasi lemë urën e Astes, përballë na shfaqet Kershi i Lepurit, në krah të djathtë Kuçana, majtas Myhejani, përballë Mullitë e Gradit. Sipër këtyre mullinjve gjurmë të një kalaje, është Kalaja e Komit më lart Lama e Komit. Në faqet shkëmbore që bien thikë mbi lumë është Bleta e Qelisë. Banorët nuk dinë me saktësi vendosjen e saj në atë zgavër shkëmbi, por një gjë dinë mirë që asnjëherë nuk ka mbetur pa një bletë. Më lart është një shpellë sipas Hasan Qelisë, banor i këtij fshati, në këtë shpellë për një kohë të gjatë është strehuar Hasan Prishtina, për të kujdesej Tarçuk Rama prijësi i ‘djemnisë shipshjane’. Banorët e Qelisë i dhanë bukë e besë malësore. Ecim në rrugën e makinës që është hapur këto tri vitet e fundit. Ndihet flladi i bjeshkës, aroma e pishave e feshferima e gjetheve të ahut. Lemë pas njëra pas tjetrës Vrellen e Vrinit, Perlinat e Bardha, Leqet e Këqija, Shtrejin e Lumës, Klubin “Pojana” të Artan Qelisë, djathtas Livadhin e Musës, Vrellën e Pushimit, Currielat e Sylbicës e në krah të majtë na shfaqet bjeshka e Rreshkëzës me stane të reja ndërtuar me shije këto vitet e fundit. Pasi lëmë Rreshkëzën e dalim në rudina (vende pa pyje, vetëm bar) na shfaqen 3 stane përtej lumit. Janë stanet e Qazim Ukës, Halil Qerimit, Muharrem Idrizit. Të vendosura mes Sylbicës e Rreshkezës në vendin e quajtur Rrasa e Sylbicës. Ka vite që dalin këtu me familjet e tyre për të kaluar vapën e verës. Gjithkush që udhëton në bjeshkë e ka të pamundur që të mos i bjerë në sy stani apo më mirë të themi stanet e Halil Qerimit, një burrë me shtat mesatar, kuvendar e tepër bujar që me sjelljen e tij ka krijuar respekt, jo vetëm në bjeshkë, por kudo në banorët e kësaj ane. Halili është djali i madh i Qerim Alisë, i cili nuk jeton më, por ka lënë emër të mirë kudo si punëtor në mënyrë të veçantë si elektricist i parë i zonës Tropojë. Halili ecën në gjurmët e babait të tij. Përveç tufave me dele e lopë merret edhe me turizëm. Në stanin e tij të mobiluar mirë pret e përcjell turistë nga të 4 anët e Globit. Jo vetëm kaq por edhe i shoqëron e përcjell nga Sylbica në Doberdol e andej edhe në Qerem. Në bjeshkë fjala e tij zë vend, në ndihmë të punës së tij janë vëllezër nipa e mbesa. Për pak çaste na shfaqet Sylbica, një bjeshkë e mirë e me njerëz të mirë që ta imponojnë respektin. “Është bjeshkë e Bytyçit” na thotë Sadri Zeneli, banorë i Sylbicës, bashkudhëtarë me ne në makinë. Këtu dalin: Zogaj, Kam, Leniq, Kepenek, Vlad, Pac, Corraj. Të gjithë me stane të reja e të kompletuara me çdo gjë që nevojitet. Përballë Sylbicës, përmbi stane të Corraje ngrihet Kershi i Gusanit, në kufi me Kosovën Maja e Gjerovicës. Një majë që tashmë ka hyrë në familjet malësore përmes emrave të vajzave. Janë me dhjetëra vajza pse jo edhe gra me emrin Gjerovicë. Në Tropojë me emrin Gjerovicë ka mësuese, infermiere, këngëtare etj. Të përmendura në Sylbicë janë Gurrat e Zeza, Lkeni i Hurdhës, Lkeni i Shkaut. Për Lkenin e Shkaut ekziston një gojëdhënë se aty në këtë Lke u mbyt një shka (serb) e i vunë emrin Lkeni i Shkaut. Largohemi nga bukuritë e Sylbicës e ngjitemi drejt Qafës së Doberdolit. Pasi dalim nga makina Qazimi që udhëtonte me ne na flet për rënien në këtë qafë të 5 ushtareve trima në dimrin e vitit 1958. Ja këtu, bën me dorë, ra i pari në dëborë e pas tij me radhë të gjithë. Dimër, borë, ngricë, djem nënash, detyra për mbrojtjen e kufirit i thirri. E ata erdhën, erdhën për t’u kthyer dëshmorë të atdheut. Ata ishin: Ilmi Ali Mani nga Durrësi, Gani Domi nga Tirana, Isuf Dervishi nga Elbasani, Bardhok Jaku nga Puka dhe Hasan Qylafi nga Tirana. Ranë për të mos vdekur kurrë. E për trimat ka veç këngë: Në atë kohë këngëtarja Fatime Sokoli me zërin e saj të njomë thuri një këngë. Vargjet e zëri i saj sikur dëgjohet edhe sot pas 60 viteve. Mes tjerash thotë:

. . . Në Doberdol shkrepi furtuna

Seç na i mori këta pesë burra

S’ishin burra, po djem të ri

Njëzet vjeç kurrnja përmbi

Nëntogeri njëzet e dy. . .

