Dom Gjergj Meta: Zgjodhëm të festojmë Krishtlindjen me të varfrit, ata janë me të ndjeshmit

519
Sigal

Dom Gjergj Meta:

“Ka qenë viti i shqiptarëve ky vit sa i përket këtyre aspekteve. Mes shumë problemesh që kemi pasur, kemi pasur dhe këto momente të bukura. Shenjtërimi i Nënë Terëzës, lumnimi i 38 martirëve dhe emërimi i Ernest Troshanit si Kardinal.Kanë qenë gjëra për të cilat e kemi zemrën të falenderueshme ndaj Zotit dhe sigurisht ndaj Papës për këto dhurata që i bën kishës katolike shqiptare, nëpërmjet saj dhe vendit tonë që ka nevojë në këto momente për një inkurajim më shumë për të ecur përpara”.

Kleriku ka shpjeguar dhe nismën e Kishës katolike për të festuar këtë vit Krishtlindjet me njerëzit në nevojë.

“Këtë herë kemi zgjedhur këtë mënyrë për të festuar Krishtlindjen me të tjerët, duke pranuar në tryezën tonë disa persona që janë më të varfër për të festuar Krishtlindjen bashkë me to. Mund të interpretohet në shumë mënyra, sigurisht nuk është refuzim i dikujt, por është pranim i dikujt tjetër.Është gjithëpërfshirje. Nuk e di se çfarë do të ndodhë për Pashkë, nuk e di si do jenë Krishtlindjet e tjera, mund të zgjedhim mënyra të tjera alternative për të festuar. Duhet të jemi pak kreativë në mënyrën sesi u qasemi festave, jo vetëm një model apo një target personash. Duhet të jemi gjithëpërfshirës në festat tona”.

Dom Gjergj Meta tha se bota po kalon momente të vështira duke iu referuar konfliktit në Lindjen e Mesme, posaçërisht në Siri, e megjithatë ky është momenti për të gëzuar, tha ai.

“Bota po kalon momente të veçanta, shumë delikate. Po përjetojmë disa momente të trishta në disa anë të botës, sidomos në Lindjen e Mesme, sidomos në Siri. Megjithatë për një moment duhet të gëzohemi, të gëzohemi për lindjen e Krishtit, por edhe për gëzimin që të krishterët kanë në të gjithë botën në këtë ditë”.

Dhe sigurisht në këtë ditë nuk mund të mungonte dhe një mesazh.

“Kultura e solidaritetit duhet ta revolucionojë jetën tonë. Nuk mund të lëmë indiferencën të bëhet zot i shtëpisë sonë.Duhet ta luftojmë indiferencën, sidomos globalizimin e indiferencës ndaj personave në nevojë.Një shoqëri që nuk ecën e gjitha bashkë, është një shoqëri që çalon. Duhet të punojmë të gjithë bashkë që kjo e ardhme të jetë sa më e bukur, që kjo e ardhme të jetë për të rinjtë.Ne vazhdojmë të lutemi që e ardhmja e vendit tonë të jetë si në ëndrrat tona e bukur”.