Dr. Balla: Shkak për abortet, mosha e vogël dhe shtatzënitë jashtë martesore

1189
Sigal

Elbasan / Shefi i Shërbimit në Maternitetin e Elbasanit, z. Resmi Balla: Aborti, një fenomen me përmasa të frikshme

Muajt e fundit në spitalin Obstetrik-Gjinekologjik në Elbasan janë regjistruar rreth 140 raste të abortit, një numër në rritje ky, krahasuar me një vit më parë. Lajmin e bëri të ditur gjatë një  prononcimi për gazetën “Telegraf”,  shefi i shërbimit në maternitetin e Elbasanit, z. Resmi Balla. Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se: “Nga këto raste, 68 paraqiten aborte spontane, ndërsa 72 janë kryer me ndërhyrje sipas dëshirës së pacientëve pasi kanë qenë shtatzëni të padëshirueshme, por ka dhe shumë shtatzëni jashtë martesore dhe sidomos moshat 18-20 vjeç”. Gjithashtu,- theksoi më tej dr. Balla,- ky fenomen është tepër i rrezikshëm për shëndetin e femrave, veçanërisht për ato femra, të cilat lindin për herë të parë, pasi mund të çojnë dhe në moslindje të tjera duke rrezikuar që të mos lindin fëmijë për gjatë gjithë jetës. “Për këtë arsye u bëj thirrje të gjitha vajzave të reja të kenë kujdes në këtë drejtim për të mirën e tyre që ta gëzojnë dhe ato mëmësinë”, u shpreh dr. Balla . Sipas Ballës, arsyet se përse ndodh ky fenomen janë të shumta, si shtatzënitë e padëshiruara të gjimnazit, nga pakujdesia e tyre gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale, si dhe gratë e martuara nga mbetja shtatzënë e padëshiruar, duke pasur dy apo 3 fëmije dhe nuk duan më. Nga ana e mjekëve këshillohet që ky fenomen mos të ndodhë në mënyrë artificiale, pasi rrezikohet jo vetëm jeta e femrave, por edhe rreziku për të mos patur më lindshmëri. Grupmoshat, të cilat e realizojnë më shumë abortin janë femrat nga mosha 20-35 vjeç, por nuk përjashtohen edhe moshat minorene, të cilat për shkaqe personale janë të detyruara të heqin fëmijën. Për të eliminuar sadopak këtë fenomen që ndodh, nga ana  e Qendrës  Këshillimore të Grave, herë pas here shpërndahen edhe fletushka për të propaganduar rrezikun që i kanoset femrave kur kryejnë aborte, në mënyrë që të minimizohet ky fenomen i rrezikshëm për femrat. Por, edhe në qytetin e Librazhdit, sipas informacioneve që gazeta “Telegraf”  ka siguruar,  ka një numër të konsiderueshëm abortesh. Ndryshe nga Elbasani, vajzat që nuk dëshirojnë ta mbajnë fëmijën, ikin dhe abortojnë nëpër rrethe të tjera si në Pogradec, Elbasan dhe Tiranë, për arsye se vetë Librazhdi është një qytet i vogël.