Dr. Luan NIKOLLARI/ Shuhet në Romë, Dr. Ismail Boçari, patrioti që ndihmoi Shqipërinë edhe në emigrim

173

Homazh për një mërgimtar

Më 11 maj 2014, ndërroi jetë në moshën 97- vjeçare në Romë, shqiptari i ndershëm e patriot Dr. Ismail Boçari

Dr. Ismail Boçari  ishte një nga emigrantët më të vjetër në Itali  dhe i fundit i emigracionit politik të pas luftës me Eqrem Bej Vlorën, Ali Këlcyrën, Mentor Çokun etj..

Dr. Ismailin e kam njohur në vitin 1998, pas prezantimit që më bëri në Romë, miku im Spiro Proko, nga të vetmit miq atje, që i ka qëndruar afër xha. Ismailit deri në ditët e fundit të jetës dhe në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit.

Prej atij viti kam mbajtur kontakte me telefon e letra dhe nga ditët e gëzuara, kur vija në Romë, ishin takimet me xha. Ismailin, i cili kishte një dashuri e mall për Shqipërinë dhe çdo shqiptar; kishte kujtesë të freskët për gjithçka kishte jetuar në Shqipëri; histori të luftës dhe pas saj, si dhe të burrave të tjerë të emigracionit politik në Itali, histori të gjalla, të besueshme dhe pa retushime. Veprimtaria e tij në emigracion ishte shprehje e një njeriu që mbajti lart emrin shqiptar, me dinjitet të lartë kombëtar që mund të manifestonte një azilant politik në kushtet e Italisë, por dhe të represionit që rrezikonte pjesa e mbetur e familjes në Shqipëri. Është nderuar dhe vlerësuar me titullin “Giorgio Castriota Scanderbeg”, “Cavaliere” dhe është i regjistruar në listën e “Kavalierëve Kombëtarë të Italisë”

Ai nuk reshti së shkruari për Shqipërinë në shtypin periodik të Romës si “Pirro Mbret i Epirit”, “Rrënjët historike të shqiptarëve”, artikuj mbi gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë “Caino non si toça” (Kaini nuk mund të preket), “I diritti dell’Albania” (Të drejtat e shqiptarëve) si dhe plot artikuj të tjerë, “Naim Frashëri il grande poeta della riascita nacionale d’Albania”, (Naim Frashëri, poeti i madh i Rilindjes kombëtare shqiptare),  “Chi non vuole l’unitá dell’Albania? (Kush nuk do bashkimin e Shqipërisë), “L’Albania dalla dittatura alla democrazia” (Shqipëria nga diktatura në demokraci) etj., etj..

Me mundësitë dhe njohjet e tij, me ndërmjetësinë e Ismailit, janë dërguar ndihma për Kosovën, një kargo ushqimesh me një vlerë prej 2 milionë dollarë; ishte ndërhyrja urgjente pranë Qeverisë Pakistaneze prej ambasadorit të atëhershëm në Romë, zotit Ather Mahmood. Më 7 prill 1999 ai falënderon ambasadorin pakistanez dhe njofton Presidentin e Republikës në Shqipëri. Po kështu me ndërhyrjen e tij pranë Kryqit të Kuq Italian janë dërguar në Tiranë materiale kirurgjikale për Ministrinë e Shëndetësisë.

Me qëndrimin e tij në emigracion Ismail Boçari ka nderuar veten, familjen, krahinën  dhe vendin që e lindi dhe e rriti pavarësisht dallgëve dhe historive politike shqiptare prandaj ai meriton mirënjohje njerëzore dhe patriotike!

Dr.Ismaili në Shqipëri, ka vëllezër, nipër dhe mbesa dhe ata do të shkruajnë dhe plotësojnë historinë dhe biografinë e trungut dhe midis kësaj, në veçanti, për xhaxhin e tyre. Ky shkrim simbolik, i imi, është thjesht në njohjen dhe respektin e sinqertë për këtë mik dhe shqiptar të rrallë, që pata fatin ta njoh. Për këtë, besoj me mirëkuptojnë dhe ata që e lexojnë.

Dr.Ismaili u  preh në dhe’ të huaj, pa mundur të vijë në Shqipëri, por me mallin e pashuar për Shqipërinë dhe brenga që i mori me vete. I qoftë dheu i lehtë e i paharruar për të afërmit dhe miqtë e tij kudo që të jenë!

Kush ishte Dr.Ismail Boçari

Ismail Boçari është lindur në fshatin Tragjas në Vlorë, më vitin 1917, në shtëpinë e Shaban Maçit. Eshref Dano Boçari, i ati i Ismailit për shkak të kundërshtimit të politikës pushtuese të Italisë më 1920-n, së bashku me gruan, Mynevere Kamber Myrtaj, djalin e madh Njaziun, 7- vjeçar dhe Ismailin 3-vjeçar u internuan në Bishelie, në Bari, Itali. Shkollën fillore e kreu në Korfuz, ndërsa të mesmen në Shkollën Industriale më 1923-1933, në Fermo, Itali. Nga malli për vendlindjen u kthye në Shqipëri dhe më vitin 1933-1935 u regjistrua në gjimnazin shtetëror në Tiranë. Më 1935-n, në demonstratën e organizuar kundër Mbretit Zog, për  rrezikun që i kanosej Shqipërisë nga Shkolla Teknike dhe Instituti “Nana Mbretëreshë”, Ismail Dano dhe Petrit Dishnica u thirrën në hetuesi dhe u përjashtuan nga gjimnazi për 2 muaj, ndërsa Fejzi Rusi dhe Faik Miraku u burgosën disa kohë. Më 1935-1936, Ismaili u transferua në Liceun e Shtetit, Shkodër. Më 7 prill 1939 Ismaili gjendet në Shkodër dhe prej përndjekjes strehohet në Pukë dhe më pas rikthehet dhe përfundon maturën në qershor 1939. Më dhjetor 1939 regjistrohet në Fakultetin e Farmacisë në Bolonjë, ku dhe këtu vazhdoi aktivitetin kombëtar, duke qenë anëtar i Komitetit Antifashist të Studentëve të Bolonjës, një organizëm studentor që i kundërviheshin fashizmit.

Ismail Boçari është dënuar tre herë me vdekje. Herën e parë në fund të vitit 1942, janar 1943 me urdhër të gjeneralit italian Zanini, pas vrasjes se Qazim Koculit dhe prefektit të Vlorës, Lele Koçin, po atë ditë është arrestuar dhe Ismail Boçari, i cili u ndihmua nga një oficer shqiptar, i cili i tha të largohej urgjentisht së bashku me të vëllanë Njaziun dhe pas kësaj, u strehua në çifligun e Isak Mustafarajt në Babicë. Plani i Gjeneral Zaninit ishte të zhdukte të gjithë rininë e familjeve patriotike të Vlorës dhe shtyllave të patriotizmit. Me urdhër të tij u pushkatuan Mitaq Sallata, Astrit Kokoshi dhe Tol Bitri.

Herën e dytë, në tetor 1943, Ismaili u arrestua nga gjermanët së bashku me 53 burra të Vlorës dhe krahinës së saj. Atë radhë e shpëtoi fati, pasi lista ishte me emrin Ismet Dano, ndërkohë, dokumenti i Universitetit të Bolonjës ishte me emrin Ismail Boçari. Grupi i atdhetarëve e ndihmoi Ismailin të largohej për Tiranë e më pas për në Krujë. Hera e tretë, në Krujë. Ishte gushti i 1944-s, në ditë Ramazani, ku gjermanët për reprezalje do të pushkatonin  33 të rinj shqiptarë universitarë. Ismaili ishte së bashku me vëllezërit e vegjël Skënderin dhe Muhedinin. Asaj radhe i shpëtoi ndërhyrja e Xhafer Tagës dhe të nesërmen e mikut të familjes Eqerem Bej Vlora.

