Dr. Vili Minarolli: E drejta e ka rrugën e gjatë, por vjen. Fragmente nga romani “Oligarkët” mbi zgjedhjet, ndërkombëtarët dhe rolin e shtetarëve në stabilitetin e vendit

145

E drejta e ka rrugën e gjatë, por vjen…

 

Vili Minarolli

 

I dashur lexues,

Pas dy romaneve të mëparshëm, “Kontrabandisti” dhe “Trafikantët”, romani i ri,“Oligarkët” si një vazhdim i dy të parëve, është një triler, dhe si e tillë duhet gjykuar. Por për të mos u konsideruar thjesht një përrallë, jam përpjekur që ta përshtat me kohën dhe me ndodhi të njohura, për ta treguar sikur ngjarja ka ndodhur në një vend konkret disa vite më parë, ndodh tani apo do të ndodhë më vonë. Prandaj personazhet janë me emra që përdoren tek ne dhe, pavarësisht se mund të krijojë tek ndonjëri ndonjë ngjashmëri me personazhe reale me veprimet e tyre,ju siguroj se kjo është krejt e rastësishme. Po me këtë qëllim mund të jetë përdorur edhe ndonjë emër qyteti ose ndonjë emër tjetër i ngjashëm me ato të vendit tonë apo të ndonjë vendi tjetër ku zhvendoset ngjarja. Për të vazhduar që këtë fiktion ta bëj sa më të kuptueshëm për lexuesin, kur ka qenë e nevojshme për të treguar për pozicione në hierarkinë shtetërore, nuk janë përdorur pozicione të tilla si mbretër, apo princër, oborrtarë e kontë apo markezë,se kjo do ta largonte shumë lexuesin në kohë dhe ndoshta mund edhe ta mërziste. Për këtë arsye janë përdorur pozicione të tilla që janë të kohës dhe me të cilat lexuesi ynë është i familjarizuar si kreu i qeverisë, kreu i bashkisë, kreu i opozitës, deputeti,kreu i partisë, drejtori, shefi, bosi…e deri tek banda të krimit të organizuar, droga, pastrimi i parave etj që ju do i ndeshni gjatë leximit. Po kështu nuk janë përdorur emra vendesh të vjetra si kështjellë, oborr mbretëror, kancelari,bujtina e hane…por godina e Qeverisë , e Parlamentit apo më shqip e Kuvendit, zyra, galeri, plenium partie etj. Por nëse dikujt gjatë leximit një personazh do i duket sikur ngjan me dikë që mund ta ketë ndeshur në vendin e tij apo në një vend tjetër, kjo është fare e rastësishme, sepse edhe dukuritë që ndeshen sot në botë janë pak a shumë të njëjta. Kjo tregon gjithashtu se fantazinë dhe realitetin i ndan një vijë e hollë, në kohë dhe në hapësirë. Kështu ka ndodhur për shembull, me romanet fantastike që më pas disa nga sajimet apo karakteret e përdorura në këto romane të hasen vite më vonë në jetën reale. Mund të ndodhë që kur të lexoni romanin t’ju duket ndonjë ngjarje jo reale madje edhe e ekzagjeruar. .Ju kërkoj ndjesë për këtë teprim dhe ju siguroj se kjo ka ndodhur meqenëse për mua është hera e parë që shkruaj në këtë gjini. Vërejtjet dhe mendimet tuaja do i konsideroj një ndihmë të çmuar për të ardhmen dhe paraprakisht keni falënderimet e mia të sinqerta.

