Dr.Apostol Kotani:Shqipëria, vendi i sigurisë për jetën e të gjithë hebrenjve që kërkuan strehim gjatë luftës

732
Sigal

Dje, 68 – vjetori i gjenocidit nazist, ndaj hebrenjve

Në vitet e luftës, sytë e hebrenjve u drejtuan nga Shqipëria, sepse, midis Shqipërisë dhe hebrenjve ishin vendosur marrëdhënie të ndërsjella, që në mijëvjeçarin e dytë, para erës së re, pra, qysh në kohën e ilirëve. Ishin marrëdhënie tepër miqësore dhe korrekte, që lanë gjurmë  reciproke, në marrëdhëniet e mëvonshme, ndërmjet dy popujve. Për këto marrëdhënie, flasin shkrime të autorëve antike  si: Apollodari, shkrimtar i madh grek, i shekullit të dytë, para Krishtit, Gjeografi Scymi, Zaharia Majani, historiani Meillet dhe Kohen, apo Josph Flavius, historian i shekullit të parë, etj., si dhe një sërë botimesh të huaja, që flasin për përhapjen e hebrenjve, nëpër Ballkan dhe në Shqipëri, si dhe për ndikimet e ndërsjella, midis tyre. Të tilla ishin edhe marrëdhëniet, me grupin e parë të hebrenjve, që zbritën në tokën shqiptare, në vitin 70-të, të erës sonë. Ishin një grup i marrë peng, nga Perandori Romak Titus, që pas një lufte pesëvjeçare  e pushtoi Izraelin dhe i mori, si shenje të fitores dhe për t’i përdorur si skllevër. Mirëpo, njëra nga anijet u përplas në bregdetin tonë të Jonit nga dallgët e detit, në zonën e Sarandës dhe u vendosën në fshatin Fterrë. Strehim dhe mikpritje gjetën në tokën shqiptare edhe grupet e mëdha, që erdhën në fund të shekullit të 15- të, të përndjekur nga inkuizicioni spanjoll dhe portugez dhe u vendosën kryesisht, në Vlorë, Berat dhe Elbasan. Një pjesë tjetër u vendosen në trojet shqiptare të përtej kufijve shtetërorë, si  në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Shkup, Manastir dhe në Selanik. Një numër i vogël erdhën edhe në Durrës, Lezhë, Danje e Gjirokastër. Grupe te tjerë, më të vegjël erdhën në gjysmën e dytë, të shekullit të 19-të, dhe në gjysmën e parë të shekullit 20-të.

 Për marrëdhëniet e mira  shqiptare –hebraike flet edhe konsulli amerikan, në Shqipëri  Herman Benrshtein, i cili ndërmori një studim në Vlorë dhe në Elbasan, në vitet 1932-1933, konkluzionet e të cilit, i botoi në “Buletinin e Përditshëm Çifut”, më 1934.

Ai ndër të tjera shkruante: “Në Shqipëri,  s’ka pasur problem me çifutët. Në këtë vend të vogël, të bukur të Adriatikut, nuk ka shenja  të diskriminimit të tyre, jo thjesht, se komuniteti çifut është i vogël, si numër, por sepse Shqipëria është një nga vendet e rralla, në Evropë sot, ku paragjykimet fetare dhe urrejtja racore nuk ekzistojnë, megjithëse shqiptaret janë te ndarë ne tre besime”. Jehona e marrëdhënieve të mira shqiptaro-hebraike, i kishte kapërcyer kufijtë e Shqipërisë. Është kjo arsyeja që kur filloi përndjekja e hebrenjve në Gjermaninë hitleriane, përfaqësues të Komuniteteve hebraike të Vjenës dhe Firences i paraqitën Komisariatit të Lartë për refugjatët pranë OKB-së, propozimin për të vendosur në Shqipëri, hebrenjtë e Gjermanisë, duke ofruar edhe 8 mijë franga ari, për të bërë investime për bonifikimin e Drinit dhe të Bunës. Por këto përpjekje në vitet 1934-1935 dështuan për shkak të ndërhyrjes së qeverisë fashiste të Italisë, që synonte të sillte kolonë italiane. Megjithatë, qindra hebrenj nga Gjermania, Austria, Polonia etj., në vitin 1938 dhe në fillim të vitit 1939, gjetën rrugë dhe mundësi dhe erdhën në Shqipëri, kush për kalim transit, kush si turist dhe kush për t’u vendosur në Shqipëri.

