Dr. Bujar Leskaj: Sfidat e modernizimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ballafaqimi me përvojat më të mira rajonale

601
Sigal

Kriza e fundit financiare,
ekonomike dhe buxhetore botërore dhe sfidat e kohës në përpjekjet për përmirësimin
e menaxhimit të financave publike dhe sigurimin e mirëqeverisjes, kanë rritur pritshmëritë
e qytetarëve dhe Parlamenteve lidhur me kontributin tonë si institucione supreme
të auditimit publik. Këto pritshmëri vendosin përpara nesh detyra serioze për
ta bërë situatën financiare të Shtetit transparente, si dhe për të dhënë
rekomandime se si fondet publike mund të përdoren në mënyrë më efektive dhe
efiçiente dhe se si korrupsioni mund të luftohet, me qëllim që të ruhet
zhvillimi i qëndrueshëm, veçanërisht qëndrueshmëria fiskale.

Një nga mjetet më të efektshme që
na ka ndihmuar si SAI realisht shumë në gjithë komunitetin e INTOSAI-t në plotësimin
e  këtyre pritshmërive dhe në zhvillimin dhe
modernizimin e auditimit të jashtëm publik gjatë viteve të fundit, ka provuar të
jetë procesi i rishikimit mes kolegëve “Peer Review”. Në një prezantim në mars
të vitit 2015 në Parlamentin austriak, ish-Presidenti i Gjykatës Austriake të
Auditimit dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t, personaliteti poliedrik
i auditimit suprem, Dr. Josef Moser theksonte se “Rishikimet mes kolegëve janë mjete qendrore vullnetare për të matur përputhshmërinë
me standardet ndërkombëtare, për t’i bërë të dukshme fuqitë dhe dobësitë e një
SAI, bazuar në këto standarde, për të identifikuar fushat e veprimit të brendshëm
dhe të jashtëm, për të gjetur metodat për zgjidhjet, referuar dhe shembujve të
praktikave të mira, si dhe për t’iu përgjigjur pyetjes qendrore që lidhet me
institucionet e pavarura “Kush e auditon audituesin dhe institucionet e
pavarura mbikëqyrëse?
” 

Ky proces i ka ndihmuar gjerësisht
si SAI-t e zhvilluara edhe ato në zhvillim e sipër që të matin performancën e
tyre me praktikat e mira të institucioneve vlerësuese simotra, të identifikojnë
ose kuptojnë më qartë mangësitë dhe të gjejnë zgjidhje të efektshme për t’i
shmangur ato në të ardhmen.           

Në bazë të ISSAI-t  5600 “Udhëzuesi i Peer Review”, një proces
rishikimi mes kolegëve i ndihmon SAI-t
të jenë në përputhje me
standardet profesionale te pranuara ndërkombëtarisht të auditimit publik ISSAI,
si dhe me ligjet dhe rregullat kombëtare që qeverisin auditimin suprem. Nga ana
tjetër, shqyrtimi “Peer Review” u mundëson SAI-ve të vlerësuara  të arrijnë (a) siguri të arsyeshme për kryerjen e misionit; (b) të forcojnë qasjet e ndryshme në
auditim; (c) të identifikojnë
praktikat e mira të përdorura gjatë “Peer Review” që mund të shpërndahen më
gjerësisht; (d) të përmirësojnë ose
sigurojnë cilësinë e punës audituese; (e)
të aplikojnë mjete efektive të auditimit; (g)
të përmirësojnë ose sigurojnë cilësinë e menaxhimit dhe organizimit; (h) të identifikojnë dobësitë dhe
nevojat për trajnim;  (i) të konfirmojnë nëse manualet e
brendshme, politikat dhe procedurat janë në përputhje me Standardet
Ndërkombëtare ISSAI  dhe praktikat më të
mira ndërkombëtare; (j) të kursejnë
burimet në punën e SAI-t; (k)
përmirësojnë efektivitetin e auditimit; (l)
të rrisin numrin e raporteve të prodhuara dhe 
(m) të rrisë besueshmërinë e SAI-t
përballë palëve të interesuara.

