Dr. Agim Nelaj: Mjekësia veterinare jep alarmin se po zhduken bletët

3617
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, mjeku veterinar, Dr. Agim Nelaj: “Çfarë duhet të dijë dhe si të veprojë një bletërritës”

Mjekësia veterinare jep alarmin për bletarinë shqiptare. Ajo ndodhet në prag të kolapsit, vdekjes dhe zhdukjes. Në jug të vendit, por edhe në rrethe të tjera, po vihet re prekja e familjeve të bletëve nga sëmundja e varroatozës (riqnës). Ditët e fundit, në klinikat veterinare, po vihet re një vizitë e shumtë e fermerëve bletarë me qeska plastmasë, ku ka riqna dhe bletë të vdekura. Mijëra bletë po vdesin e qindra familje bletësh po zhduken. Fermerët bletar janë të shqetësuar për këtë situatë katastrofike, jo vetëm për ekonominë e tyre, por edhe si pasuri kombëtare. Lidhur me situatën e krijuar, ne biseduam me mjekun veterinar, Dr. Agim Nelaj, i cili paraqiti situatën shqetësuese në bletarinë shqiptare, si dhe masat që duhen marrë për daljen nga kjo situatë dhe shpëtimin e bletarisë. Çfarë duhet të dijë e si duhet të veprojë bletari në situata të tilla dhe programet strategjike të qeverisë për bletarinë dhe ruajtjen e ekosistemit.

Dr.Agimi! Kohët e fundit në klinikat veterinare të Sarandës po vihet re fluksi i vizitave të bletarëve, madje, me mostra plastmase në duar. Çfarë po ndodh me bletarinë dhe bletarët?

Bleta ka “armiq tradicional”, ata janë të njohur, por njeriu “dikur mik” po e vë në pikëpyetje zhvillimin normal të bletëve. Fillimi i kësaj vjeshte ka sjellë një situatë të vështirë për bletët. Më është dashur të kontaktoj me bletarë të trishtuar, të përlotur. Qeska plastmasë të mbushura me bletë të vdekura. Të  tjerë që po u zhduken bletët pa nishan.

Çfarë ka ndodhur?

Sëmundja e varroatozës (riqnës) po kërcënon seriozisht  bletoret në të gjithë vendin.

Çfarë është kjo sëmundje?

Tani, si shumica e pjesës tjetër të botës, ne duhet të përballemi me njërin prej parazitëve më shkatërrues të bletarisë. Ka ardhur koha, për ta njohur më mirë situatën. Kjo kërkon program qeveritare studimi me qëllim që të njihet gjendja dhe të mbahet në kontroll. Rruga e ndjekur deri tani është lënë spontanitetit. Vetëm një strategji kombëtare, ashtu si shumë vende të botës mund t’i bëj ballë kësaj murtaje. Varroatoza është tema më e rëndësishme e kërkimit në bletari në mbarë botën në 20 vitet e fundit. Sistemet që përdoren në vendet me bletari të zhvilluar duhet të implementohen tek ne. Ka një gamë të tërë konceptesh të reja, të tilla si: monitorimi, pragu ekonomike, koha e trajtimeve, rezistenca dhe mbetjet.

Dr.Agimi! A kemi vërtet një situatë të rënduar në kufijtë e kolapsit, në bletarinë shqiptare dhe a mund të na thoni diçka mbi sëmundshmërinë e bletëve në përgjithësi?

Do të doja ta bëja të qartë, ecurinë e mëtejshme të bletarisë (bletarët e mbarështojnë bletën në kohë të vështira). Është e qartë se bletarët po përballen me sfida serioze, që lidhen me përhapjen e sëmundjeve të ndryshme infektive dhe parazitare. Këto, së bashku me ndryshimet klimatike me zhvillimin e një bujqësie “të pastër” e të ngarkuar me pesticide, si dhe me kultivimin e monokulturave, kanë pasoja në zhvillimin e mëtejshëm të bletarisë. Në dallim nga gjallesat e tjera, bleta ka veçori që e bëjnë atë më të vështirë në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve. Ndërsa biologjia, fiziologjia, reaksionet biokimike dhe një alkimi e panjohur shpesh bie ndesh me ndërhyrje të pa menduara dhe të panjohur nga ana jonë. Për kolapsin është folur gjatë, ka mendime të ndryshëm që jo rrallë janë kontradiktor dhe përjashtues ndaj njëri-tjetrit.

Çfarë kujdesi duhet treguar dhe a mund të luftohet varroatoza?