Por këto ardhje, patën jehone te gjere ne qarqet qeveritare italiane të kohës. Për këtë qëllim u morën dy vendime të posaçme, nga Këshilli i Ministrave, i pari më 28 janar, 1939 që vinte si kusht, që çdo hebre që hyn  në Shqipëri,  në çfarëdo forme të kishte me vete, 250 franga ari  dhe kur u pa, se ky kusht u plotësua prej hebrenjve, më 25 shkurt, 1939 me një tjetër vendim shuma u rrit në 500 franga. Dhe si kusht i dytë u vu që shteti që i kish lëshuar vizën të shënonte, në pasaportë që e pranonte të kthehej në atë vend. Këto vendime ju bënë të njohura përfaqësive diplomatike të Shqipërisë në Rome, Paris, Stamboll, Gjeneve, Bruksel, Vjenë, Egjipt, Beograd, Manastir, Shkup, Korfuz, Uashington, etj. Nën ndikimin e autoriteteve naziste, qeveria kolaboracioniste nxori një sërë urdhrash e vendimesh për të mos lejuar hyrjen e hebrenjve nga shtetet fqinje dhe për të nxjerrë jashtë kufijve shtetërore, brenda një afati të shkurtër gjithë hebrenjtë, që kishin mundur të hynin në Shqipëri. Por rrezik serioz, për hebrenjtë e Ballkanit dhe të Shqipërisë u krijua pas pushtimit nazist  të Jugosllavisë. Në këtë kohë, ne Shqipëri vërshuan edhe shumë hebrenj të tjerë, nga Kosova, Jugosllavia, Austria, Polonia, Bullgaria, Maqedonia, Greqia etj. Dhe kjo, falë ndikimit mbrojtës dhe mikpritjes së shqiptarëve.

