Dr. Ruki Kondaj sjell një botim të rrallë në fushën e mjekësisë

807
Sigal

Në sallën e bibliotekën “Nermin Vlora Falaschi”, është promovuar paraditen e të hënës libri “Sfidat e Farmaceutikës” të autores Dr. Ruki Kondaj. Auditori i këtij promovimi ishin studentë të infermierisë, punonjës të shëndetësisë, farmacistë, por edhe intelektualë e krijues të qytetit të Vlorës. Për vlerat e këtij libri, që është i pari i këtij lloji, foli poeti Albert Abazi. Libri është vlerësuar edhe nga deputeti Fatmir Toçi, pasi është botim i “Toenës” si dhe Prof. Bardhosh Gaçe. Pas promovimit autorja u shpreh ekskluzivisht për “Telegraf”.

Dr. Kondi, pamë që u prit me entuziazëm libri juaj. Ç’mund të thoni diçka më shumë?

Libri është vazhdimësi e doktoraturës, që unë kam mbrojtur 3 vjet më parë në Shqipëri dhe duke e botuar atë, mendoj se ju shërben jo vetëm studentëve të fakultetit të Mjekësisë, punonjësve që punojnë në këtë sektor, por edhe konsumatorit. Kjo, për faktin se aty marrin një informacion më shumë për sistemin shëndetësor, sigurimet shëndetësore, rolin rregullator të shtetit dhe përgjegjësinë e tij, për të pasur një sistem shëndetësor, që në qendër të jenë pacientët njerëzit e shëndetshëm. Ndjehem e prekur, pasi ky libër që u promovua edhe në Universitetin e Tiranës, në Universitetin e Tetovës në Maqedoni dhe sot në Vlorë, është mirëpritur. Kjo për shkak se është i pari botim i këtij lloji në fakultetin e mjekësisë dhe për këtë shkak Prof. i mirënjohur Gjergj Minga, në parathënie e quan risi këtë botim.

Erdhët nga Kanadaja për të bërë promovimin e librit?

Po, po. Unë atje jam edhe Presidente e Komunitetit Shqiptar dhe me gjithë punët e shumta që kemi për të realizuar veprimtaritë e planifikuara për 100- vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, duhej të vija për të plotësuar kërkesat e shumta për librin.

Ju keni qenë një drejtuese në Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë, duke e vështruar nga larg, çfarë mendoni se ka mbetur pa bërë në sektorin e shëndetësisë?

Shqipëria përgatitet të futet në BE dhe gjëja e parë është të kemi një legjislacion të përafërt me BE-në. Bëhet fjalë për reforma shëndetësore, politikat farmaceutike etj.. Pra që të ecë sistemi përpara duhet të ketë një dokument politikash.

____________________________

KUSH ËSHTË RUKI KONDAJ

Me profesion jam farmaciste, kam mbrojtur doktoraturën në Shqipëri, më pas masterin në Milano, për Menaxhim të Politikave Shëndetësore, duke bashkëpunuar me studiues, që janë emra të mëdhenj në fushën e shëndetësisë. Më pas kam studiuar në Kanada për çështjet Rregullatore të farmaceutikës dhe klinikës “Eusërç”, që ka të bëjë me zbulimin dhe zhvillimin e barnave, që nga molekula deri në daljen e barnave në treg, është një periudhë 15-vjeçare.