Miqësisht

Fragment nga romani “ Oligarkët” i autorit Vili Minarolli

Ndonëse ishte në të dalë muaji i fundit i verës, atë ditë qielli ishte i mbuluar në gjithë hapësirën e tij me një re më shumë në të bardhë se gri, që nuk lajmëronte për ndonjë shi të afërt. Edhe fytyrat e njerëzve atë mëngjes dukeshin sikur kishin marrë ngjyrën e qiellit dhe një qetësi mbretëronte nëpër rrugë, që prishej herë pas here nga zhurma e motorit të ndonjë makine, që ashtu si njerëzit, nuk ishin aq të shpeshta si zakonisht. Edhe në lokalet e shumta buzë rrugëve që zakonisht edhe në këtë orë ishin plot me klientë që pinin kafen e zakonshme të mëngjesit, sot shikoje aty këtu ndonjë kamerier që rrinte tek hyrja e lokalit dhe lexonte në celularin e tij, duke lëvizur mbi ekranin e tij gishtin e madh të dorës. Duke lënë një nga rrugët e gjëra, dy makina në ngjyrë të zezë morën kthesën dhe u drejtuan në godinën e qeverisë, nga porta në anë të saj , ku hynin zakonisht zyrtarët e lartë që punonin në këtë godinë .Makina e parë u ndal para një civili , që u përkul të shikonte kush ishte brenda dhe, pasi njohu pasagjerin në krah të shoferit, e përshëndeti duke vënë dorën si strehë në ballë.

-Edhe ata mbrapa janë me mua dhe kemi takim lart- i foli pasagjeri butësisht rojës.

Të dy makinat ndaluan para hyrjes dhe roja ashtu instinktivisht numëroi tre njerëz që dolën nga makina e para dhe dy të tjerë nga e dyta.

Ata ngjitën shkallët njëri pas tjetrit dhe humbën nga pamja pas derës të madhe.

-Njoftojeni shefin se duam ta takojmë- i foli sekretares, njeriu i njohur , por ajo e habitur vështroi edhe katër të tjerët.

-Si t’i them, kush ka ardhur?- e pyeti ajo me zë të pakët atë që njihte.

-I thuaj se kam ardhur unë me dy zotërinj për një takim urgjent- sekretarja hodhi sytë nga dy të tjerët- Jo, këta do të presin këtu.

Ajo ngriti telefonin dhe përsëriti fjalët që i thanë të thoshte.

-Po ju pret- u tha pas një çasti.

Të tre u futën njëri pas tjetrit, duke lënë përpara atë që ishte i njohur.

-Si është puna zoti ministër- i foli ai që ishte ulur në krye të tavolinës, pa lëvizur prej saj.

Tjetri pa nga dy të tjerët që ishin pak më mbrapa tij. Njëri prej tyre bëri një hap përpara.

-Jemi pjesë e njësisë speciale të drejtësisë dhe kemi ardhur t’ju marrim…

-Ç’do të thuash me ato fjalë, zotëri? E di se me kë po flet? Ti- iu drejtua ministrit- për të thënë këto fjalë pa kuptim i solle këta të dy?- dhe duke vështruar nga të panjohurit    – Në qoftë se nuk keni gjë tjetër, vini thembrat nga maja dhe dilni jashtë. Ti qëndro!- i tha anëtarit të kabinetit.

-Zotëri, – i foli ai që kishte folur edhe më parë – i kemi marrë masat që të vini me ne , edhe në mënyra që nuk do ju pëlqente, por nuk duam të krijojmë një situatë jo normale për pozicionin që keni aktualisht…

-Zoti ministër, mund të më shpjegosh se kush janë këta që më ke sjellë në zyrë?- Këtë radhë u dëgjua një zë më i bindur.

-Nuk di asgjë më shumë veç asaj që ju tha zotëria pak më parë… .Do ju këshilloja të zbatoni atë që ju thanë ndërkohë mua më është thënë që të bëj njoftimin për shpërndarjen e qeverisë dhe …

-Pse ore ku jemi këtu, në xhunglat e Afrikës!- dukej se tjetri diçka kishte filluar të kuptonte.-Apo është grusht shteti,… por nuk po shoh asnjë ushtarak- dhe u përpoq me sforcim të bënte buzën në gaz, për shakanë që sapo tha.