Edhe ne Shqipëri hebrenjtë u vunë nën një kontroll të madh, sidomos nga kuesturat fashiste. Nuk munguan edhe propozimet e tyre, sidomos nga Kuestura e Beratit, e Kavajës dhe ndonjë tjetër, për arrestime hebrenjsh te dyshimte, apo për ti vënë nën një siguri të fortë. Me pushtimin nazist të Shqipërisë, për hebrenjtë u krijua një gjendje e rrezikshme, prej tyre u lëshuan urdhra për zbulim, kapjen dhe dorëzimin e tyre autoritetet naziste filluan kontrollet dhe përpjekjet e tyre për arrestimin. Në këto momente kritike për ta, u shfaq me tërë  madhështinë e saj, mikpritja dhe besa shqiptare që i strehoi, i fshehu, i pajisi me dokumente false, i lëvizi nga një bazë në tjetrën, nga qyteti në fshat dhe anasjelltas dhe nuk i la të binin në duart e nazistëve. Kështu nga qyteti i Tiranës u çuan në fshatin Zall-Herr, Shupal, Shëngjergj, Picall, Kodër-Kamzë dhe deri në Qafë-Muher të Dibrës. Ose, nga Berati, në fshatrat Molisht, Tozhar,Vrion, etj.. Nga Vlora, në fshatin “Tre-vellazën”, nga Durrësi, në Shkozet, etj.. Në këtë mënyrë Shqipëria u bë vendi unikal, në Evropën e pushtuar nga nazistët për shpëtimin e hebrenjve. Nga studimet e bëra, janë evidentuar rreth, 137 familje shqiptare brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë që kanë strehuar dhe shpëtuar hebrenjtë, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Dhe këtë e kanë bërë pa, as më të voglin interes material, apo moral, por vetëm, duke u udhëhequr nga traditat  shekullore të mikpritjes, besës, humanizmit dhe tolerancës. Por është për të ardhur keq, se ndonjë studiues, shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri, ia atribuon marrëveshjes, që gjoja, paskan bërë komanda gjermane në Shqipëri, me qeverinë e regjencës, për të mos i trazuar hebrenjtë e Shqipërisë. Kjo është, kategorikisht, e pavërtetë sepse asnjë komandë gjermane nuk mund të dilte mbi vendimet e Konferencës së Vanzës, që përmendëm më lart. Por më mirë t’ua lëmë të tjerëve vlerësimin për kontributin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve. Pasi u larguan nga Shqipëria, kush në fund të vitit 1944, dhe kush në fillim të vitit 1945, pothuaj se të gjithë hebrenjtë  e ardhur gjatë viteve të luftës. filluan t’i dërgojnë  përshëndetje falënderuese, Qeverisë Demokratike shqiptare dhe familjeve që i strehuan dhe shpëtuan. Kështu, Inxhinier Samuel Mandili, në një shkrim, dërguar dhe botuar në gazetën “Bashkimi”, në shkurt, 1945, shkruan se: “Gjithë izraelitët që erdhën në Shqipëri, shpëtuan në sajë të ndjenjave bujare të popullit shqiptar, që e quajti për detyrë morale, të strehonte dhe mbronte në shtëpi, si mysafirë çdo emigrant të persekutuar. Qëndrimi, aq i mirë, aq fisnik i popullit shqiptar, duhet të dihet dhe të nënvizohet, në mënyrë të posaçme, sepse meriton  mirënjohjen e mbarë botës dhe të çdo njeriu të kulturuar. Edhe fshatarët e varfër, kur dëgjuan se kishin ardhur njerëz të pafajshëm, të ndjekur nga nazistët, jo vetëm i pranuan në shtëpitë e tyre, por ndanë me ta  edhe kafshatën e tyre, të fundit…”. Kurse, Komiteti i hebrenjve të Jugosllavisë në letrën përshëndetëse që i dërgoi Qeverisë Demokratike  Shqiptare, në maj të vitit 1945, ndër të tjera i shkruante: “Mendimi i parë i hebrenjve të Jugosllavisë, fill pas  mbërritjes së tyre, nga Shqipëria, është që të shprehin entuziazmin dhe mirënjohjen e tyre, ndaj shqiptarëve të cilët mbajtën një qëndrim të admirueshëm në çastet më kritike, të jetës sonë, në kohën më të vështirë  të njerëzimit të qytetëruar.”

Dhe me poshtë thuhet: “Kur hebrenjtë e Jugosllavisë, Polonisë,Gjermanisë etj., shuheshin me gaze dhe mjete hekuri, nga nazistët, pa dallim burra, gra e fëmijë, në Ballkan ishte një popull, që u ngrit mbi çdo teori raciste dhe mbi qytetërimin perëndimor, populli hero dhe mikpritës i Shqipërisë. Vëllezërit tanë që u kthyen nga atdheu juaj na treguan se, familjet shqiptare i pranuan bujarisht, në shtëpitë e tyre, i mbrojtën nga çdo vështirësi dhe kurdoherë i njoftuan mbi rreziqet dhe përgatitjet kundër nesh, përgatitje, që edhe Shqipërisë i shkaktuan shumë plagë të rënda…”

Nga ana e vet, Nisim  Bahar,  i shpëtuar nga pushkatimi i sigurt, në fillim të viteve 50-të, i shkruante Zhulia Kantozit: “Jam në Ohër, kam dalë majë një bregu dhe po shikoj Pogradecin. Sa mall kam për atë vend. Sikur të kisha krahë të fluturoja do të vija ta puthnja tokën shqiptare që më shpëtoi jetën…”.  Dhe histori të tilla nuk kanë mbarim.