Donald Lu paralajmëron investititorët amerikanë: Në Shqipëri do përballeni me korrupsionin!

523
Ambasadori amerikan në Shqipëri Donald Lu shprehet se Shqipëria është një vend ku mund të investosh në biznes dhe të shpërblehesh ekonomikisht, por për ta bërë këtë duhet të jesh kurajoz pasi të duhet të përballesh me korrupsionin. Lu e ka bërë këtë vlerësim në takimin me disa biznesmenëve në Nju York dhe Uashington gjatë një vizite para pak ditësh. Diplomati amerikan teksa ka garantuar mbështetjen e SHBA-së për luftuar korrupsinin theksoi se puna me e madhe u takon shqiptarëve.
“Zoti ministër Ahmetaj, dua të flas në gjuhën shqipe. Nuk duhet të flas anglisht, duhet të flas vetëm në gjuhën e biznesit. Para pak ditësh isha në Nju Jork dhe në Uashington dhe aty pata mundësinë të flisja më njerëz të biznesit dhe unë u thashë atyre se nëse doni të hyni në tregun shqiptar duhet t’i keni sytë hapur, duhet të përkushtoheni për një kohë të gjatë, duhet të përgatiteti për konkurrencë të fortë dhe duhet të jeni gati të përballeni edhe me korrupsionin. Nëse jeni kurajozë, do të rrezikoheni shumë, por do të shperbleheni shumë. Unë ju inkurajoj të gjithëve të mendoni për mënyrat se si Dhoma Amerikane mund të ndihmojë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe si të udhëheqë luftën kundër korrupsionit. Ambasada Amerikane është e gatshme të jetë të japë kontributin e saj në këtë luftë, por puna me e rëndësishme u takon vetë shqiptarëve”, tha ambasadori Lu në një takim të zhvilluar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për t’i uruar atij mirëseardhjen dhe në të njëjtën kohë për të përshëndetur ish- Drejtoren Ekzekutive te Dhomës Amerikane, Floreta Luli-Faber, e cila largohet pas 15 vjetësh nga ky pozicion për të përfaqësuar Shqipërinë si ambasadore në Uashington.
Nga ana tjetër, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, i pranishëm në takim, i cilësoi marrëdhëniet e Shqipërisë dhe SHBA-së si parësore dhe strategjike. Ahmetaj u shpreh se duke iu referuar shifrave, volumi tregtar mes dy vendeve është rritur ndjeshëm në krahasim me të shkuarën dhe marrëveshja për taksimin e dyfishtë është tashmë e nevojshme. Në ceremoni morën pjesë autoritete të larta qeveritare, të trupit diplomatik, të organizatave ndërkombëtare si dhe anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është një organizatë private e sipërmarrjes e angazhuar për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri si dhe në përmirësimin e imazhit të biznesit shqiptar në tregjet amerikane dhe ndërkombëtare.
Sigal