Një rishikim mes
kolegesh ofron një mundësi unike për të shqyrtuar parimet themelore dhe
qëllimet e funksionimit të një SAI-dhe për t’i 
krahasuar ato me përvojën e SAI-ve të tjera. Dobia e procesit është e
dyanshme, si për SAI-n e vlerësuar ashtu dhe për SAI-n vlerësues. Komentet e
kolegëve janë përvoja të vlefshme si për ata që i japin dhe për ata SAI që
shqyrtohen dhe kërkojnë të gjejnë zgjidhje për problemet që kanë. “Peer Review”,
në këtë këndvështrim, është një proces mësimi. SAI-t në proces mësojnë shumë
nga njeri-tjetri, nga qasjet që përdorin në auditim, nga strukturat që kanë ndërtuar
dhe teknikat e prodhimit të raporteve dhe ndjekjes së rekomandimeve.

Gama e përfitimeve
nga procesi i rishikimit mes kolegëve është kaq e gjerë, sa shumëkush në
komunitetin e INTOSAI-t e ka zëvendësuar moton e organizatës sonë, duke e
perifrazuar atë, me shprehjen “Peer Review benefits all” (nga “Common
experience benefits all”), pra “Nga Rishikimi mes Kolegëve kemi dobi të gjithë”.
.

Praktika e
suksesshme e deritanishme e zbatimit  të “Peer
Review-ve” ka treguar se  SAI-t përfshihen
në këtë proces të thellë shqyrtues për arsye të ndryshme. Disa mund të
dëshirojnë të përmirësojnë procedurat dhe rezultatet e tyre, të tjera mund të dëshirojnë
të japin prova të mjaftueshme të standardeve të larta që rregullojnë auditimet e
tyre, të tjerët mund të dalin vullnetarë që të ketë një shqyrtim të kolegëve
nga një palë e jashtme, në përgjigje të disa kritikave të marra.

Ne si KLSH, jemi
përpjekur ta zbatojmë këtë proces sa transparent, të shëndetshëm aq dhe
modernizues për institucionin tonë, duke e parë si vijim i natyrshëm i të gjithë
punës së nisur për të zbatuar me përpikëri standardet ISSAI në veprimtarinë tonë
audituese.

Falënderojmë për
këtë Kuvendin e Shqipërisë, i cili me rezolutat e tij të viteve të fundit, na
ka orientuar drejt zbatimit të standardeve profesionale të fushës, të pranuara
ndërkombëtarisht.  Një kontribut thelbësor
që kemi marrë nga Kuvendi është miratimi prej tij në nëntor 2014, i Ligjit të
ri integral të KLSH-së, tërësisht në përputhje me standardet e INTOSAI-t dhe me
rekomandimet e Progres Raporteve të Bashkimit Evropian për Shqipërinë në fushën
e auditimit të jashtëm publik. Ky ligj na siguroi një mandat të gjerë auditimi
dhe liri të plotë veprimi në kryerjen e funksioneve kushtetuese si SAI.

Në zbatim të
orientimeve dhe rekomandimeve të Kuvendit, si dhe të strategjisë sonë të
zhvillimit 2013-2017, e rishikuar, kemi përkthyer shënimet praktike të ISSAI-ve
të auditimit financiar, standardet ISSAI e auditimit të performancës, të përputhshmërisë,
të teknologjisë së informacionit, duke përditësuar manualet respektive të
auditimit  dhe duke rritur me herë numrin
e ditëve të trajnimit, si dhe kontrollin mbi asimilimin e njohurive për
auditues mbi standardet ISSAI, gjatë një viti.

Jemi përpjekur të
modernizojmë institucionin tonë, duke përcaktuar qartë misionin dhe vizionin,
si dhe objektivat strategjikë të tij, planet dhe programet e auditimit. Kemi
kryer ndryshime strukturore, duke ngritur struktura që janë më funksionale
përmes Departamenteve të auditimit dhe Drejtorive, me qëllim përmbushjen e
misionit të KLSH-së  dhe përshtatjen me
kushtet dhe sfidat e reja. Kemi hartuar Rregulloren e re të institucionit në
përputhje me ligjin e ri. Në bazë të Deklaratës së Limës, ISSAI 1, konsideruar
ndryshe dhe si Manja Karta e SAI-ve, Neni 15, kemi rritur bashkëpunimin me
marrëveshjet e partneritetit me SAI-t Evropiane, mbështetja e të cilave ka
pasur ndikim në realizimin e objektivave tona dhe ky prezantim i sotëm i Raportit
të “Peer Review-së” është një tjetër dëshmi e këtij ndikimi tejet të dobishëm për
ne.