 

Më vonë i prekur nga kjo ngjarje dhe i frymëzuar nga ky heroizëm poeti i madh Dritëro Agolli do të shprehej gjatë në vargje për këta 5 bijë nënash, në poezinë “10 sy” do të shkruante:

. . . Mes mjegullës së dendur

Pas njeri-tjetrit

Pesë kufitarë

Këtu dëborën

Shtypnin dhjetë këmbe

Këtu shikonin

Bjeshkët dhjetë sy

Këtu kundronin

Pesë gjokse shkëmbi

Përmes furtune

Ere e stuhi. . .

Dhe në mbyllje Dritëroi jep fundin tragjik, por edhe heroik të këtyre kufitarëve trima ku thotë:

. . . Këtu dëborë e maleve të larta

E flakur nga tufani i tërbuar

I mbylli dhjetë sy

Të zinj, të kaltër

I mbylli dhjetë sy të dashuruar. . .

Pas këtij përjetimi të shfaqet Qafa e Ali Celës, Kershi i Zi, Thepat e bardhë, Kershi i Vujkut që ndanë kufirin me Malin e Zi kurse në të majtë Lkeni i Dashit, Maja e Karafilit, Lkeni i Shovarve, Lkeni i Gashit, Lkeni i Dhenve përballë bjeshka e Koshoticës me stane mes pishave e aheve shekullore. Zbresim në Luginën e Doberdolit që ngjan me një amfiteatër gjigant. Stani i parë është stani i Bali Nokshiqit, vitet e fundit ka ndërtuar një stan të bukur ku veron vetëm me gruan, Hyrën. Besimi djali që lëviz me makinë vjen herë pas herë në stan tek prindërit e tij. Lugina është mbushur me stane jo vetëm nga Tropoja,  por edhe tropojanë që banojnë në Tiranë kanë ardhur në Doberdol. Të tillë janë Selim Braha nga Berisha, Tahir Salihi nga Kasajt etj. Edhe në Doberdol turizmi po e thotë fjalën e vetë. Me turizëm e turistë punojnë Sali Ajdushi, Sokol Avdia, Ukë Kurmeka dhe Bashkim Memia. Fillimet i kanë në një kohë para 4 vitesh, por në ketë drejtim ka avancuar Bashkim Memia. Bashkim Memia është nder më të suksesshmit në turizëm, në Doberdol. Nga një stan të ndërtuar ku priste e strehonte turistët që vinin nga shtete të ndryshme nga Evropa e Amerika, sot ka disa stane të tilla bile vazhdon të ndërtoje të tjera duke rritur kapacitetet. Tek Bashkimi turistët gjejnë kushte fjetje e ushqim të përsosur. Me intuitën e aftësitë e tij ka ndërtuar dushe, frigorifer, drita e çdo gjë të nevojshme.

Në netët e ftohta turistët preferojnë të ndezin zjarre e të mblidhen rreth tij. Përveç këtyre Bashkimi u bën përcjellje si për Kosovë a vende të tjera në Tropojë, Gjakovë, Valbonë etj. Turistët që vijnë në Doberdol u flasin të afërmve për bukuritë që gjejnë në Tropojë. Si rezultat turistë të tjerë vërshojnë drejt Tropojës e Doberdolit. Kjo ka bërë që çdo ditë grupe-grupe turistët i sheh tek vijnë e tek largohen nga kjo bjeshkë e preferuar. Për turistët interesante është gjithçka, por Lkeni i Dashit ka zgjuar kureshtje për ta vizituar. Emri i tij që lidhet me mbytjen e një dashi, një djalë e një vajze tek po lanin delet në këtë liqe. Sipas shpjegimit nga gojëdhëna u lë mbresa të pashlyeshme turistëve. Në Doberdol do të takosh banorët më të vjetër në këtë bjeshkë. Qazim Tushi e Shaqir Rexhepi kanë 54 vite që dalin në këtë bjeshkë. Sot Qazimi në bjeshkë është me Hasimen, gruan e tij, me djalin Kujtimin, vajzën Borën mësuese në Kasaj, nipa e mbesa. Ndërsa Shaqiri është me gruan Ajeten, djalin e madh Skënderin pret ti vij me nipa e mbesa. Ka kohë që ka filluar mbledhja e boronicës, të tjerë ecin për të mbledhur bar zemre, një bimë industriale. Të gjithë dalin edhe për të veruar, por edhe për të siguruar të ardhura. Largohemi nga këto bjeshkë duke marrë me vete flladet e bjeshkës, freskinë e krojeve, shushurimat e gjetheve, blegërimat e deleve. Rrugës takon shoferin nga Zogajt Shpetim Halimi që bën çdo ditë rrugën Sylbicë Tropojë, me të ishte dhe Kastriot Rexha nga Berisha që është autor i sa e sa rrugëve në bjeshkë me fadromën e tij. Doberdoli që i ka të gjitha të mirat na fton që të kthehemi përsëri e përseri në bjeshkë duke mos u ngopur me bukuritë e freskinë e tij.