“Dorëzohet” Lotaria Amerikane, bllokohen aplikimet

112
Kërkesat e shumta për të aplikuar e kanë “hedhur në tokë” edhe Lotarinë Amerikane. Gjatë ditës së djeshme ka qenë e pamundur të aplikojë për Lotarinë e Vizave të Emigrimit për shkak të mosfunksionimit të faqes zyrtare. Të shumtë janë qytetarët që kanë tentuar prej më tepër se 24 orësh të plotësonin formularin e aplikimit, por faqja ka rezultuar jashtë funksionit. Sipas shënimit në faqe sqarohet se serverat kanë rënë dhe po punohet për mirëmbajtjen e saj, ndërsa këshillojnë që aplikuesit të provojnë sërish në një moment të dytë, sapo ajo të rregullohet, pa specifikuar kohën e saktë.

Programi i Lotarisë Amerikane u jep mundësi shtetasve nga mbarë bota, përfshirë edhe Shqipërinë, që të kërkojnë një vizë punësimi e qëndrimi. Aplikimet janë në fillim të tetorit dhe do të mbyllen me datë 7 nëntor 2017. Ambasada amerikane të Tiranë ka publikuar edhe informacionet e zgjeruara për elementët që s’kualifikojnë aplikantët dhe rregullat që duhet të ndiqen. Gjithashtu, ambasada amerikane në Tiranë ka bërë të ditur se 3 tetori ishte dita e parë e intervistave për programin e Lotarisë DV-2018. “Ne kemi punuar shumë për t’i bërë gati për intervistë të gjitha dosjet”, thuhet në njoftimin e zyrës konsullore. Të gjithë ata që janë aplikuar gjatë tetorit 2016 dhe janë shpallur fitues në maj 2017, tashmë kanë nisur të paraqiten në ambasadën amerikane për të marrë vizën.