Dr. Hysen Kobellari/ Agjencia e tregut bujqësor, domosdoshmëri e kohës

748
Në fushën e qarkullimit të mallrave në bujqësi deri tani, nga të gjitha qeveritë është ndjekur një politikë liberale, duke e lënë në dorë të spontanitetit fatin e prodhimit bujqësor dhe të realizimit të të ardhurave të fermerit shqiptar. Për rrjedhojë në bujqësi vërejmë dy sjellje :

E para : Një pjesë e sipërfaqes së tokës nuk mbillet, për shkak se produktet e prodhuara ose nuk shiten, ose shiten me çmime shumë të ulëta dhe pa ndonjë fitim të ndjeshëm për fermerin;

E dyta : Prodhimet e mjaft fermave familjare,për shkak të mosshitjes në kohë ose prishen ose shiten më vonë, me çmime shumë të ulëta, nën kosto. Është e kuptueshme se sa humbje ka në kushte të tilla ekonomia e fermave bujqësore dhe ekonomia kombëtare në përgjithësi.

Për të mënjanuar këto humbje, që në vit shkojnë miliarda dollarë, bota ka përvoja shumë të vlefshme, që janë zbatuar pas studimesh mjaft interesante. Një ndër to është edhe krijimi i ATB (Agjencia e Tregut Bujqësor), për të cilin bën fjalë leksioni në vijim. Po kështu mund të rregullohet informaliteti… Për zbatimin praktik të politikave qeveritare për bujqësinë dhe mbarëvajtjen e tregut bujqësor është e domosdoshme krijimi i organizmave përgjegjës dhe efektivë. Një organizëm i tillë është këshilluar nga specialistët, krijimi p.sh. i Agjencisë së Tregut Bujqësor (ATB), e cila, siç tregon edhe përvoja e vendeve të lindjes, krijon kushte të mira për realizimin e politikave agrare efikase.

