Dramat personale dhe milionat e harxhuar

622
Shqipëria, ndër vendet më të varfra të Evropës, ruan një normë të lartë papunësie, ndërkohë që shteti është ofruesi më i madh në tregun e punës. Administrata publike në Shqipëri punëson rreth 90 mijë qytetarë në nivel qendror dhe lokal. Përgjatë dy dekadash, rotacionet politike kanë sjellë spastrime masive në administratën qendrore dhe atë lokale, duke shkaktuar drama personale dhe politizim e paqëndrueshmëri të institucioneve publike. Në vazhdimësi, vendet e punës në shtet kanë joshur një numër të lartë qytetarësh, ndërkohë që një pjesë e tyre janë rezervuar për militantët partiakë, si shpërblim për shërbimet e tyre. Ky fenomen është kritikuar vazhdimisht në progres-raportet e Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Në vitin 2013, parlamenti shqiptar votoi me konsensus një ligj për nëpunësin civil të asistuar nga ekspertë të Bashkimit Evropian, i cili premtonte mbrojtjen e administratës nga shkarkimet për arsye politike. Megjithatë, mijëra njerëz humbën sërish punën e tyre edhe pas ardhjes së të majtës në pushtet. Një botim periodik i Avokatit të Popullit tregon se 4093 punonjës janë larguar në mënyrë të paligjshme nga administrata publike në periudhën shtator 2013-maj 2015. Prej tyre, 1021 kishin statusin e nëpunësit civil, ndërsa 3072 të tjerët trajtoheshin sipas dispozitave të Kodit të Punës. Mes vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit dominojnë rastet e shkarkimit për shkak të ristrukturimit të institucioneve. Gjithashtu, gjykata ka gjetur paligjshmëri në zgjidhjet e menjëhershme të kontratave të punës apo në afatet e lajmërimit. Vendimet tregojnë se shkarkimet në administratë nuk kursejnë asnjë kategori; nga sanitaret e deri tek drejtuesit e lartë të institucioneve. Që nga ndryshimi i qeverisë në vitin 2013, punësimet dhe pushimet nga puna në administratën publike kanë qenë një ndër temat kryesore të debatit politik në vend. Partia Demokratike ka bërë akuza të vazhdueshme për shkarkime politike, ndërsa ka ngritur edhe një portal që akseson ankesat e qytetarëve. PD pretendon se numri i shkarkimeve nga qeveria e majtë kap shifrat e 7 mijë personave. Ndërsa qeveria ka deklaruar se shifrat faktike nuk kanë lidhje me legjendat që qarkullojnë mbi këtë çështje dhe se ligji i miratuar me konsensus po zbatohet me korrektësi. Përtej replikave politike, Avokati i Popullit ka bërë një analizë të shkarkimeve nga puna gjatë kohës se qeverisjes së të majtës dhe ka arritur në përfundimin se praktikat e shkuara të shkarkimeve vazhdojnë të aplikohen edhe sot. Nga shifra e përgjithshme e 4093 punonjësve të larguar, 1314 janë pushuar në mënyrë të menjëhershme si pasojë e ristrukturimeve. Sipas vendimeve të Gjykatës së Apelit Administrativ, shkarkime të tilla janë në kundërshtim me Kodin e Punës që përcakton në mënyrë të qartë arsyet e zgjidhjes së kontratës dhe afatet kohore të lajmërimit. Raporti i Avokatit të Popullit zbulon gjithashtu se 1 mijë punonjës, nga të cilët 403 nëpunës civilë janë shkarkuar përmes masave disiplinore. Gjykatat Administrative kanë pranuar një numër të konsiderueshëm padish që lidhen me shkarkimet përmes masave disiplinore. Avokati i Popullit u ka tërhequr vëmendjen institucioneve përmes 90 rekomandimeve, pasi ka gjetur pavlefshmëri absolute në urdhrat e nxjerrë dhe u ka kërkuar atyre të zbatojnë drejt procedurat e largimit nga puna. Sipas tij, mosrespektimi i Kodit të Punës dhe i ligjit për Nëpunësin Civil kanë sjellë rritje progresive të efekteve financiare në buxhetin e shtetit. “Kjo është një barrë që u ngarkohet padrejtësisht taksapaguesve dhe qytetarëve të thjeshtë,” thotë Avokati i Popullit. Sipas të dhënave për shpenzimet e thesarit për shkarkimet nga puna në periudhën mars-dhjetor 2014, buxheti i shtetit shleu më shumë se 4800 fatura për këtë periudhë, duke humbur rreth 3.3 miliardë lekë (23.4 milionë euro). Fatura financiare për largimet nga puna përgjatë viteve 2013-2014 është ende e paqartë. Përveç milionave në dëmshpërblime, institucionet duhet të përballen me lista të dyfishta punonjësish; atyre që kanë fituar të drejtën e rikthimit në punë dhe të punësuarve të rinj që u kanë zënë vendin. Kjo thellon më tej gropën në buxhetin e shtetit. Përveç kostove në buxhet, shkarkimet e padrejta shkaktojnë edhe plagë sociale tek kategoritë më të pambrojtura, të cilat nuk kanë mundësi t’i drejtohen gjykatës.
Sigal