Sigal

Ish-rektori i Universitetit të Mjekësisë, Ali Refatllari, denoncon “pazarin” e doktoraturave duke vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e 320 gradave shkencore në shëndetësi. Fabrikat e gradave, konflikti gjyqësor për reagimet

Ali Refatllari – ishrektori denoncon në Komisionin e Shëndetësisë: Doktoraturat firmoseshin te restorant ‘Viktoria”

Në dosjet e disa prej doktorantëve mungojnë publikimet e duhura shkencore, ndërsa kushti i referimeve në konferenca ndërkombëtare është plotësuar përmes organizimit të aktiviteteve nga vetë fakulteti apo pjesëmarrjes në konferenca lokale pa asnjë lidhje me fushat e studimit

“Pazari” i doktoraturave vë në pikëpyetje ligjshmërinë e 320 gradave shkencore në Infermieri

Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, ndonëse kishte vetëm 4 pedagogë me tituj, ai hapi dyert për 320 doktorantë në vitet 2010-2013 duke ulur nivelin e kritereve ligjore dhe anashkaluar detyrimet, ndërkohë që konflikti për njohjen e këtyre gradave shkencore përfundon në dyert e gjykatës.  Në një seancë rutinë të prillit 2014 në Komisionin e Shëndetësisë në Parlament, Ali Refatllari – rektor në atë kohë i Universitetit të Mjekësisë ekspozoi degradimin e kërkimit shkencor përmes një sistemi që ai e quajti “pazar i doktoraturave”. “Doktoraturat përfundonin me dy pedagogë të brendshëm dhe tre të jashtëm dhe firmoseshin te restorant ‘Viktoria’,” tha ish-rektori, ndërsa paralajmëroi para deputetëve se kishte urdhëruar audite për të gjitha fakultetet e Universitetit të Mjekësisë. Denoncimi i Refatllarit shigjetonte Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike [ish-fakulteti i Infermierisë], i cili, ndonëse kishte vetëm 4 pedagogë me tituj shkencorë, hapi dyert për 320 doktorantë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia në vitet 2010-2013. Debati në Kuvend u mbyll vetëm me disa replika.

Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike “fabrika” e doktoraturave shkencore