Organizëm i domosdoshëm
Këto vite të kaluara të ekonomisë së tregut në vendin tonë kanë provuar se çmimet e produkteve bujqësore e blegtorale, si dhe të atyre ushqimore të industrializuara me lëndë të parë bujqësore , kontrollohen nga mekanizmat e tregut spontan. Në këtë drejtim është ndjekur një politikë liberale. Kufizimi dhe mënjanimi për fare i subvencioneve, rritja e konkurrencës nga tregjet e huaja, dobësimi, dhe pse jo, shkatërrimi i lidhjeve të fshatit me industrinë përpunuese, liberalizimi i çmimeve, krijimi i monopoleve në tregtimin e inputeve dhe autputeve, etj., u shoqëruan me një nivel të ulët të të ardhurave të realizuara nga bujqësia përgjithësisht. Për rrjedhojë, përdorimi i inputeve bujqësore për njësi sipërfaqeje u ul në mënyrë drastike. Vetëm rreth 30 % e sipërfaqes së mbjellë me grurë, misër, patate, perime, etj. merr minimumin e nevojshëm për plehra azotike dhe vetëm rreth 15 % e tyre merr nevojat minimale për plehra fosforike. Humbjet nga mospërdorimi i pesticideve vetëm në bimët kryesore të arave arrijnë çdo vit rreth 40 milionë dollarë amerikanë, sipas përllogaritjeve të një studimi të kryer nga OECD para disa vitesh. Në të tilla kushte, ku tregjet bujqësore janë të pastabilizuara, zhvillohen në mënyrë kaotike dhe pa efektivitet, është e nevojshme të krijohen organizma që të orientojnë e të mbrojnë prodhimin bujqësor dhe rregullojnë tregun agrar. Këtij qëllimi i shërben krijimi i Agjencisë së Tregut Bujqësor (ATB).
Objektivat dhe detyrat
Objektivi kryesor i ATB, konsiston përgjithësisht në stabilizimin e tregjeve të produkteve të fermës dhe të mbrojë të ardhurat nga bujqësia. Madje, sipas përvojës së vendeve të tjera, krijohen mundësitë që Agjencia të mund të menaxhojë edhe rezervat ushqimore shtetërore. ATB mund të ketë autonomi të gjerë, si për intervenimet (ndërhyrjet) e studiuara në tregjet bujqësore, ashtu edhe në zbatimin efikas të politikave shtetërore në këtë drejtim. ATB bëhet faktor tregu. Karakteristika bazë për veprimtarinë e ATB është fakti se ajo duhet të intervenojë në treg nëpërmjet mekanizmave të tregut, me anë të mbështetjes dhe rregullimit të kërkesës dhe ofertës, në vend të përdorimit të kanaleve dhe mekanizmave administrativë. Mbi bazën e politikave qeveritare ajo mund të vendosë për çdo sezon prodhimi e shërbimesh dhe për produkte që shikohet e nevojshme, çmime minimum për të stabilizuar çmimet e tregut.
Funksionet më të rëndësishëm të ATB mund të jenë :
– Ndërhyrja në blerjen e produkteve bujqësore ose ushqimore, për t’i magazinuar ose për t’i shitur në tregjet e brendshme apo të jashtme, me synimin që të arrijë stabilizimin e çmimeve të produkteve bujqësore e blegtorale.
– Akumulimi i rezervave të tepërta të produkteve bujqësore e blegtorale dhe menaxhimi i rezervave shtetërore të ushqimit, madhësia e të cilave mund të përcaktohet me VKM (Vendim të Këshillit të Ministrave), në bashkëpunim me ATB.
– Mbështetja e firmave të reja që merren me tregtimin e produkteve që vijnë nga bujqësia, kryesisht me anë të sigurimit të garancisë së kredimarrjes, si dhe garanci për blerjen, magazinimin dhe eksportimin e produkteve të gatshme për treg.
– Analiza dhe parashikimi i problemeve që lidhen me tregjet e produkteve bujqësore. Mbledhja e të dhënave, formulimi i propozimeve dhe ndërmerr iniciativa për zhvillimin e infrastrukturës së tregut, si dhe studion përmirësimin e operacionet e tregut agrar në vazhdimësi. 
Sipas rrethanave dhe nevojave ATB mund të kryejë edhe funksione të tjera që kanë të bëjnë me shitblerjen e inputeve dhe autputeve të bujqësisë.
Financimi
ATB në vetvete, nga pikëpamja juridike dhe organizative mund të jetë Trup Korporate.
Ajo mund të financohet nga dy burime kryesore :
– Buxheti i shtetit, nëpërmjet planifikimit që i bën Ministria përkatëse;
– Të ardhurat e saj, të nxjerra nga veprimet eficente në treg.
Agjencia do të ketë të ardhurat dhe shpenzimet e saj, si shpenzimet për aktivitetin, për blerje të prodhimeve bujqësore dhe ushqimore, shpenzime për transport, pagesa në avancë për produkte të kulturave të ndryshme, shpenzime për magazinime, për importe, për efekt të rezervave shtetërore, subvencione të mundshme të eksporteve për produkte të veçanta,etj. 
– Sistemi i ndërhyrjes në çmime
Theksuam se një nga detyrat kryesore të ATB është stabilizimi i çmimeve për produktet bujqësore. Për këtë qëllim ajo mund të përdorë efektivisht intervenimin në politikën e çmimeve. Intervenimet lidhur me rregullimin e çmimeve nuk kanë asnjëherë karakter administrativ, d.m.th. ato nuk zëvendësojnë rregullimin e çmimeve nëpërmjet kërkesë – ofertës, por shërbejnë si mjete shtesë, duke rregulluar balancat e humbura përkohësisht. Këshillohet që Agjencia, për të arritur objektivat e saj mund të përdorë dy kategori çmimesh :
– Çmime minimum të garantuara
– Çmime intervenuese (ndërhyrëse,rregulluese)
– Përcaktimi i çmimeve minimum, si nivel dhe sipas produkteve ( sigurisht në nuk mund të përfshihen të gjitha produktet ), mund të bëhet me VKM nga qeveria. Por kjo mund t’i lihet në kompetencë edhe Agjencisë, konkretisht niveli i çmimeve, por jo emërtesën e produkteve, duke pasur parasysh resurset në dispozicion, çmimet e tregut dhe kostot e produkteve. 
ATB për të marrë vendime sa më të drejta, mund të marrë kontakt me përfaqësues të fermerëve lidhur me caktimin e çmimeve minimum. Pas kësaj, çmimet minimum paraqiten në Këshillin e Ministrave dhe pas miratimit atje, bëhen të njohura publikisht. Këto çmime janë të vlefshme për një periudhë njëvjeçare, e cila konsiderohet si periudhë tregtare. Kjo periudhë mund të jetë nga 1 marsi deri më 28 shkurt të vitit tjetër. 
Çmimi minimum përcakton kufirin e poshtëm (dysheme) të fluktuacionit të çmimit të tregut. Limiti (kufiri) më i lartë i çmimit minimum është çmimi i inputit (c.i.f. plus tarifat). Rritja në nivelin e çmimit minimum duhet të lidhet me tarifat sasiore mbi inputet, të caktuara nga ATB.
Me qëllim që të mbulojë çmimin minimum, Agjencisë do t’i duhet të përcaktojë nivelin e çmimeve të intervenimit që, si rregull, janë më të larta se çmimet minimum.
Intervenimi në treg (për të blerë ose shitur) bëhet për të parandaluar lëvizjen e papritur të çmimeve të produkteve të fermës, e cila ka ndikim direkt mbi të ardhurat e saj, çka shoqërohet me vendime jo të drejta, jo racionale të prodhimit, duke ndikuar për keq në nivelin e ekonomisë kombëtare. Aktualisht, duke e lënë fshatarin në mëshirë të lojës së tregut, do të ketë një lëvizje të madhe në strukturën e mbjelljeve, duke pakësuar sipërfaqen dhe prodhimin në kultura të rëndësishme për ekonominë kombëtare dhe për të ardhurat e vetë fermerëve. Kështu, nga njëri vit në tjetrin ka pasur pakësime të mëdha të sipërfaqeve të mbjella dhe të korrura me grurë, panxharsheqeri, duhan, etj. Sipas të dhënave të marra nga vrojtimi statistikor për një vit, të ardhurat mesatare për fermë në të holla dhe jo në të holla, nga aktiviteti bujqësor ka qenë 1219 dollarë, ose rreth 1000 euro.

