Dorian Duçka: Projekti TAP, është integrimi real në Bashkimin Europian

681
Sigal

Në 16 Janar, IBDE organizoi Forumin Europian të Energjisë, që u zhvillua nën kujdesin e Qendrës Europiane për Sigurinë e Energjisë dhe Burimeve në Universitetin Prestigjioz të King’s College London. Në këtë forum të rëndësishëm mori pjesë si folës kryesor dhe Zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë z. Dorian Duçka. Në panelin me temë “Korridori Jugor i gazit dhe gazi natyror në Mesdheun Lindor- Mundësi për Europën”, të sponsorizuar nga TEAS, Shoqata Europiane e Azerbajxhanit,  z.Duçka tregoi mbi vizionin e Qeverisë shqiptare për të qenë një kontribuues kryesor në sigurinë e energjisë së Bashkimit Europian duke qenë një hallkë kyçe e këtij Korridori. Sipas tij, Shqipëria, do të përfitojë rreth 1 miliard euro investim të huaj të drejtpërdrejtë nga Projekti TAP, por që Qeveria, nuk e sheh rolin e vet në këtë projekt vetëm si një vend tranzit, por ka si qëllim të shndërrohet në një nyje kyçe të transmetimit të gazit natyror në Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria do të jetë pika lidhëse me Projektin IAP si dhe një pikë lidhëse me furnizim me gaz natyror për Kosovën në të ardhmen. Z.Duçka shprehu vendosmërinë për të realizuar dhe mbështetur në kohë zbatimin e Projektit TAP si dhe vizionin e Qeverisë për të përfunduar Master Planin për gazifikimin e vendit në muajt e ardhshëm. Sipas z.Duçka, për Shqipërinë, përfshirja si aktor kryesor në këtë projekt, është integrimi real në Bashkimin Europian. Z.Duçka ftoi përfaqësuesit e kompanive të huaja në tregun e energjisë, të vijnë dhe të investojnë në tregun e ri të gazit natyror, por dhe në burimet e tjera të energjisë në Shqipëri. Zëvendësministri Duçka, gjatë punimeve të Forumit u takua me Ministrin e Biznesit dhe Energjisë për Britaninë e Madhe,  z.Majkëll Fallon, të cilit i shprehu falënderimet për mbështetjen e këtij vendi mik në zhvillimin e Shqipërisë. Investimet britanike, si përfshirja e Kompanisë British Petroleum në këtë projekt është shenjë pozitive për rritjen e investimeve britanike në Shqipëri.  Z.Fallon e ftoi Z.Duçka për të intensifikuar marrëdhëniet mes dy institucioneve në fushën e energjisë dhe premtoi rritje bashkëpunimi.