Dosjet e Kampit të Internimit dhe kryengritjes antikomuniste së Zhapokikës në Tepelenë, janë zhdukur më 1991

1148
Përparim HALILI 
Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit, fsheh fytyrat dhe krimet e ish-spiunëve që kanë uzurpuar kreun e administratës dhe politikës
Në vitet 1994-1995, mbi varret e 175 fëmijëve dhe 780 të rriturve të vdekur në kampin e Tepelenës, ish-qeverisja e viteve 1993-1995 ka ndërtuar pallate banimi për strehimin e ish-të dënuarve politikë dhe kolektorin qendror të ujërave të zeza të qytetit, pa bërë zhvarrimin që u kërkua me protesta prej familjarëve të viktimave
Futja në politikë e i ish-spiunëve të sigurimit dhe ish-xhelatëve të diktaturës, ka qenë skenar që në përzgjedhjen e krerëve dhe shtabeve drejtuese të partive politike gjoja “anti-komuniste” në vitet 1990-’91, të cilat u caktuan majtas, djathtas e në qendër sipas skemës “Katovica”, mbi të cilën u instalua demokracia false nga vetë krerët e diktaturës 
Para disa ditësh, Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), deklaroi se kishte nisur puna konkrete, për hapjen e dosjeve të ish-spiunëve të sigurimit. Ky institucion, jo vetëm për faktin që ka brenda zyrave të tij ish-spiunë sigurimi dhe bij e bija spiunësh, por për praktikat që ka nisur, mendoj se është fotokopje e 21 komisioneve sociale, politike, partiake e parlamentare, drejtorive, instituteve dhe qendrave kërkimore kukulla, të ngritura në këto 25 vite, për (mos)zbulimin e krimeve të diktaturës, nëpërmjet (mos)hapjes së dosjeve të ish-sigurimit. Këto institucione, nuk vepruan sipas ligjit, por u përdorën nga drejtuesit shtetërorë vetëm për “gjueti shtrigash”, për presione brenda llojit e ndaj kundërshtarëve dhe për të pastruar damkat e krimeve të tyre, që ishin “stamposur” në këto dosje. 
Fakti/25 vjet demagogji për (mos)hapjen e dosjeve…
Për të na krijuar bindjen se pas 25 vitesh demagogji “po bëhet drejtësi morale”, drejtorja e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të Sigurimit, zonja Gentiana Sula, përmendi vetëm numër e jo emra spiunësh dhe xhelatësh të diktaturës komuniste, jo funksione shtetërore që ata mbajnë aktualisht e prej 25 vitesh, si deputetë, ambasadorë, drejtorë të çdo niveli e sektori, prefektë, drejtues mediash, kryetarë qarqesh e bashkie, juristë, zyrtarë avokatë populli, shteti e privatë, noterë, prokurorë, gjyqtarë, këshilltarë, drejtues policie e ushtrie, bankierë, drejtues hetimi e kudo ku ka zyra shteti dhe shërbime publike… Ky është fakt dhe shqiptarët e dinë që ish-spiunët dhe ish-xhelatët e diktaturës dhe pasardhësit e tyre kanë në dorë drejtimin e vendit!

 Përse nuk i publikoni emrat e ish-spiunëve? 
 A mendoni se do të bëhet ky pastrim i zyrave dhe kupolës së shtetit, sipas listës që ju keni dërguar? 
 Nëse nuk veprohet nga drejtuesit e shtetit për largimin e tyre, a do t’i publikoni ju këto emra ish-spiunësh? 
 Në institucionet kompetente ku ju keni dërguar listën e spiunëve, a ka drejtues dhe zyrtarë ish-spiunë e ish-xhelatë të diktaturës?
I bëjmë këto pyetje, mbasi siç dihet, në Shqipëri ka qenë dhe është normë, që nuk bëhesh dot pjesë e shtetit dhe e politikës drejtuese, nëse nuk ke qenë ish-spiun sigurimi, ish-pjesë drejtuese e organeve ndëshkuese e torturuese të diktaturës, ish-rezident ose ish-vartës i shtetarit dhe politikanit ish-spiun e xhelat i diktaturës, ose nëse nuk je familjarë e pasardhës i tyre. Ky ka qenë kriter, qysh në përzgjedhjen e krerëve dhe shtabeve drejtuese të partive politike gjoja “anti-komuniste” në vitet 1990-’91, të cilat u caktuan nëpër pozicione majtas, djathtas e në qendër sipas skemës “Katovica” mbi të cilën u instalua demokracia false prej ish-kupolës komuniste e menaxhuar prej ish-sigurimit të shtetit! 
Dosjet e kampit të Tepelenës, janë zhdukur qysh në korrik 1991
Shefja e Autoritetit për Dosjet e Sigurimit, duke folur për ish-Kampin e Internimit të Tepelenës, tha: Nuk ka dosje! Është e vërtetë që nuk ka dosje për këtë ish-kamp internimi, nga më barbarët që ndërtoi ish-diktatura komuniste pas vitit 1945. Po rikujtoj diçka: Disa vite më parë, kam publikuar në një gazetë, dëshminë konfidenciale të një ish-sigurimsi, ish-komandant toge kampi, që çonte për dru zjarri në malin e Bënçës dhe Veliqotit, të internuarit, i cili më pas u bë pjesë e Degës së Punëve të Brendshme të Tepelenës, ku për “merita dhe përkushtim në zbulimin dhe ndëshkimin e armiqve të partisë”, shërbeu me një pagesë shtesë edhe pas daljes në pension, deri kur u shkri Sigurimi i Shtetit. Kisha menduar të bëja një libër “dossjer” për kampin e Internimit të Tepelenës dhe për Kryengritjen e Armatosur Anti-komuniste të gushtit 1948, të bërë banorëve të Zhapokikë-Luftinjë në Tepelenë. Më thanë, se personi që kishte dijeni për këto dosje, ishte pikërisht ai zyrtar sigurimi. Dëshmia e tij është kjo: “Dosjet e Kampit të Tepelenës dhe dosjet e kryengritjes së Zhapokikës, nuk janë më në Tepelenë dhe askush nga ne ish-shefat e vjetër, nuk e di se ku kanë përfunduar. Në mes të muajit korrik 1991, na erdhi një urdhër “sekret” nga Tirana, të cilin na e sollën dorazi dy “shefa sigurimi” nga qendra, që nuk na treguan as emrat, mbasi në urdhër ishte cituar me shkrim dore: “Zbatoni urdhrin, mos kërkoni të dhëna për personat që do kryejnë këtë detyrë të rëndësishme për fatet e partisë e të popullit”! Kështu u bë! Ata mbushën thasët me dosjet e Kampit të Tepelenës e të Zhapokikës, i ngarkuan në një makinë “IFA” të Gardës së Republikës mbi të cilën qëndronin 4 ushtarë dhe ikën në drejtim të Gjirokastrës! Ne që i kishim në ruajtje, sipas urdhrit, nuk na u tha se ku do t’i çonin, por vetëm hodhëm nga një firmë që vërtetonim transferimin e dosjeve në Tiranë dhe kaq! 
Kush i kërkoi këto dosje?
Këto dosje, në qershor të vitit 1991, na i kërkuan edhe drejtuesit e PS, PD e PR të Tepelenës e ca nga Gjirokastra, por ne nuk ua dhamë dhe nuk u treguam as vendin se ku ruheshin, megjithëse na kërcënuan me varje në litar. Me sa kuptova, kishin siklet nga ato dosje, mbasi ata që drejtonin këto parti kishin baballarët dhe familjarë e krushqi të tyre, që kishin shërbyer me detyra të ndryshme në Kampin e Internimit të Tepelenës dhe në përgjim, zbulimin, kapjen, torturimin, gjykimin dhe ekzekutimin e shumë kryengritësve të Zhapokikës”! 
Propozimi për ngritjen e memorialit në ish-kampin e Tepelenës dhe një fakt tronditës 
– Mbi varret e viktimave të ish-kampit të Tepelenës, janë ngritur pallate banimi për të përndjekurit politikë dhe kolektori qendror i Ujërave të zeza të qytetit
Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), zonja Gentiana Sulaj, deklaroi se në ish-Kampin e Internimit në Tepelenë, do të ndërtohet një memorial në kujtim të viktimave të këtij kampi të përbindshëm! Është një vendim që duhet vlerësuar, por ka një qëndrim që ka përdhosur këto viktima! Çfarë ka ndodhur? Për të strehuar ish-të përndjekurit politikë anti-komunistë, në vitin 1993 u vendos që pallatet e banimit për familjet e tyre, të ndërtoheshin në fushën pranë ish-kampit. Këtë vend, ish-të përndjekurit e kundërshtuan me forcë, mbasi në atë shesh gjendeshin (janë akoma) varret e të pushkatuarve dhe të vdekurve në këtë kamp nga sëmundjet, uria dhe punët e rënda në nxjerrje e transport gurësh dhe në prerje e transport dru zjarri, të cilat përdoreshin për ngrohje në zyrat e “pushtetit popullor”. Para nisjes së punimeve, shumë ish-të internuar në kampin e Tepelenës dhe familjarë të viktimave nga Laçi, Mirdita, Shkodra, Kukësi, Puka, Dibra, Kosova, Elbasani, Lezha, Durrësi, Tepelena, Berati, Korça, Gjirokastra e Tirana, protestuan para presidencës “Berisha”, që jo vetëm të mos ndërtoheshin pallate në atë vend të mbushur me eshtra martirësh të demokracisë dhe fëmijësh të pafajshëm, por atje të ngrihej një memorial përkujtimor për ta. Vetëm 3 muaj pas protestës, mbi varrezën e të vdekurve në kampin e internimit, ish-qeverisja e vitit 1993 filloi gërmimet pa bërë më parë asnjë zhvarrim, madje pa njoftuar e pa lejuar as familjarët që tentuan të zhvarrosnin eshtrat e familjarëve të tyre. Buldozerët shkatërruan këtë vendvarrim masiv, duke hedhur në lumë ose ri-groposur në themelet e pallateve, eshtrat e afro 1000 të vdekurve në internim, mes tyre edhe të 175 fëmijëve “armiq” të moshës deri në 12 vjeç, pa llogaritur ata që vdisnin në vendet e punës dhe oficerët e sigurimit dhe punonjësit e kampit i linin në pyll e përrenj ku ata jepnin shpirt, ose i hidhnin në lumin Bënçë! Në këtë varrezë ishin edhe eshtrat e 13 të huajve francezë, italianë, polakë e anglezë, të cilët qëndruan në Shqipëri me porosi të partisë komuniste, si “specialistë për nevoja të rindërtimit të Shqipërisë”, por që pas 2 vitesh u arrestuan dhe u internuan, vdiqën dhe u groposën në ish-Kampin e Internimit të Tepelenës.
Sigal