-Jo, as jemi në xhungël dhe nuk po ndodh as ajo tjetra që thatë, por në fakt jemi në shtetin që ndërtove ti, në një shtet të deformuar, që ju ia keni dorëzuar oligarkëve të lidhur ngushtë me krimin e organizuar, për fat të keq, zotëri – i foli me ton të prerë ai që deri tani nuk e kishte hapur gojën – Dhe për fat të mirë jemi pjesë e atyre që kanë marrë përsipër ta ndryshojnë. Prandaj edhe një herë, për herë të fundit po ju themi, që të vini me ne, ndryshe jemi të detyruar t’ju marrim me forcë. Njeriu i gjithëfuqishëm deri pak minuta më parë, tani dukej sikur ishte zvogëluar. Dy ditë më parë i kishin thënë se disa të huaj i kishin parë tek godina që i ishte lënë në dispozicion njerëzve që merreshin me strukturat e reja të drejtësisë dhe ai nuk i kishte kushtuar asnjë vëmendje. Ishte i sigurt se njerëzit e tij, që mendonte se kishin zënë pozicionet kyçe, do e njoftonin po të kishte ndonjë të re të veçantë. Një ditë më pas një i njohuri i tij nga jashtë i kishte thënë shumë shkurt në telefon se priteshin ndryshime dhe kur donte të dinte më shumë , tjetri e kishte mbyllur telefonin. Mendoi se mund të kishte ikur sinjali dhe tentoi të fliste me atë që sapo kishte folur. Zëri në telefon i tha, se telefoni ishte jashtë shërbimit. Vështroi njerëzit që qëndronin në këmbë para tij, pa ditur ç’të bënte. I njohuri e pa dukshëm frikën në fytyrën e tij të zverdhur dhe iu kujtua ajo që thoshin për të, disa nga njerëzit që kishin qenë afër, se prepotencën e kishte si mjet për të mposhtur frikën që e kishte pjesë të qenies së tij.

-Urdhëroni, kaloni zotëri- i foli njëri nga të panjohurit.

Vështroi sikur do i lutej për diçka njeriut të njohur që dukej se do të qëndronte në zyrë dhe me hap të ngadaltë, iu drejtua derës. Kur doli në korridor vuri re edhe dy persona të tjerë të panjohur, që u ngritën vrik në këmbë.

-Shoqërojeni zotërinë për tek makina – u foli prerë njëri prej atyre që sapo kishte dalë nga zyra. Dy njerëzit që dukeshin më trupmëdhenj se njeriu që e futën në mes,por pa e prekur, u drejtuan nga dera e daljes, ndërkohë sekretarja që nuk kishte kuptuar gjë se ç’kishte ndodhur, kishte mbetur në këmbë dhe dukej se do të rrëzohej nga çast në çast. Ajo vazhdoi të qëndronte në atë pozicion edhe pse kishte mbetur vetëm në zyrë. Atë çast u hap dera dhe u duk njeriu që nuk ishte larguar me të ardhurit.

-Merre lab-topin dhe eja brenda- i tha shkurt dhe ajo në çast bëri atë që iu tha.

-Zoti Pajtim- dëgjoi tjetri zërin e mekur të asaj që po i vinte nga pas – Çfarë ndodhi?

Tjetri vazhdoi të ecte dhe kur arriti në krye të tavolinës u ul në një nga kolltukët para saj, ku uleshin zakonisht të gjithë ata kur i thërriste ai, që disa çaste më parë qëndronte ulur në krye.

-Ulu – i tha sekretares duke i treguar kolltukun përballë – Më pyete ç’farë ndodhi, Kështu?- tjetra i kishte ngulur sytë e shushatur- Ç’farë kuptove ti?

-Nuk kuptova asgjë- tha tjetra me po atë zë të mekur, po në vetvete diçka e merrte me mend-Mos vallë…?

-Po, ajo që ke menduar ndodhi…Atë e morën, nuk e di ku e çuan, po besoj atje ku janë ata që po merren me drejtësinë dhe mua m’u tha se do të qëndroj këtu… Besoj se do të jem në krye të qeverisë provizore dhe tani do të bëj një njoftim për shtypin, ku do të njoftoj rrëzimin e qeverisë dhe… kaq hë për hë. U mbyll një kapitull dhe si duket po hapet një kapitull i ri… Pra shkruaj – tjetra u bë gati dhe i drejtoj shikimin atij që kishte përballë:

Njoftim për shtyp

Sot me datën – vure datën e sotme- me vendim të organeve të reja të drejtësisë, njoftohet rrëzimi i qeverisë dhe krijimi i një qeverie të përkohshme deri në zgjedhjet e reja. Në krye të qeverisë të përkohshme është caktuar zoti Pajtim Mako dhe qeveria do të përbëhet nga specialistë dhe ekspertë të fushave përkatëse, por jo persona politikë. Përbërja e saj do të njoftohet në ditët në vazhdim….Kaq. Nisja shtypit!

Sekretarja u ngrit dhe u drejtua pa fjalë drejt derës, ndërsa tjetri u drejtua nga poltroni i rëndë në krye të tavolinës dhe kur u ul në të. As vetë nuk e mori vesh pse iu kujtua ish diktatori rumun, Çaushesku.

Në qendër të qytetit, në rrugët pothuaj me pak lëvizje makinash, kishin filluar të lëviznin me shpejtësi makina zyrtare që pasi qëndronin para godinave të ministrive , zbrisnin prej tyre me shpejtësi dy apo tre personave dhe ktheheshin pasi kishin futur në mes titullarin e dikasterit apo edhe ndonjë zyrtar të lartë. Deri në orët e vona vazhdoi shoqërimi i zyrtarëve më të lartë të shtetit, nga atje ku i gjenin, në zyra, në shtëpi apo në vilat e tyre të pushimit në bregdet. Shpejt u përhap si thashetheme se disa prej tyre kishin dashur të largohen nga vendi dhe ishin ndaluar në aeroport apo në kufijtë rrugorë, nga pikat kufitare në veri, në juglindje apo në jug të vendit. Natën vonë faqet e para të gazetave, që u publikuan në rrjetet sociale kishin tituj nga më të çuditshmit:

”Organizata ndërkombëtare shpëton shtetin e kapur nga krimi i organizuar”

“Shpëton vendi që kishin vendosur ta shisnin për skrap”

“Votimet moniste nul”

“Sulmi ndaj oligarkisë kriminale shpëton shtetin dhe vendin”

‘Konfiskimi i pasurive të vjedhura do i kthehen buxhetit të shtetit”

“Vendi dhe populli me kohë e kanë bërë zgjedhjen e tyre, vetëm drejt demokracisë dhe jo totalitarizmit”

Të nesërmen në mëngjes, njerëzit, shumë prej tyre me gazetat në duar, po u drejtoheshin si zakonisht lokaleve të kafeneve. Moti vazhdonte të ishte po ai i një dite më parë, qielli gri i hapur në të bardhë, por fytyrat e njerëzve sot nuk i ngjanin këtij ngjyrimi. Pa përjashtim dukeshin ndryshe nga një ditë më parë, e ndjenin se kishte ndodhur ajo që shpresonin prej kohësh të ndodhte, por nuk e dinin nga kush dhe si do të vazhdonte. Nuk kishin besim se ndryshimi ishte bërë nga ata”fallxhorë” që bënin parashikime në bisedat e tyre të përnatshme në televizione, as u shkonte në mendje se ndryshimi mund të vinte ashtu si shpreheshin disa nëpërmjet forcës dhe konfliktit, pak shpresonin se mund të ndihmonin burokratët e ambasadave të huaja, disa prej të cilëve e kishin vënë veten në rolin e guvernatorëve dhe u shërbenin atyre që kishin vjedhur gjithçka, nga pasuria kombëtare e deri tek liria dhe e drejta e votimit të lirë, duke hartuar raporte rozë për qeveritë e vendeve të tyre. Ajo që ata shpallnin me të madhe si rol të tyre të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm për ruajtjen e stabilitetit në këtë vend, rezultoi se ishte thjesht një mënyrë e shëmtuar në shërbim të interesave të tyre personale.