Miratimi i Ligjit të KLSH, hartimi i rregulloreve
të reja të përshtatura me hapësirat e reja të krijuara në auditim, hartimi i
manualeve sipas llojeve të auditimit, përmirësimi i sistemeve të teknologjisë
së informacionit, përdorimi i kompjuterëve modernë të punës dhe personalë për
çdo auditues, si dhe pjesëmarrja e gjere në trajnime brenda dhe jashtë vendit,
publikime të ndryshme profesionale dhe shkencore të KLSH, sollën atë që është më
e rëndësishmja në zhvillimin e një institucioni suprem auditimi, ndryshimin e
mendësisë dhe të qasjes në auditim, në përputhje me praktikat e mira evropiane
dhe me standardet e INTOSAI-t.

 

Dua ta theksoj edhe njëherë se hartimi i një ligji të ri të KLSH-së
solli një frymë të re kryesisht në qasjen në dokumentet zyrtare dhe në të
dhënat.
Hartimi
i manualeve të auditimit, të tilla si Manuali i Auditimit të Ligjshmërisë,
Manuali i Auditimit të Performancës, hartimi i Rregullores së re te Brendshme, i
Rregullores mbi Procedurat e Auditimit dhe i dokumenteve të tjerë standard të
KLSH-së, përfshirja e transparencës me publikun në materialet e auditimit,
publikimi i materialeve të auditimit në faqen zyrtare të KLSH-së, publikimet në
shtypin e shkruar dhe në atë elektronik kontribuon në një imazh të përmirësuar
dhe të rritur të institucionit pranë palëve të interesuara kryesore të tij,
qytetarëve dhe Kuvendit, shoqërisë civile dhe partnerëve vendas dhe të huaj.

 

Të gjitha këto
ndryshime, kishin një nevojë të kthyer në domosdoshmëri tashmë, për
institucionin tonë, që të ballafaqoheshin, të mateshin dhe krahasoheshin me një
gjykim profesional dhe të pavarur. Mjeti më optimal që vetë komuniteti i 191
SAI-ve anëtare të INTOSAI-t ka zgjedhur, pranuar dhe promovuar, për matjen e
performancës së një SAI është pikërisht rishikimi mes kolegëve.   

E kemi kërkuar
rishikimin mes kolegëve që në vitin 2012. Gjatë periudhës 2012-2014 u kemi shkruar
pothuajse të gjitha SAI-ve anëtare të EUROSAI-t që të na asistonin me kryerjen
e “Peer Review-së.”  Ishte një kënaqësi
dhe nder për ne që Gjykata e Auditimit e Austrisë, një nga SAI-t më me tradita,
më të zhvilluara dhe me kontribute të patjetërsueshme në komunitetin e
INTOSAI-t, pranoi vitin e kaluar që të ishte vlerësuesi ynë në procesin “Peer
Review”, në partneritet me Gjykatën e Llogarive të Moldavisë.

Më lejoni të
them dy fjalë për vlerësuesin tonë kryesor, Gjykatën e Auditimit të Austrisë. Është
një SAI me tradita shumë të vjetra dhe të vyera në auditimin shtetëror, që
daton që nga viti 1761. Pra 255 vite më parë. Është një SAI që ka të gërshetuar
në mënyrën më perfekte vlerat e traditës me qasjet moderne në auditim. Që
zhvillon auditime cilësore si të përputhshmërisë, financiare, ashtu dhe të
performancës dhe të teknologjisë së informacionit. Një SAI që mban selinë e
“qeverisë” së organizatës së INTOSAI-t, Sekretariatit të saj të Përgjithshëm.
Presidenti i Gjykatës Austriake të Auditimit është edhe Sekretari i Përgjithshëm
i INTOSAI-t. Nga gjiri i ekspertëve dhe audituesve më me eksperience të SAI-t
austriak lindin shumë nisma dhe veprimtari me rëndësi parësore për komunitetin
e INTOSAI-t. Gjykata e Auditimit të Austrisë është e angazhuar në një bashkëpunim
intensiv dypalësh me shumë SAI partnere në Evropë dhe në botë, si dhe
kontribuon në grupet e punës më të rëndësishme të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t. Ajo
po ashtu bashkëpunon në mënyrë të suksesshme edhe me Kooperacionin Austriak për
Zhvillim (ADA), shprehur edhe në këtë Raport Rishikimi mes Kolegëve. Shpreh
bindjen se bashkëpunimi ynë si KLSH me Gjykatën e Auditimit të Austrisë do të
vijojë të thellohet edhe në të ardhmen.    

