Dom Ernest Troshani: Politika ti shërbejë popullit dhe jo përfitimit personal

489
Sigal

Kardinali shqiptar, Dom Ernest
Troshani, ishte i ftuar në Seancë Plenare për të mbajtur një fjalë
përshëndetëse.

Në nisje të seancës, Kryetari i
Kuvendit, z. Ilir Meta, teksa i uroi mirëseardhjen Kardinalit Troshani, u
shpreh se më 21 shtator 2014 gjatë vizitës së tij në Shqipëri Ati i Shenjtë,
Papa Françesku, u kushtoi jo vetëm një çast të posaçëm dëgjimi vuajtjeve të Dom
Troshanit, por edhe përlotje dhe një përqafim të përzemërt papnor që mbeti i
skalitur në mendjen e të gjithëve.

“Dy vjet më vonë, pikërisht më 19
nëntor të këtij viti, nga Sheshi Papal i Romës, në lutjen e engjëllit të Tënzot,
Papa Françesku shpalli kardinalët e rinj, mes të cilëve edhe shqiptarin Dom
Ernest Troshani. Ky akt i rëndësishëm, lumturimi i martirëve të Kishës Katolike
Shqiptare dhe shenjtërimi i Nënë Terezës, janë mesazhe për të cilat të gjithë
shqiptarët kudo në botë i janë mirënjohës Atit të Shenjtë, Papa Françeskut. Ato
janë shenja inkurajimi për të ecur drejt udhës së atyre vlerave shpirtërore
njerëzore, fetare e kulturore, kishtare e kombëtare, për të cilat flijuan jetën
shumë shqiptarë, njëkohësisht përbëjnë një çast fatlum, sepse Shqipëria dhe
shqiptarët sot më shumë se asnjëherë tjetër mund t’i tregojnë mbarë botës sesa
të rëndësishme janë toleranca, respekti i ndërsjellë dhe bashkëjetesa e
besimeve fetaren në një vend. Ato dëshmojnë sesa të fuqishme, të qëndrueshme
dhe të natyrshme janë lidhjet e kësaj marrëdhënieje të veçantë mes
shqiptarëve”, – tha z. Meta, duke theksuar se ashtu si çdo herë tjetër, së
bashku përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve fetare ndodhen bashkë për të qenë
dëshmitarë të kësaj ngjarjeje të veçantë, jo vetëm për Kuvendin e Shqipërisë.

“‘Nuk është titull që më jepet
vetëm mua, por është një titull për të gjithë shqiptarët. Kardinalët në botë
janë të rrallë, aq më pak që Shqipëria është një vend i vogël, por Papa ka një
simpati të madhe për këtë popull’, shprehet Kardinali shqiptar, Ernest
Troshani, i cili në fshatin Barbullush të Shkodrës me modestinë dhe
përkushtimin e tij qëndron çdo ditë pranë njerëzve në nevojë, lutet për ta dhe
i ndihmon, sa mundet, në zgjidhjen e problemeve të tyre”, – vijoi z. Meta.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi se
dëshmia e jetës së krishterë të Kardinalit shqiptar është dëshmia e një të riu
trim 35-vjeçar, i cili më 24 dhjetor 1963, në vitet më të vështira të
diktaturës komuniste në Shqipëri, heroikisht guxoi të ngrinte një meshë në
kujtim të presidentit të vrarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon
Kenedi.

“Ky veprim, simbol i besimit, i
paqes, i respektit dhe i lirisë u ndëshkua ashpër me dënimin me vdekje dhe më
pas me 25 vjet burgim të Dom Troshanit. Dëshmia e viteve të gjata të vuajtjeve,
të persekutimit, të torturës, por edhe të qëndresës së tij martire në burgjet e
komunizmit është dëshmi e kalvarit të gjatë të kombit shqiptar dhe të gjithë
përfaqësuesve të besimeve fetare, të cilët mes sakrificave dhe vështirësive
mundën të ruanin jo vetëm forcën e besimit, por edhe dashurinë për kombin dhe
vlerat e tij në vitet më të vështira”, – shtoi z. Ilir Meta.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit u
shpreh se Kardinali Ernest Troshani është dëshmitari i fundit i gjallë i
gjeneratës së klerikëve shqiptarë, që i persekutuan mizorisht dhe u dënuan
vetëm se shpirtin dhe veprën e tyre i kishin të lidhura me lirinë e besimit dhe
të ndërgjegjes. “Ai është, gjithashtu, simboli i rezistencës dhe i përkushtimit
të pashembullt ndaj vlerave dhe idealeve kombëtare në një kohë kur mbi Shqipëri
peshonin retë e zeza të diktaturës”, – tha ndër të tjera z. Meta, ndërsa ftoi
Kardinalin shqiptar Dom Ernest Troshani të mbajë fjalën e rastit.

 

 

Fjala e plotë e Kardinalit
shqiptar, Ernest Troshani

 

 

 Të nderuem Deputetë,

 i nderuem z. Kryetar,

 të nderuem Ministra,

 i nderuem z. Kryeminister,

 i nderuem trupi diplomatik

 të nderuem të ftuem,

 

Asht nji nder i veçantë sot për mue
me folë prej kësaj foltoreje, dhe me ju drejtue ju, përfaqësuesve të popullit
shqiptar.