Pak e kishin kuptuar se kishte përfunduar koha e pandëshkueshmërisë.

Kjo që po ndodhte realisht nuk u kishte shkuar në mendje se një ditë do të ndodhte me të vërtetë, atyre që i kishin kthyer pozitat e tyre të larta të pamerituara në mjete për të abuzuar me pushtetin dhe për ta shndërruar vendin e tyre në një oaz të pushtuar nga mafia dhe krimi i organizuar, në një vend që i kishte nxjerrë në pazar interesat kombëtare, në një vend që rrezikonte paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë. Kishte ndodhur ajo që më parë kishte ndodhur edhe në vende të tjera. Ata nuk e mendonin rolin që kishin luajtur informacionet që dolën nga përgjimet për tjetërsimin e votave dhe angazhimin e qeverisë në bashkëpunim me krimin e organizuar në këtë proces jetik për një vend demokratik dhe mendonin se relativizimi i fenomenit nga autorët e krimit elektoral i kishte vënë kapak çështjes. Ata nuk e mendonin se një vend anëtar i një organizmi politiko- ushtarak ndërkombëtar të ishte preh e papërgjegjshmërisë të lidershipit aktual me lojëra primitive dhe naive politike, për të jetësuar pushtetin e tij kriminal. Ata nuk e dinin se vendet demokratike nuk mund të lejonin që ky vend me pozitën e rëndësishme gjeostrategjike të bëhej preh e tekave dhe ambicieve të një personi që në të kaluarën, kur ishte në emigracion, siç doli nga ajo që kishin zbuluar agjencitë e specializuara, kishte drejtuar një bandë kriminale , por gjithnjë kishte qenë i fshehur pas një maskimi, madje edhe njerëzit që punonin afër me të nuk e kishin parë asnjëherë fytyrën e tij të vërtetë. Ndërkohë vazhdonte puna e pandalshme e strukturave të drejtësisë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke ndëshkuar ata që mendonin se i mbronte imuniteti. Disa prej tyre, që nuk kishin pasur lidhje direkt me krimin e organizuar , iu propozua të bashkëpunonin me drejtësinë dhe pasi të dorëzonin pasurinë e krijuar duke abuzuar me pushtetin, mund të largoheshin edhe jashtë vendit. Shumë prej tyre me dyshtetësi e pranuan ofertën dhe ndihmuan realisht në zbulimin e shumë të fshehtave të personave të korruptuar dhe mbështetës të veprave kriminale në dëm të publiku dhe të vendit. Shumë nga zyrtarët më të lartë, ish ministra dhe ish deputetë rezultuan me pasuri të fshehura në parajsa fiskale, që u zbuluan pas disa vendimeve të agjencive ligjzbatuese të vendeve perëndimore. Ndërkohë nga ana tjetër vazhdonte me ritme të shpejta organizimi i shtetit për të normalizuar situatën sa më shpejt. Përbërja e qeverisë të re, që u shpall pas gati dhjetë ditësh, ngjalli shpresa tek qytetarët. Figura të njohura të shoqërisë civile , të shkencës, arsimit , kulturës, specialistë me integritet profesional dhe të paangazhuar në lojërat politike dhe të pushteteve të mëparshme, morën përsipër të drejtonin vendin, mbi bazën e një pakete kushtetuese, që u miratua pothuaj formalisht nga parlamenti një ditë para se ai të shpërndahej. Në të vërtetë kishte dy javë që kishin filluar të largoheshin deputetët duke dorëzuar mandatet dhe së bashku me ata me të cilët po merrej drejtësia,parlamenti kishte arritur në atë numër deputetësh që ishte e pamundur të funksiononte më tej qoftë edhe formalisht. Partitë politike e ndjenë të domosdoshme reformimin e tyre, duke ndryshuar mënyrat e funksionimin si parti kryetarësh, duke u kthyer shumë prej figurave të shquara që nuk kishin pranuar të bënin kompromis , për hir të një posti apo përfitimi personal. E veçantë ishte ajo që ndodhi me ish partinë në pushtet. Ish-drejtuesi i saj kishte ndryshuar, jo vetëm emrin dhe për interes të elektoratit, vetëm në votime përdorte nganjëherë edhe emrin e vjetër, por edhe ngjyrën e flamurit dhe simbolet. Këto u ndryshuan siç kishin qenë dhe arrivistët, mashtruesit, servilët, hajdutët u larguan, shumica të akuzuar për bashkëpunim me krimin, të tjerët në heshtje dhe u afruan figura të njohura dhe dinjitoze, personalitete të shquar që ishin detyruar të largoheshin nga ata që nuk kishin asnjë lidhje dhe kontribut në transformimin e saj në një parti moderne evropiane. Në detyrat e para të qeverisë ishte ajo e stabilitetit financiar të vendit nëpërmjet forcimit të sistemit doganor, sistemit tatimor dhe sistemit fiskal. Konfiskimet e pasurive të vënë nëpërmjet krimit të organizuar dhe pastrimit të parave nga veprimtaritë kriminale, të pasurive të vjedhura nga abuzimi me pronën publike dhe pasuritë e pajustifikuara nga njerëzit me pushtet dhe poste zyrtare,ngjallën besimin tek njerëzit që vërtet këtë radhë çdo gjë po lëvizte në drejtimin e duhur. Qeveria vendosi që pasuria e konfiskuar të shitej dhe paratë të përfshiheshin në buxhetin e shtetit për të mundësuar uljen e borxhit si rrugë e efektshme për investime e huaja dhe frymëmarrjen e tregut të brendshëm. Po kështu me vendime të posaçme u anuluan të gjitha ato që ishin quajtur PPP, si mënyra të fshehta të vjedhjes të pasurisë publike së bashku me kontratat koncesionare të dhëna për oligarkët dhe trafikantët. Një nga oligarkët iu drejtua gjykatës për prishje të kontratës, por kur i treguan disa të dhëna për përfshirje në krimin e pastrimit të parave,hoqi dorë nga kërkesa në gjykatë. Në këtë klimë optimiste që kishte përfshirë publikun, pas gati një viti, u organizuan zgjedhjet e përgjithshme me sistem mazhoritar dhe ato për pushtetin lokal, me një ligj krejt të ri zgjedhur ,ku çdo kush që votonte e ndjente përgjegjësinë e votës të tij. Partitë politike iu nënshtruan një sistemi demokratik për zgjedhjen e kandidatëve , duke aplikuar forma të huazuara nga partitë si motra moderne evropiane, ku vendimi i anëtarësisë mori vlerën që meritonte. Partitë i kushtuan vëmendje të posaçme kontrollit të figurave që propozoheshin, në përputhje me ligjin e dekriminalizimit, por edhe me mos angazhimin në strukturat represive të pushtetit të vjetër. Votimi u bë elektronik, me komisione jo partiake, nga njerëz nga sistemi i drejtësisë të re, mësues, mjekë, nga shoqëria civile që kishte marrë një fytyrë të re, etj dhe këtë radhë për herë të parë munguan përfaqësuesit e partive dhe militantët që i kthenin votimet në pazare dhe demonstrim force. Publiku u bind për drejtësinë e votës të tij të lirë dhe të ndershme. Ata panë në ditën e parë në parlament njerëz me personalitete të spikatura dhe administratorë lokalë të zgjedhur që shprehnin besim për të qenë në shërbim të komuniteteve. Një muaj më pas, me një procedurë të veçantë, vendit iu dha statusi i kandidatit për në BE , që u shoqërua edhe me një paketë financiare në shërbim të infrastrukturës, bujqësisë dhe turizmit si pjesë të rëndësishme të zhvillimit të ekonomisë dhe thithjes të investimeve të reja. Njerëzve të këtij vendi , ajo ç’ka kishin përjetuar në këto vite iu dukej si një ëndërr e keqe, që do të donin ta harronin e të mos e kujtonin më kurrë.