Trajtimi me barna i bletëve, nuk mund të jetë thjeshtë një veprim spontan, personal i bletarit. Trajtimi veterinar i familjeve të bletëve qoftë për arsye parambrojtje ose për kurim kur janë të prekura nga sëmundje, kërkon kujdes dhe përgjegjësi. Së pari duhet të zbatohen kriteret e përgjithshme të përdorimit si dhe udhëzimet e veçanta. Nuk është normale, që të veprohet në kundërshtim me porosit e specialistit, apo rekomandimeve bashkëshoqëruese të barnave. Eksperienca personale, apo këshillimi me bletarë të tjerë që bien në kundërshtim me rregullat dhe porosit teknike, përbën sot një nga gabimet që  po e dëmton çdo ditë bletarinë. Fillimisht sqarojmë se sëmundja është e përhapur në  të gjitha shtetet. Asnjë prej tyre nuk ka mundur ta eliminoj sëmundjen. Ajo është bashkëshoqëruese e përhershme e bletëve. Por masat parandaluese e kufizojnë atë. Ajo nuk mund ta pushtoi familjen e bletës. Bleta duke patur përkrah bashkëudhtarin shekullor bletarin triumfon në luftën me këtë parazit vdekje prurës. Ne jemi në prag të një kolapsi në bletë, jo se bletarët nuk kanë përdorur barna për parandalimin dhe  kurimin bletëve. Tek ne importuesit e barnave veterinare kanë futur pothuajse të gjitha barnat që qarkullojnë në Europë e më tej për këtë sëmundje. Për përdorimin e tyre pa kriter, pa një rregull, përdoren të gjitha barnat njëherësh sipas preferencave individuale duke u nisur thjeshtë nga firmat prodhuese, e ka çuar bletarinë në situatë tepër të vështirë. Për ta sqaruar me shkoqur. Para 20 vjetëve, situata ishte tepër e vështirë nga shpërthimi i kësaj sëmundje. Përdorimi i një preparati (Apistan) i shpëtojë bletët nga vdekja. Por efekti ishte 5-6 vjet se filloi rezistenca ndaj tij. Gjendja filloj të keqësohej përsëri, bletarët përdorën disa lëndë, të cila e vrisnin pjesërisht parazitin, por dëmtonin edhe bletët. Pas kësaj u futën nga importi barna që kishin po të njëjtën lëndë si apaistani (fluvalinat), gjendja e keqësua më tej. Vite e fundit kurimi i sëmundjes u mbështet kryesisht mbi barna që kanë lëndë aktive (cumafos), një fosgforoorganik. Tre barnat kryesore Check Mite, CumaVar, cumafos (fosfororganik), kanë të njëjtë lëndë (cumafos). Këto barna qarkullojnë dhe përdoren dhjetë vitet e fundit. Eksperienca po tregon se këto e kanë humbur vlerën e tyre kuruese dhe para ndaluese. Paraziti ka fituar rezistencë ndaj tyre. Prandaj sëmundja parazitare varroatozë i ka pushtuar bletë. Bletarët duhet t’u drejtohen specialisteve të kësaj fushe. Në çdo zonë apo qendër, ka specialist të mirëfilltë të fushës së bletarisë, të cilët janë plotësisht të aftë t’i japin zgjidhje me qëllim që të bëhen provat për të vërtetuar nivelin e invazionit të parazitit për çdo bletore. Specialistët do tu orientojnë më tej për masat që duhen marrë për të minimizuar humbjet. Për më tej, bletaria duhet parë si një pasuri kombëtare me vlera të pa zëvendësueshme.

Çfarë po ndodh aktualisht dhe kush është sëmundja

Kolapsi i çrregullimit të kolonisë (ÇD) është emërtimi që i është dhënë sindromit të humbjes së familjeve të bletëve. Me sa duket, problemi duhet të jetë më serioz se ky emërtim, më shqetësues se vdekja e familjeve të bletëve në dekada. Dhe për t’i vënë pikën mbi i, ende nuk dihet me siguri se çfarë e shkakton atë, por studimet vendosin në qendër sëmundjen varroatozë. Ka mjaft studime dhe eksperimentime, të cilat hedhin dritë mbi faktorë negativë dhe mbi rrugët e parandalimit të tyre. Një gjë është e sigurt: për këtë çrregullim në botën e bletëve, përgjegjësinë e parë dhe të vetme e ka njeriu, me ndërhyrjet e gabuara në natyrë, që po e dëmtojnë rëndë çdo ditë ekosistemin. Vënia dorë mbi natyrën, prishja e marrëdhënieve natyrore, nuk mund të kalojë pa lënë gjurmë. Edhe dëmtimi i bletëve është një haraç që po i paguajmë natyrës. Bleta është nga të rrallat dhe të parat qenie të virgjëra të natyrës që i kanë ndjerë rëndshëm pasojat negative të dorës së njeriut. Riqna varroa (Varroa desktruktori) është një ekto- parazit i bletëve (Apis mellifera). Paraziti është shpërndarë në mbarë botën. Familja e bletëve pothuajse gjithmonë vdes brenda dy deri në tre vjet pas infestimit, nëse nuk trajtohet. Varroa është aktualisht dëmtuesi më i rëndë i bletëve i administruar në mbarë botën. Studimi i plotë i riprodhimit të saj, na lejon ta menaxhojmë më mirë këtë murtajë vdekje prurëse.

1-Për varroatozën e bletëve, ende nuk ka program shtetëror, si për sëmundjet e gjësë së gjallë (brucelozë, plasje etj.).

2-Barnat për parandalimin ose mjekimin, mund t’i fusë kushdo, mjafton të ketë licencë.

3-Barnat e futura janë përdorur dhe përdoren pa një kriter të caktuar.

4-Bletarët i përdorin barnat, pa e ditur efektin sipas viteve të përdorimit. Nuk zbatojnë rekomandimet që shoqërojnë barin.