Dr. Qemal Lame: Arsimimi është e sotmja dhe e ardhmja e kombit

722
Sigal

Edukim dhe arsimim për të gjithë shoqërinë. Pa politizime ose edhe me politizime, por të bazuara në interesat kombëtare, këto janë jetike për të sotmen e të ardhmen e shqiptarëve.

Zëri i studentëve për arsimin, vështirësitë dhe sakrificat për të mbijetuar në kushtet e privatizimit të edukimit arsimor, meriton të dëgjohet e të reflektohet me përgjegjësi nga Qeveria. Janë në kundërshtim me kushtet e shoqërisë sonë dukuritë e çuditshme dhe revoltuese të midis kushteve të mira të krijuara për vuajtjen e dënimit dhe jetesës së studentëve. Qeveria dhe institucionet ndërkombëtare kanë investuar për mbrojtjen e garantimin e të drejtave të njeriut për të dënuarit. Ndryshimet kanë qenë të domosdoshme dhe vlerësohen. Por e drejta për arsim dhe jetesa e ndershme e dinjitoze e studentëve dhe nxënësve nuk mund të pranohet të jenë në gjendje më të ulët se ajo e atyre që kanë kryer krime dhe dëmtuar shoqërinë. Arritjet në arsim nuk plotësojnë nevojat e sotme dhe perspektivën e zhvillimit e të bashkimit të shqiptarëve në rrugën e integrimit euroatlantik.

Nuk ndodhemi në kushtet e dhjetorit 1990. Kanë kaluar 28 vjet dhe janë vendosur marrëdhënie të reja shoqërore. Dhjetori 2018 kërkon reflektim dhe ndryshim në bazë të mundësive reale dhe përgjegjësive kushtetuese që duhen përballuar nga shteti duke përcaktuar më drejtë strategjinë e zhvillimit kombëtar. I duan autostradat dhe rrugët moderne, por në radhë të parë duam edukimin, aftësimin arsimor e shkencor që të ndërtojmë autostradat e rrugët e komplikuara të trurit që na bën më reale botën në të cilën jetojmë dhe ta bëjmë ashtu si e duam dhe e meritojmë. Shqipëria ndodhet në periudhën e reformimit të gjithanshëm dhe anëtarësimit të plotë në NATO dhe së shpejti në Bashkimin Evropian. Edukimi dhe arsimimi janë sfida për mendjen, aftësinë për të vepruar dhe ndërtuar të sotmen e të ardhmen. Shqipëria realizoi pas çlirimit të vendit revolucionin e madh të edukimit e të zhvillimit kombëtar me arsimimin e mbarë popullit. Me ndryshimin e sistemit politik nga socializmi në kapitalizëm shpresoheshin me optimizëm revolucione në të gjitha fushat e jetës. Nuk ndodhi ashtu si ëndërrohej e shpresohej. U shkatërrua shteti, ekonomia, ushtria, arsimi etj. Veprimtaria subversive shkatërruese i shërbente dobësimit e falimentimit të shtetit dhe humbjes së shpresës nga populli shqiptar me qëllime të paramenduara nga politika shoviniste e shteteve që donin dhe vazhdojnë të veprojnë aktivisht kundër sovranitetit, integritetit territorial, aneksimit, asimilimit e deri zhdukjes së shqiptarëve, si vepron haptazi ultranacionalizmi antishqiptar grek, serb, maqedonas etj. Duke reflektuar në problemet madhore të shtetit e të shoqërisë së sotme, vlerësojmë domosdoshmërinë e mbrojtjes dhe zhvillimit të arsimit mbarëkombëtar. Fakt është se arsimi shtetëror i mëparshëm u shkatërrua bashkë me shtetin. U vendos përparësia e arsimimit privat, megjithëse populli ishte dhe mbetet shumë i varfër.

Arsimi privat është realisht biznesi më fitimprurës dhe më i fuqishëm në Shqipëri. Me këtë biznes janë të përfshirë direkt ose indirekt politika dhe politikanë të njohur. Nuk nënvleftësojmë dhe as të paragjykojmë kontributin e tyre. Por kërkohet reflektim dhe përshtatje me realitetin që nuk kënaq por revolton njerëzit e thjeshtë që vuajnë pasojat e papërballueshme. Ndodh edhe fenomeni i vetësakrifikimit për arsimin me idenë e së ardhmes më të sigurt. Biznesi në arsim mbështetet me dëshirë apo me imponim për ata që duan të arsimohen në kushtet që shteti nuk realizon në masën e mundshme e të domosdoshme detyrimet për arsimin publik mbarëkombëtar. Shteti shqiptar ka shumë prioritete në ndërtimin dhe zhvillimin e kapitalizmit e të demokracisë së sistemit perëndimor. Në këtë përparësi mbetet përsëri dhe është jetike sistemi arsimor dhe përgjegjësia e shtetit. Shteti ka përgjegjësinë për edukimin dhe arsimimin mbarëkombëtar dhe ka detyrimin kushtetues për ta përballuar. Arsimi privat ka rolin plotësues.

Këtë rol ka arsimi edhe në shtetet kapitaliste të demokracive perëndimore që kemi marrë si shembull dhe sipas këtij modeli po reformojmë kudo jetë, shoqërinë, mendjen e shqiptarit. Këtë reformim ta realizojmë duke ruajtur identitetin dhe interesat kombëtare.

Dëshirojmë që të vlerësohet me përgjegjësi situata e krijuar me protestat e studentëve, të mos bëhen politizimi e luftë politike nga interesa të njëanshme e të padrejta dhe të gjenden zgjidhje sipas detyrimeve kushtetuese për sistemin arsimor publik. Ndryshimi në idetë dhe funksionimin e sistemit duhet të bëhet pa u nënvleftësuar as roli ndihmës i arsimit privat. Arsimi privat të mos dominojë e të zhvillohet kaq masivisht duke rënduar mbi popullin si biznes fitimprurës në kushtet e varfërisë shoqërore dhe raporteve të padrejta publike dhe private. Të mos lejojmë më tej mangësitë që dëmtojnë interesat e njeriut, shoqërisë e mbarë shqiptarëve për arsimin publik. Të ruajmë dhe të zhvillojmë traditën e popullit e të shtetit që i kanë kushtuar vëmendje arsimimit dhe edukimit mbarëkombëtar.