Agjencia në përgjithësi fillon ndërhyrje në treg për blerje, kur çmimi në treg është më i ulët se çmimi intervenues dhe i shet pastaj produktet e magazinuara, kur çmimi i tregut është pak më shumë se çmimi intervenues. Sikurse shihet, rëndësi të veçantë ka përcaktimi i nivelit të çmimeve të intervenimit. Niveli i lartë i tyre pengon aktivitetin e industrisë përpunuese dhe biznesit tregtar agrar, pasi operacionet e tyre shpesh varen nga kredia e marrë për të blerë e magazinuar produkte. Nivelet e larta të çmimeve të intervenimit janë të mirëpritura nga fermerët, por bëhen shkak për kosto të larta në sektorë të tjerë të ekonomisë, duke përfshirë përfundimisht konsumatorët dhe taksapaguesit. Në rastet kur ekziston mbiprodukt i vazhdueshëm, pra një ofertë e tepërt, Agjencia mund t’i shtrijë operacionet e saj edhe në tregun e jashtëm. Shkëmbimet tregtare duhet të jenë të tilla që të nxitin ruajtjen e përpjesëtimeve të përcaktuara midis çmimeve të tregut të brendshëm dhe atij të jashtëm. Niveli shumë i lartë i çmimeve intervenuese, me referencë joreale të çmimeve botërore pengon përmirësimin e efektivitetit ekonomik të bujqësisë dhe shkëmbimeve të jashtme. Nga sa theksuam dhe argumentuam më lart, kuptohet, se çmimet e tregut do të lëvizin rreth çmimeve intervenuese, prandaj aktiviteti i ATB – së ka ndikim të madh në stabilizimin e çmimeve të tregut dhe sjell të ardhura më të rritura për fermerët. Zbatimi praktik i aktiviteteve nëpër rrethe, mund të kryhet nga sipërmarrje të ndryshme, por të lidhura me Agjencinë me kontrata zyrtare. Kjo shtrirje patjetër që kërkon përmirësime në lidhje me bankat, me infrastrukturën tregtare, etj.
Sigal