Dr. Luan Nikollari/ Homazh për mjekun e shquar, Dr. Eftim Llazarin

785
Më datën 09 dhjetor 2015, pas një sëmundje të papritur, u nda nga jeta në moshën 71 vjeçare, një ndër kolegët tanë të dashur, Dr. Eftim Llazari. Dr. Eftimi lindi në qytetin e Korçës më 12 dhjetor 1944 në një familje arsimdashëse, të ndershme, punëtore dhe patriote. Pas mbarimit te shkollës se mesme mjekësore në Politeknikumin Mjekësor, në 1971 përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë dhe u emërua shef i shëndetësisë së garnizonin e Korçës. Duke qenë mjek që kishte përfunduar studimet universitare me rezultate të larta, u përzgjodh dhe u dërgua për studime në Kinë në periudhën 1974-1975 për higjienë-epidemiologji. Pas specializimit emërohet përsëri në Korçë por tashmë si shef shëndetësie i Korpusit. Më pas emërohet në Spitalin Ushtarak në Tiranë si mjek higjienist në repartin e Higjienë-Epidemiologjisë Ushtarake ku qëndrori në këtë detyrë deri në 1983. Pas këtij viti emërohet drejtor i drejtorisë së Shëndetësisë në Ministrinë e Mbrojtjes deri në 1992. Me marrjen e kësaj detyre dhe në kushtet e një ushtrie me kërkesa te mëdha edhe në fushën e mjekësisë, iu kushtua me përkushtim punës duke rritur kërkesat në përgatitjen dhe kualifikimin e personelit mjekësor, organizimin dhe stërvitjen shëndetësore në kushte fushore për kohe paqe, katastrofa natyrore dhe natyrisht dhe për kohë lufte. Një kujdes të veçantë Dr.Eftimi si drejtues i lartë tregoi për kompletimin organik te njësive dhe spitalit ushtarak me personel të lartë mjekësor në përputhje me nivelin dhe kualifikimin dhe mbi të gjitha, specializimin pas universitar në masë të gjerë të mjekëve ushtarakë që deri në ato vite ishte i rrallë apo sporadik. Kjo gjë mbahet mend dhe sot në brezat e mjekëve ushtarakë që si meritë dhe vizion shumë i përparuar i Dr.Eftimit duke motivuar mjaft qënien “mjek ushtarak”. Njëkohësisht në periudhën e drejtimit të tij u bë e mundur hapja e spitaleve ushtarake në Divizione dhe në afërsi të spitaleve civile duke bërë të mundur një bashkëpunim të ngushtë civil-ushtarak që rriste më tej kualifikimin e mjekëve por dhe kujdesin shëndetësor ndaj ushtarakëve. Edhe gjatë kohës që ishte titullar i shëndetësisë në Ministrinë e Mbrojtjes, ai nuk u shkëput asnjëherë nga specialiteti i tij si mjek higjienist duke punuar për thellimin e mëtejshëm ne fushën e higjienës ushtarake me mjaft studime për kushtet në kazermë, në terrene e objekte të vështira për jetesë e stërvitje. Në periudhën e drejtimit të dr. Eftimit u evidentua një rritje e rëndësishme e punës profilaktike, mjekimit dhe aktiviteteve shkencore. Në 1992 Dr. Eftimi u transferua përsëri në Spital Ushtarak në detyrën e shefit të higjienës dhe epidemiologjisë ushtarake deri sa doli në pension në vitin 2004. Dr. Eftimin kam pasur fatin ta njoh si drejtor shëndetësisë kur unë sapo kisha filluar punë si shef shëndetësie në Delvinë. Në këto kohë dhe shumë vite më pas kur unë u transferova në Ministrinë e Mbrojtjes kujtoj doktor Eftimin në kontrollet dhe ekipet e ministrisë, vlerësimet e tij korrekte dhe inkurajimet që u bënte mjekëve të rinj. Vite me pas, pas specializimit tim, duke qenë të një fushe, të higjienë-epidemiologjisë kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë në punë dhe studime të përbashkëta dhe ku gjithnjë e kemi pasur udhërrëfyes në punë tonë, falë eksperiencës dhe profesionalizmit të tij të lartë. Edhe pas viteve 1990 Dr. Eftimi deri sa doli në pension ishte aktiv në fushën e vet dhe ku përsëri spikati duke integruar shërbimin shëndetësor të ushtrisë tonë me shërbimet homologe të ushtrive perëndimore. Me iniciativën e tij, shërbimi shëndetësor i ushtrisë shqiptare në vitin 1992 u pranua anëtar me të drejta të plota në Komitetin Ndërkombëtar të Mjekësisë Ushtarake (CIMM) si organi më i lartë i përfaqësimit të mjekësisë ushtarake në nivel botëror. Me pas gjatë punës në spital, spikat me studime shumë profesionale në fushën e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin fizik te ushtarëve gjatë shërbimit ushtarak. Në kohën kur isha drejtori i shëndetësisë në periudhën 2000-2006 kujtoj vlerësimet që ekspertët amerikanë që asistonin në ministrinë tonë për nivelin e lartë shkencor dhe studimor për studimet e Dr.Eftimit për normat dhe sigurinë ushqimore në ushtri dhe për të cilat pati vlerësime mjaft të larta. Dr. Eftimi u nda para kohe nga jeta duke lënë një boshllëk të madh në familje, vëllazëri, miqtë dhe shokët me të cilët punoi në gjithë këto vite pune e sakrifice në ushtri. Ai do të mbetet në plejadën e shkëlqyer të mjekëve ushtarake të pas viteve ’70, duke lënë një emër dhe kontribut të madh dhe të paharruar në shërbimin shëndetësor të Ushtrisë Shqiptare. Gjatë gjithë periudhës së punës së tij e deri në fund të jetës, ai u shqua për një ndershmëri dhe korrektësi shembullore, familjar model, i thjeshtë i dashur dhe njerëzor. Dr. Eftimi do të kujtohet me respekt në kujtesën e brezave të kuadrove të ushtrisë dhe të mjekësisë ushtarake për humanizmin dhe vlerat morale, të larta që i bëjnë nder atij dhe familjes së nderuar dhe respektuar.
Sigal