DPT/Ja hapat që duhen ndjekur, për të nënshkruar një marrëveshje të pagesës me këste

165

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka rikujtuar të gjithë tatimpaguesit, të cilët kanë detyrime tatimore të papaguara dhe kanë plotësuar kushtet ligjore, se mund të nënshkruajnë me organin tatimor një Marrëveshje të Pagesës me Këste.

Sipas DPT, tatimpaguesi duhet të justifikojë paaftësinë likujduese të përkohshme financiare në mënyrë për të përfituar nga kjo lehtësi. Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore për një vlerësim tatimor të kryer.

Sipas njoftimit, marrëveshja për pagesë me këste nuk mund të lidhet për detyrimin tatimor të vetë deklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

DPT tha se këto lloj tatimesh por jo vetëm janë:

-Tatimi mbi Vlerën e Shtuar,
– Tatimi i mbajtur në burim,
-Tatim nga te ardhurat personale,
-Kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore
– Ndonjë lloj takse e cila llogaritet, mblidhet e mbahet nga tatimpaguesi

Sipas njoftimit, marrëveshja me këste nuk mund të zgjatet përtej fundit të vitit që pason vitin në të cilin është lidhur ajo. Në rastet e marrëveshjeve për pagesë me këste, tatimpaguesi paguan kamatëvonesat, por nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar.

Janë disa hapa që duhen ndjekur sipas DPT për të nënshkruar një marrëveshje të pagesës me këste janë:

Hapi 1
Kërkesë me shkrim drejtuar Drejtorisë Rajonale Tatimore nën juridiksionin e të cilës është regjistruar.

Hapi 2
Drejtoria Rajonale Tatimore brenda 10 ditëve njofton nëse kërkesa pranohet apo refuzohet.

Hapi 3
Nëse kërkesa pranohet, nënshkruhet marrëveshja për pagesë me këste të detyrimeve tatimore të papaguara. Kjo marrëveshje nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe nga drejtori i drejtorisë rajonale të tatimeve ose drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, vetëm nëse tatimpaguesi paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste.

DPT tha se me lidhjen e kësaj marrëveshje tatimpaguesit nëpërmjet modulit E-filing kanë të drejtën të ndjekin në kohë reale situatën e saj dhe të gjenerojnë “Urdhër Pagesën” e dedikuar vetëm për planin e pagesës me këste. Në këtë rast pagesa do të shkojë vetëm për periudhën / periudhat e përcaktuara në këstin e radhës.

Gjithashtu njoftimi tha se Administrata Tatimore ndërpret masat e mbledhjes me forcë, të mbledhjes së detyrimeve tatimore, por ajo nuk tërheq masën e vendosur për të siguruar pagesën e detyrimit tatimor. Nënshkrimi i një marrëveshje për pagesën me këste të një detyrimi tatimor, nuk ndërpret llogaritjen e kamatëvonesave për mospagim në afat të detyrimit tatimor të mbetur pa paguar.

Tatimpaguesi, ndaj pasurisë së të cilit ka dalë një vendim për vendosjen e masave të sigurisë qoftë në formën e barrës së sigurisë apo barrës hipotekore, në rastet kur pretendohet se zbatimi i masave të sigurisë nuk është ekzekutuar në mënyrë të rregullt, ka të drejtë të paraqesë ankesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore.