Dorëhiqet drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto

487
Sigal

Jep dorëheqjen Drejtori i Përgjithshëm i Burggjeve Artur Zoto. Në letrën e dorëheqjes, Zoto shkruan se largohet për arsye personale dhe familjare, pa saktësuar më shumë detaje. Por dorëheqja e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve vjen pas skandalit që preku nivelet më të larta të institucionit që ai drejton, konkretisht zëvëndësin e tij Iljaz Labi, i arrestuar për korrupsion me tenderat. Emri i Artur Zotos nuk është përmendur deri më tani në dosjen e prokurorisë, që vazhdon hetimet. Por mbetet ende për t’u parë dëshmia e një prej biznesmenëve të penduar, që ka rrëfyer manipulimet me tenderat edhe në shumë raste të tjera.

LETRA E DOREHEQJES SE ARTUR ZOTOS

Drejtoria e Pergjithshme njofton se Drejtori i Pergjithshem z. Artur Zoto i ka derguar Ministrit te Drejtesise z. Ylli Manjani kerkesen per doreheqje nga detyra. “I Nderuar Zoti Ministër, Me Urdhrin e Kryeministrit të Shqipërisë Nr. 149 datë 03.10.2013 jam emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Duke marrë në konsideratë situatën e sistemit të burgjeve shqiptare dhe rëndësinë si institucion i veçantë i sigurisë kombëtare, u angazhova maksimalisht për kryerjen me përgjegjshmëri të lartë të detyrave funksionale në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Gjatë periudhës që kam ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve janë ndërmarrë një sërë reformash dhe iniciativa të rëndësishme, të cilat kanë synuar zbatimin e ligjshmërisë në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, si dhe transformimin e sistemit të burgjeve në një mundësi rehabilitimi për personat me liri të kufizuar. Prioritet i është dhënë forcimit të masave antikorrupsion, kur për herë të parë përgjatë viteve 2013-2016 u vunë në zbatim masa specifike për parandalimin e korrupsionit në sistemin e burgjeve, kontrollin dhe monitorimin e praktikave të dhënies së lejeve shpërblyese dhe të veçanta për personat me liri të kufizuar, si dhe forcimin e mekanizmit të kërkesë ankesës në bashkëpunim të ngushtë edhe me aktorë të jashtëm. Gjithashtu, gjatë viteve që kam ushtruar këtë funksion publik, jam përkushtuar për ndryshimin e filozofisë së menaxhimit të sistemit të burgjeve, nëpërmjet vënies në funksion të metodologjive bashkëkohore për administrimin e sigurisë në institucionet penitenciare, regjimin ditor të personave me liri të kufizuar, vlerësimin e performancës individuale të stafit si dhe të institucioneve, duke vendosur baza të rëndësishme për organizimin dhe funksionimin në nivel qendror dhe lokal. Duke e konsideruar të pamundur ushtrimin e kësaj detyre në vijim, për shkak të arsyeve personale dhe familjare, ju paraqes dorëheqjen time nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.”