Kryerja e një “Peer
Review-je”, e një shqyrtimi të hollësishëm mes kolegëve është një detyrë shumë
e ndërlikuar, që kërkon burime, cilësi të lartë dhe një kohë të konsiderueshme.
Dua të falënderoj thellësisht dhe në emër të të gjithë audituesve të KLSH-së të
dy SAI-t që pranuan dhe realizuan procesin, Gjykatën e Auditimit të Austrisë
dhe Gjykatën e Llogarive të Moldavisë.

Më lejoni të
vlerësoj lart po ashtu përzgjedhjen e tyre për të kryer rishikimin mes kolegëve,
bazuar në tetë parimet e pavarësisë, sipas Deklaratës së Meksikës, dhe pikërisht
në (1) ekzistencën e një kuadri efektiv ligjor, (2) pavarësinë e drejtuesve dhe
anëtarëve të SAI-t, (3) një mandat të gjerë legjislativ dhe liri të plotë
veprimi në kryerjen e funksioneve të SAI-ve; (4) qasjen e pakufizuar në
informacion; (5) të drejtën dhe detyrimin për të raportuar mbi rezultatet e
auditimit; (6) lirinë për të vendosur mbi përmbajtjen dhe kohën e raporteve të
auditimit; (7) ekzistencën e një mekanizmi për ndjekjen e zbatimit të
rekomandimeve dhe (8) autonominë financiare/menaxheriale/administrative dhe burime
të përshtatshme.

Kjo qasje
siguroi një rishikim të plotë të vlerave dhe efektshmërisë së auditimeve dhe
raportimeve të KLSH-së, transparencës, përputhshmërisë me standardet ISSAI, si
dhe dobishmërisë së raporteve dhe partneriteteve të institucionit me
institucione dhe organizata simotra, të fushës shkencore dhe akademike, apo të
shoqërisë civile. Rekomandimet e këtij Raporti “Peer Review” do të përbëjnë për
ne në të ardhmen e afërt një plan konkret pune, i cili do të ketë objektiva,
masa që do të merren për zbatimin e rekomandimeve, afate kohore dhe kosto shumë
të qarta. Këto rekomandime jo vetëm na ndihmojnë konkretisht në realizimin e
objektivave tona strategjike, por shtojnë besimin dhe motivimin tonë se jemi në
rrugën e drejtë dhe po ecim në përputhje me orientimet e standardeve të
INTOSAI-t.

Falënderoj
stafin e ekipit të “Peer Review” për përkushtimin dhe profesionalizmin
maksimal, për dashamirësinë dhe komunikimin e ngrohtë në intervistat dhe
bisedat me stafin e KLSH, të cilat ishin një vlerë e shtuar jo vetëm në planin
institucional, por edhe në atë individual të çdo audituesi të KLSH.   

Theksoj se
konkluzionet dhe rekomandimet e këtij raporti vlerësimi, duke certifikuar
arritjet dhe progresin e bërë të institucionit, nuk na japin aspak të drejtën për
të abuzuar me pavarësinë tonë. Kemi kërkuar disa herë që Kuvendi i Shqipërisë të
na caktojë një auditues të jashtëm të pavarur, për të audituar llogaritë tona.
Jemi të bindur se ky proces gjatë këtij viti po shkon drejt përfundimit.

Sikurse e ka thënë
edhe Audituesi i Përgjithshëm i GAO-s Amerikane, z. Gene L. Dodaro, “ne nuk bëjmë
politika, por auditojmë rezultatet e zbatimit të tyre”.

I jemi mirënjohës
Kuvendit për orientimet e tij të fundit me Rezolutën e miratuar dy javë më parë
për punën e KLSH-se deri tani. Jemi gati që çdo keqkuptim ose opinion të
Qeverisë apo ndonjë përfaqësuesi të saj ndaj rolit dhe rekomandimeve të
institucionit suprem të auditimit në vend, ta sqarojmë plotësisht dhe në bazë të
standardeve ISSAI.

Rekomandimet e bëra
nga Raporti  i “Peer Review” i
konsiderojmë si detyra me përparësi absolute për t’u zbatuar nga ne. Ato na bëjnë
edhe më shumë përgjegjës për të ndjekur me devotshmëri rrugën e nisur të
modernizimit dhe shndërrimit të audituesve të KLSH në një trupë moderne
auditimi, të pajisur me vlerat më të mira të SAI-ve të zhvilluara të vendeve anëtare
të Bashkimit Evropian dhe me integritetin më të lartë që na kërkojnë plotësimi
i detyrave dhe mandatit kushtetues, si dhe i pritshmërive të taksapaguesve
shqiptarë.