Drama rome/Si jetojnë 10 vetë të një familje në vagonin e trenit!

593
Sigal

DURRËS/Me gjithë premtimet e zyrtarëve e kërkesat e ndërkombëtarëve, banorët romë nuk po integrohen në komunitet

Një familje rome prej pesë vjetësh banon në një vagon të vjetër mallrash, i cili gjendet në linjën më skajore të hekurudhës në afërsi të Urës së Dajlanit. Vagoni në fjalë ngrihet sipër kanalit të ujërave të zeza që vjen nga lagjja nr.14 e Durrësit,( Shkozeti) ndërsa traversat e hequra poshtë shinave, mund të rrezikojnë shembjen e kësaj “banese” të veçantë. Në këtë banesë, e cila më saktë është një pjesë e mbetur nga një vagon mallrash, jetojnë prej 5 vitesh, afro 10 vetë të familjes së Kujtim Sinanit. Ky i fundit, i martuar tre herë, ka plot 31 fëmijë nga të tre martesat e tij dhe dy gratë e para i ka ndarë duke iu sajuar baraka të veçanta së bashku me fëmijët. Kujtimi që në mëngjes herët del nga “shtëpia” dhe shkon për të mbledhur kanoçe. Kjo është një nga mundësitë e pakta që ai të sigurojë jetesën e 8 fëmijëve të tij. Kanoçet prej alumini dhe mbeturinat e hekurit, janë dy mundësi të vetme në fakt për komunitetin e romëve. Një lagje e vogël e populluar nga popullsi rome është krijuar tashmë përgjatë kanalit të ujërave të larta, rreth 200 metër nga Ura e Dajlanit. Kjo pjesë e popullsisë ka në këtë vend më shumë se 7-8 vjet, pa mundur që të integrohen në këtë vend për të siguruar kushtet minimale të jetesës. Në “lagjen” e romëve tek Ura e Dajlanit banojnë 10 familje, të cilët arrijnë t’i mbijetojnë vështirësive të përditshme duke mbledhur skrap dhe kanoçe alumini. Fëmijët e tyre, duhet të bëjnë pjesën e tyre të punës, lypjen. Nuk bëhet fjalë që ata të shkojnë në shkollë, shkolla dhe arsimimi për ta është një fjalë e huaj dhe luks i tepërt.

Fëmijët nuk shkojnë në shkollë, duhet të lypin

Luljeta është një vajzë 12 vjeçe që banon në vagonin-shtëpi. Ajo është vajza e Kujtimit me gruan e tretë të tij. Nëna e saj ka vdekur në Greqi para 10 vjetësh, dhe ajo duhet të dalë çdo ditë për të lypur. Ajo tregon se çdo ditë endet rrugëve të qytetit të Durrësit dhe nuk fiton më shumë se 200-300 lekë. Nuk shkon në shkollë, sepse duhet të sigurojë të ardhura për motrat dhe vëllezërit më të vegjël. Vagoni-shtëpi është i rrethuar nga pjesët anësore me plasmas dhe vetëm mbulesën ka prej llamarine. Vendosja e tij ka një pjerrësi të konsiderueshme dhe në pjesën veriore të tij, gjendet kanali i ujërave të zeza. Jashtë këtij vagoni, shtrihen linjat e tjera hekurudhore me vagonë të tjerë mallrash. Përreth tij gjendet disa thasë me kanaçe alumini gati për t’u shitur, ngjitur me ta 2-3 pjata dhe një tenxhere mjaft e zezë. Luljeta thotë se “ne jemi arixhinj, por në lagjen tonë banojnë edhe disa jevgj. Ndryshimi ynë me ta është se ata nuk e ndërrojnë vendin, kurse ne ikim në vende të tjera dhe kthehemi përsëri këtu”. Disa banorë të tjerë të kësaj lagje sapo na shohin, mendojnë se “shteti” do t’u prishë barakat. Duke besuar se ne gazetarët jemi përfaqësues të shtetit, në fund të bisedës pyesin nëse “ia vlen që barakat t’i kthejnë në shtëpi të thjeshta me blloqe?. Kësaj pyetje vështirë t’i përgjigjesh, aq më shumë kur sheh se në fillim të lagjes, sapo është prishur  një shtëpi me blloqe betoni, pasi ajo prishte investimin për ndërtimin e një pike karburanti. Duhet thënë se karburanti do të ngrihet pikërisht sipër kolektorit të ujërave të zeza.

Vendosja në linjën hekurudhore

Eduart Dokollari  punonjës  i stacionit hekurudhor të Shkozetit dhe Sukthit shprehet  se “popullsia rome ka bërë 13 ndërtime të paligjshme në afërsi të linjës 14 përgjatë kanalit të ujërave të larta”. Kjo zonë ka qenë e përcaktuar për futjen e vagonëve me defekt. Kurse në krahun tjetër të linjave hekurudhore shtrihet lagjja e populluar  e plazhit. Dokollari thotë se, “këta banorë rrezikohen seriozisht nga kavot elektrikë që varen sipër vagonëve, pasi një kontakt i telave që përcjellin energjinë elektrike me trupin e vagonëve, shkakton vdekje të menjëhershme”. Një gjë e tillë është e palejueshme, por deri tani nuk ka ndërhyrë  asnjeri për një gjë të tillë. Stacioni Hekurudhor  ka dërguar shkresa të ndryshme për problemin e  krijuar, por ende nuk është vënë dorë.

Mungesa e projekteve sociale

Nuk është e tepërt të thuash se kjo shtresë popullsie akoma mbetet më e diskriminuara. Këta njerëz i sheh të punësuar vetëm në ndërmarrjen komunale dhe në atë të Pastrim-Gjelbërimit. Por edhe këto punë shpesh janë të pa arritshme për ata. Edhe pse në Durrës ekziston një shoqatë për mbrojtjen e të drejtave të romëve “Amarodrom”, duket se presioni i saj drejt organeve të pushtetit vendor, ka qenë i papërfillshëm. Integrimi i popullsisë rome është gjithashtu edhe një nga pikat që kërkohet të zbatohet në bazë të marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, marrëveshje të cilën vendi ynë e ka nënshkruar me BE.