Dr. Bledar Kurti: Kini besim tek Ilir Meta!

749
Socialistët i kanë sytë për nga Ilir Meta me shpresën që të mos rrëzohet qeveria! Demokratët i kanë sytë për nga Ilir Meta me shpresën që të rrëzohet qeveria! Vetë Ilir Meta bën atë që di të bëjë më mirë: të ruajë stabilitetin e vendit, të thyejë status quo-në, të shohë për nga e nesërmja dhe jo e djeshmja, dhe të krijojë një rrjedhë normale të ecjes dhe zhvillimit të vendit. Katër vitet e fundit të qeverisjes meritojnë të vlerësohen si nga më të vështirat në dy dekadat e gjysmë post-komuniste. Kjo vështirësi në qeverisje është ndjerë dukshëm në ekonomi, zhvillim, infrastrukturë, shëndetësi, arsim, punësim, investimet e huaja, rend, siguri, dhe në shumë aspekte të tjera të shoqërisë. Por mbi të gjitha, ka qenë një katër vjeçar tejet i vështirë politikisht, pasi me të ardhur në krye të vendit, Partia Socialiste nisi menjëherë implementimin e agjendës së saj të fshehtë për të qeverisur e vetme. Dhe kjo u pa dukshëm në shënjestrimin ndaj drejtorëve të LSI, aleates së saj kryesore në qeverisje; në inskenime për të dëmtuar imazhin e kreut të LSI, Ilir Meta; në tentativën për të modeluar një reformë në drejtësi e cila pa asnjë dyshim do i shërbente Kryeministrit dhe qarqeve të caktuara të tij; në uzurpimin e shumë mediave kryesore në mënyrë që të vihej nën kontroll edhe pushteti i katërt, dhe të përdorej pa drojë për propagandë dhe anti-propagandë; dhe së fundmi me arrogancën e verbër të pushtetit për të shkuar në zgjedhje e vetme pa opozitën, i cili do ishte vendimi më anti-demokratik dhe i paprecedent në historinë moderne të kontinentit evropian. Për shkak të kësaj agjende për të uzurpuar të gjitha hapësirat politike dhe institucionale, e shoqëruar me ngarkime të bujshme e shkarkime në heshtje të ministrave, drejtoreshave të doganës dhe tatimeve, e shumë qëndrime të çuditshme politike, me dorëheqje e rikthime në bashki e qeveri, me deputetë shumë emërsha dhe mbarim liste të përfaqësimit (ajo në Lezhë), anija e qeverisjes Rama ka rrezikuar të fundosej disa herë. Dhe cila ishte spiranca që nuk e lejoi anijen e Ramës të drejtohet kuturu apo të mbytej? Sigurisht Ilir Meta. Ndryshe nga Rama, Ilir Meta është lektor në politikën shqiptare dhe nuk ndërmerr asnjë aksion politik bazuar mbi eksperimentin por mbi eksperiencën. Dhe si lektor, Meta i njeh fare mirë parimet thelbësore të politikës dhe qeverisjes, ndër të cilat më kryesorja është që demokracia e një vendi matet jo nga maxhoranca, por se si maxhoranca respekton pakicën, pra opozitën. Ndaj edhe Meta është treguar gjithmonë pionier i konsensusit të gjerë të politikës, si gjatë vitit të kaluar për reformën në drejtësi ashtu edhe gjatë javëve të fundit për çështjen e zgjedhjeve të 18 qershorit. Disa e titullojnë Metën si lojtar i shkëlqyer shahu. Përtej maturimit politik të tij duhet përmendur që edhe Rama apo Basha tentojnë të luajnë shah por problemi qëndron se gurët e tyre, për qëllime të caktuara, janë të ngjitur në fushë duke mos bërë asnjë lëvizje. Dhe kur tentojnë të lëvizin me forcë të shtyrë nga rrethanat apo emocionet ata prishin si gurët e tyre ashtu edhe të kundërshtarit. Po të bëjmë një paralelizëm midis fushës së shahut dhe vendit, kjo është arsyeja përse Shqipëria ose qëndron në vend numëro pa bërë progres, ose trazohet menjëherë vetëm me një lëvizje të sforcuar. Ndryshe nga politikanët e tjerë, Meta hap gjithmonë një kapitull të ri. Ai që dëshiron t’i shërbejë atdheut, thotë një shprehje e mençur, nuk duhet të ketë vetëm aftësinë për të menduar por edhe vullnetin për të vepruar. Ndaj, dhe LSI ka qenë e vetmja forcë politike, e cila pavarësisht statusit të saj si pjesë e mazhorancës ka dalë gjithmonë në mbrojtje të kategorive të ndryshme shoqërore, si për shembull studentëve, biznesit, shtresave në nevojë, mbrojtjes së integritetit të bluzave të bardha, fermerëve, etj. Dhe mbi të gjitha, ishte LSI ajo që ka zhvilluar betejën kryesore publike kundër kanabizimit të vendit, dhe shkëputjes së këtij fenomeni me procesin zgjedhor që pritet në qershor. Meta është një lider agresiv, por agresiv në ide dhe jo veprime apo retorikë. Ndërsa prej vitesh Rama ka kërcënuar opozitën, mediat, dhe madje vetë BE-në në disa raste, ndërsa Meta e ka ftuar opozitën për dialog, nuk i ka kontrolluar por ka bashkëpunuar me mediat, dhe ka qenë gjithmonë nxitës për plotësimin e reformave për integrimin në BE. Për këto arsye dhe atribute shtetarie, si socialistët ashtu edhe demokratët do donin vërtetë që lideri i tyre ti ngjante sado pak Metës. i matur kur lypset maturia; i guximshëm kur lypset burrëria; dhe më se i aftë kur lypset shtetaria. Shqiptarët duhet të kenë besim tek Meta në këto ditë vendimtare për të ardhmen e vendit, sepse nuk ka dyshim që do bëjë atë që di të bëjë më mirë: lëvizjen e duhur dhe gjënë e duhur!
Sigal