Por tre vjet më pas, shkelja e kritereve ligjore në pranimin e doktorantëve vazhdon të krijojë probleme në funksionimin e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, ndërkohë që një konflikti për njohjen e gradave shkencore pritet të zgjidhet në dyert e gjykatës. Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes qindra faqeve dokumente të përbëra nga dy raporte auditi të Ministrisë së Arsimit, një korrespondencë e gjatë mes FSHMT dhe institucioneve përgjegjëse si dhe nga ankesat e doktorantëve të mbetur pezull, ekspozojnë shkelje të kritereve ligjore në të tre shkollat doktorale të këtij fakulteti, si dhe vënë në pikëpyetje cilësinë e dhjetëra gradave shkencore të shpërndara përgjatë viteve. Dokumentet tregojnë gjithashtu se Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike u kthye në një “fabrikë” doktoraturash për një numër të madh mjekësh, stomatologësh apo pedagogësh të Infermierisë në Tiranë dhe në rrethe, të cilët u regjistruan aty, pasi kishin dështuar më parë të fitonin në programet e ciklit të tretë të fakulteteve të tjera respektive në Universitetin e Mjekësisë. Rruga e “mbushjes së kuotave” të akorduara nga Këshilli i Ministrave u hap përmes dy vendimeve të marra nga Këshilli i Profesorëve dhe Senati Akademik, të cilat ulën kufirin për kriterin e notës mesatare nga 8 në 7 dhe nivelin e njohurive të gjuhës angleze nga C1 në A1. Përveç zbutjes së kritereve në fazën e regjistrimit, grupet e auditit kanë evidentuar probleme edhe gjatë procesit akademik apo në mbrojtjen e disertacioneve para jurive. Sipas tyre, në dosjet e disa prej doktorantëve mungojnë publikimet e duhura shkencore, ndërsa kushti i referimeve në konferenca ndërkombëtare është plotësuar përmes organizimit të aktiviteteve nga vetë fakulteti apo pjesëmarrjes në konferenca lokale pa asnjë lidhje me fushat e studimit. Si pasojë e problemeve të evidentuara nga auditet për funksionimin e shkollave doktorale në vitet 2010-2013, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike bllokoi procesin e njohjes së gradës shkencore “Doktor” për rreth 170 kandidatët në proces gjatë vitit 2016. Vendimi i bllokimit të njohjes së gradave shkencore u mor nga dekanja e FSHMT, Tatjana Çina pak kohë pasi ajo zëvendësoi në këtë post dekanin jetëgjatë të fakultetit, Petrit Bara. Ky vendim u pasua nga një korrespondencë e gjatë dhe e pashpresë mes Çinës, rektoratit të Universitetit të Mjekësisë dhe Ministrisë së Arsimit për gjetjen e një zgjidhjeje. Dekanja Çina tha në një intervistë për BIRN, se institucionet përgjegjëse, të tilla si Ministria e Arsimit nuk kanë dhënë udhëzime të qarta për zgjidhjen e situatës së paligjshmërisë me doktoraturat, ndërsa shtoi se është e gatshme të vijojë procedurat për njohjen e gradave shkencore, vetëm nëse doktorantët plotësojnë mangësitë në dosjet e tyre. Ish-dekani i Fakultetit të Infermierisë gjatë viteve 2004-2016, Petrit Bara mohoi të ketë pasur probleme. “Auditet nuk kanë gjetur asnjë mangësi ligjore dhe administrative, që është detyra e tyre. Për sa i përket përmbajtjes dhe të tjerave janë komisionet, këshilli i profesorëve që vendosin. Auditi nuk është prokuroria, por një sektor ndihmues që thotë se këto nuk janë të rregullta, dhe pas auditit lihen detyra dhe zgjidhen ato,” tha Bara. Ministria e Arsimit nuk iu përgjigj pyetjeve për konfliktin që vazhdon prej një viti e gjysmë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike.

Doktoraturat “mbesin në klasë”

Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike ka pasur si parim mbushjen e kuotave të dhëna nga Këshilli i Ministrave, edhe nëse kandidatët nuk kanë plotësuar kushtet akademike të pranimit,- evidenton grupi i monitorimit të Ministrisë së Arsimit në auditin e dytë të kryer në vitin 2016. Ndërkohë, raporti thekson se stafi akademik ka anashkaluar gjithashtu në disa raste kriteret për botime shkencore apo pjesëmarrje në konferencat ndërkombëtare shkencore në vlerësimin e kandidatëve. “Në një pjesë të madhe të dosjeve të doktoratës në FSHMT, artikujt shkencorë nuk kanë faktor impakti dhe janë të referuara në konferenca të ashtuquajtura ndërkombëtare. Kuotat e papërballueshme nga stafi akademik kanë sjellë anomali të tjera në programet e doktoraturës, duke anashkaluar hallkat e miratimit dhe të vlerësimit të disertacioneve. Sipas auditit, në mungesë të theksuar të stafit me grada shkencore, të njëjtët persona miratojnë temat dhe i vlerësojnë ato, “duke urdhëruar veten e tyre”. Problemet e vitit të parë të shkollave doktorale kanë vazhduar edhe në vitet e tjera. Në një audit të kryer nga vetë Fakulteti për vitin 2013-kohë kur u hap edhe shkolla e tretë doktorale për Shkenca Infermierore, evidentohet se: “nuk ekziston asnjë material mbi dokumentacionin e hapjes së shkollës doktorale… nuk ka programe të studimit të doktoratës dhe nuk ekziston dokumentacioni për kurrikula dhe silabe të ciklit teorik”. Raporti vëren gjithashtu se procedurat e konkursit kanë qenë formale, duke pasur si rezultat 60 aplikantë, të cilët u shpallën që të gjithë fitues. Raportet theksojnë se në kundërshtim me kuadrin ligjor, në të gjithë procesin e mbrojtjes së gradës shkencore nuk është kryer verifikimi i kritereve ligjore të kandidatëve dhe nuk janë gjetur në dosjet e tyre botime në revista shkencore të indeksuara në Pubmed. Ndërkohë, referime ndërkombëtare janë quajtur aktivitetet e zhvilluara nga vetë Fakulteti apo të ngjashme të zhvilluara në Tetovë. Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike ka injoruar edhe vendimin e Ministrisë së Arsimit për pezullimin e aplikimeve dhe vlerësimeve në shkollat doktorale, i lëshuar më 13 maj 2016. Pavarësisht urdhrit, 17 kandidatë mbrojtën disertacionet e tyre në kundërshtim me këtë vendim, thuhet në raportin e auditit.