Ismaili, si person, ishte për Bashkim Kombëtar, por ai me intuitën e tij nuk u përfshi në asnjë grup të majtë si në vitet kur ishte student ashtu dhe më pas, kur ai u kthye në Shqipëri dhe u bë fuzioni. Përgjithësisht ai pati zhgënjim të madh nga mënyra si veprohej. Përfundimisht, ai ishte pa parti, por gjithnjë konsekuent në bindjet e tij për Shqipërinë e lirë nga pushtuesit. Ai vazhdoi veprimtarinë antifashiste pa u shmangur nga lufta e rreziqet duke kontribuar veçanërisht në shtypin dhe propagandën antifashiste.

Pas çlirimit të vendit, më nëntor 1948, Ismaili ishte student në Sofje, Bullgari dhe prej aty, u largua pasi nuk mund të jetonte dot me “rregullat” e diktaturës komuniste. Shkon në Kroaci, ku punoi si farmacist dhe prej aty, në Itali, ku u përkrah nga miqtë e familjes. Në Itali u detyrua të bëjë nga e para njohjen e diplomës universitare të farmacisë. Pas njohjes së diplomës ka punuar në industrinë farmaceutike në propagandën shkencore farmaceutike dhe Inspektor i Shoqërisë Farmaceutike EGIC, të Francës për zonën e Italisë Qendrore.

Asnjë shekull nuk mund t’i bëjë njerëzit e vet të lumtur, pasi koha dhe fati nuk u japin lavdi të gjithë bijve të vet. Dr. Ismaili ishte nga ata që ka sakrifikuar për interesat e vendit të vet. Mundi dhe puna e tij shumëvjeçare përfundoi pa kapitale dhe pa fitime, por ai mbetet njeri i nderuar sepse të gjithë energjinë e tij ai e drejtoi në luftën për të mirën përgjithshme. Azilantë dhe emigrantë të shumtë shqiptarë në disa vende si në Itali, Francë, Austri, Angli, Australi, SHBA me letërkëmbimet, ruajtën dashurinë dhe respektin reciprok, duke vlerësuar tek ai burrërinë, ndershmërinë dhe patriotizmin. Asnjë trill dhe vështirësi nuk e mplaku shqiptarizmin e tij të vërtetë që, gjithë kohës ai t’i kushtohej luftës për të mirën e Atdheut dhe bashkëkombësve të tij. Ky bir i Vlorës Plakë ishte nga ata që jetuan me faqe të bardhë në emigracion. Ndërsa shumica e njerëzve duan qetësinë dhe shmangen nga sakrifica, Ismaili ishte prototipi i njeriut të gatshëm për sakrifica në interes të vendit, që mbante fjalën e dhënë dhe i ndjeshëm ndaj lirisë dhe idealeve të larta fisnike. Ismaili me bindje të plotë pranoi rreziqet duke bërë sakrifica për ‘to. Dr. Ismaili diti të nuhaste që në fillim demagogjinë bolshevike, edhe kur ajo paraqitej me figurën e një bote të re dhe të përparuar. Në shënimet e tij ai midis të tjerave shkruan: “…bejlerë dhe agallarë dhe borgjezia jo vetëm që kanë luftuar me armë për të çliruar vendin, por gjatë luftës kanë shpëtuar nga litari dhe vdekja shumë nga djalëria shqiptare që luftonte për liri”.

Qëndrimi i tij në emigracion u karakterizua nga dinjiteti që buroi dhe u zhvillua në vazhdën e fisnikërisë dhe atdhetarizmit të familjes së tij pasardhës i trungut të Boçarëve të famshëm që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë dhe Greqisë. Njihet në histori prej shumë brezash dhe është materializuar në gurët e kalasë mesjetare të Gjon Boçarit në Tragjas, prej nga rrjedh familja e tij që e lindi dhe e edukoi, duke lënë pas emrin e shqiptarit të mirë të ndershëm e patriot.