Drama e jetimit, nga Shtëpia e Fëmijës, në mes të rrugëve

557
Sigal

ELBASAN/Tomorr Sholla: Shteti të na japë statusin e jetimit, mundësinë për integrim në jetë!

 Ai është vetëm 21 vjeç dhe është një prej jetimëve të  shumtë, të cilët prej vitesh nuk mbështetet dhe nuk ka përkrahjen e askujt. Është fjala për Tomor Shollën, i cili prej 6 vitesh është larguar nga Shtëpia e Fëmijës, e cila kujdeset për ta deri në moshën 15-vjeçare dhe që atëherë endet rrugëve të qytetit të Elbasanit pa pasur mundësinë e punësimit apo një vend sadopak të përshtatshëm, ku mund të jetojë dhe të mbajë veten e tij me bukë. Ai jeton në një gërmadhë, ku gdhin dhe ngrys ditët e tij, të cilat në shumicën e kohës i kalon duke lypur nëpër trotuaret e Elbasanit. Tomori është një prej 40 jetimeve që ka qyteti, të cilët nuk gëzojnë as statusin e jetimit, i cili i siguron mbështetje sociale me 2800 lekë në muaj, por që për fat të keq Tomorri as këto nuk i merr. Ai thotë se, “e vetmja  gjë që kërkoj nga shteti është e pakta të më japin statusin e jetimit dhe të fitoj mbështetjen sociale, pasi ajo më takon jo vetëm mua, por çdo jetimi që është braktisur nga familja që në vogëli.

JETIMI

Endet gjithë ditë rrugëve, por kurrë nuk gjen një fjalë të ngrohtë, një strehë apo një shpresë për punë…  “I bëj thirrje shtetit që të vërë dorë mbi ne, të gëzojmë të drejtën e jetesës si çdo njeri tjetër, të paktën me kushte më minimale të jetesës, të ngopim barkun me bukë dhe të kujdesemi për shëndetin. Ne e dimë që shteti nuk na kthen prindërit, ngrohtësinë e tyre, të afërmit, por të paktën të na krijojë mundësinë e ingranimit në jetë”,- pohon Tomorri. Për këtë kategori, pas braktisjes nga ana e prindërve, kjo është braktisja e dytë për këta persona, por që këtë herë vjen nga ana e shtetit dhe strukturave sociale, që ai ka në varësi.

SHOQATA E JETIMËVE

Shoqata e Jetimeve në Elbasan prej 3 vitesh nuk funksionon, një mungesë, e cila detyrimisht do të ndikojë në prirjet e këtyre jetimeve për t’u afruar më tepër në kryerjen e veprave penale, si e vetmja mundësi për të mbijetuar. Në një kohë që në Shqipëri po flitet për politika sociale, faktet flasin qartë, se mbështetja sociale mungon dhe nis pikërisht nga kjo kategori personash, të cilët kanë më tepër nevojë për mbështetje se kushdo, pasi siç thotë 21-vjeçari Sholla, diskriminimi, dhunimi, përbuzja apo abuzimi i gjithanshëm nga pjesa tjetër e shoqërisë është bashkudhëtare në çdo ditë të jetës me ta.