Ashtu siç asht nji nder i pashoq me
përfaqësue dhe me folë në emën të Kishës katolike shqiptare.

 

Nuk kam ardhë këtu me ju mësue
asgja të re, por kam ardhë ma së parit me falenderue atdheun e të gjithë
popullin pse mbas nji rrebeshi prej gadi pesë dekadash që i shkaktoi vuejtje e
mjerime Kishës katolike, ma në fund gjeti forcën e duhun shpirtnore me ua
njohtë vlerat bijve e bijave të tija që për me ruejt lirinë e ndërgjegjes dhe
lirinë e besimit nuk i ranë mohit Zotit dhe nuk e braktisën popullin e tij.

 

Jam i fundit dëshmitar i nji brezi
klerikësh katolike që vuejtën dhe u persekutuen. Tue më ba kardinal, Papa
Françesku nuk më nderoi veç mue, por nderoi gjithë Kishën katolike shqiptare e
mundësisht gjithë popullin shqiptarë.

Ne, kemi punue me të gjitha forcat
për ngritjen morale dhe kulturale të shqiptarëve, e edhe atëherë kur s’kemi
pasë mjete tjera, kemi gjetë fjalë ngushëlluese dhe s’i kemi lanë vetëm ma të
vogjlit dhe ma të vorfnit. I kemi shërbye këtij populli dhe kemi dëshmue me
gjakun tonë se i përkasin atij dhe nuk ligshtohena edhe në orën ma të vështirë.

Ky popull ka nda kashatën e gojës
me ne, na ka ndihmue aq sa ka mujtë dhe na ka qindrue afër.

 

Të dashtun vëllezën e motra,

Po ju them se ne si Kishë katolike
do të jena si gjithmonë në parimin e bashkëpunimin me gjithë ato forca politike
dhe shoqnore që kanë me punue për zhvillimin dhe përparimin e Shqipnisë
demokratike dhe sovrane.

Do të mbështesim gjithmonë
zhvillimin e kulturës së vërtetë dhe s’do të reshtim tue punue për me i përkit
familjes së përbashkët europiane, vlerat ma të kullueta të së cilës kemi
kontribue edhe ne me i formue ndër shekuj.

 

Jam këtu me ju kujtue përvujtnisht
ju, përfaqësuesve të këtij populli:

 

– Kujtojuni orë e çast se jeni këtu
me nji mision të naltë, prandaj mos i harroni nevojat e popullit, mos e leni
mbas doret asnji çast popullin tuej, e mos lejoni që përplasjet tueja politike,
edhe atëherë kur janë të arsyeshme, të kenë në qendër luftën për pushtet, por
vetëm problemet e popullit shqiptar.

 

Jemi nji komb ku jetojnë vllaznisht
besime të ndryshme fetare, të barabarta para ligjit e të gjitha me detyrën e
shenjtë me i shërbye Zotit dhe idealeve tona kombtare. Nuk due me folë për
tolerancë, por për vllaznim, që asht shumë ma tepër.

 

Ta kultivojmë pra vllazninë
ndërfetare, besimi i vërtetë në Zotin dhe liria na ndihmojnë me gjallnue ma
fort vlerat e solidaritetit dhe të ndihmës ndaj gjithë atyne që shoqnia i ka
lanë mënjanë.

 

Krishti, tue marrë shëmbëlltyrën
njerzore ka lindë në nji votër të vorfën prej Marisë dhe shpirtit shenjtë.
Kujdesin ma të madh ai e ka pasë për të vobektit, për të sëmurët, për ata që
vuejnë padrejtsisht dhe për ata që pendohen dhe duen me ndërrue rrjedhën e
jetës së tyne.

 

Mos t’i lamë mbas doret të gjithë
këta, pse shkalla e qytetnisë së nji kombi matet edhe prej kujdesit që ai
tregon ndaj këtyne kategorive.

Për ju un kam vetëm nji porosi
atnore: Krishti ka shtru parimin hyjnorë të pavdekësisë së shpirtit: Çfarë të
vlen o njeri ? Po fitove edhe të gjitha pasurit e botës në qoftëse humb
shpirtin. Pra të përpiqemi ti shërbejmë me të gjitha forcat shërbimit hyjnorë
që të fitojmë lumturinë e parrizit.

 

Po hyjmë në vitin 2017 viti i
triumfit të zemrës së papërlyer të Zojës së bekuar, nanës së Krishtit që na
fton të lutemi për paqen, vëllazërim, dashuri e lumturi.

Ju të nderuar deputetë të përpiqeni
që të gjithë së bashku, çdo njeri në Shqipëri duke shikuar në sytë tuaj të
shohë begatinë, drejtësinë, bujarinë e bekimin hyjnorë.

 

– Qëndroni ma afër problemeve të
popullit shqiptar, bani që politika të jetë shërbim dhe jo përfitim, e vetëm
atëherë keni me pasë respektin e thellë të njerëzve të thjeshtë që kanë besue
tek ju.

 

Zoti e bekoftë Shqipninë dhe
shqiptarët, Zoti bekoftë familjet tueja!

 

Kardinal Ernest Troshani