Ja skandali i gradave shkencore

Raportet e auditit vendosin në pikëpyetje edhe cilësinë e disa prej disertacioneve të miratuara nga juritë e FSHMT-ndonëse analiza shkencore nuk ka qenë kompetencë e tyre. “Pavarësisht se grupi nuk ka kompetencën akademike adekuate për të vlerësuar temat e doktoratave vihet re që një pjesë e tyre janë thjesht tema statistikore, jo në nivel të lartë të kërkimit shkencor,” thuhet në raportin e auditimit të vitit 2014 të Ministrisë së Arsimit. Grupi i punës ka renditur një listë prej 39 titujsh, fusha e studimit të së cilave lidhej me të dhëna statistikore të sëmundjeve në zona të caktuara, ndërkohë që tre tema janë konsideruar si krejt jashtë fushës së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike. Raporti i monitorimit të Ministrisë së Arsimit thekson gjithashtu se disa prej kandidatëve nuk kanë lidhje me shkencën e së njëjtës fushë. “Ka kandidatë të fushës sportive, stomatologjike, juridike. Ka edhe kandidatë që s’kanë lidhje me shkencën në punën e tyre… një studente është sekretarja e dekanit,” thuhet në raport. Në shtator 2016, sektori shkencor i FSHMT ka dalë në përfundime të ngjashme. Sa i përket provimit teorik, ky sektor evidenton se në disa raste provimi është zhvilluar me një pedagog dhe jo me komision. “Ka fletë provimi të nënshkruara nga tre zv.dekanët e Fakultetit, megjithëse nuk kanë titull “Profesor i asociuar” ose “Profesor”. Fletët e provimit kanë vetëm një nënshkrim, nuk kanë komision,” shtohet më tej. Një shkelje tjetër e evidentuar nga sektori shkencor i FSHMT ka qenë mospërputhja e temave me profilin e doktorantëve apo studimet e tyre të mëparshme universitare. “Temat nuk kanë lidhje me profilin e doktoraturës dhe për aprovimin e tyre nuk mban askush përgjegjësi, pasi shefet e departamenteve që i kanë firmosur ato nuk kanë gradën shkencore për vete. Kriteri i mesatares në këtë shkollë doktorale ka qenë 8.5 por gjysma e kandidatëve, mes të cilëve edhe pedagogët e FSHMT janë futur nën mesatare,” – thuhet në raport. Dekanja Tatjana Çina: “Shumë më vonë, kur më duhej të shpjegoja se pse nuk pranoja të firmosja vijimin e procedurave të doktorimit për 21 pedagogët kam parë se kishte disertacione me 24 faqe apo dhe tema ku dukshëm mungon elementi i kërkimit shkencor,” shtoi ajo. Por ish-dekani Petrit Bara e cilëson vendimin të padrejtë, ndërsa i tha BIRN se nuk janë studentët ata që duhet të penalizohen. “Nëse juria ka bërë një tjetër që nuk është, juria duhet të penalizohet sipas rregullave dhe rrugëve, por nuk mund të penalizohet studenti,”tha ish-dekani Bara.

Konflikti shkon në gjykatë

Vendimi për bllokimin e njohjes së doktoraturave ka zemëruar 21 pedagogë të fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, të cilët akuzojnë dekanen e tyre, Tatjana Çina për veprime të pajustifikuara ligjore dhe se po ndjek standarde të dyfishta. Përveç 21 pedagogëve të FSHMT, njohja e gradës “Doktor” është bllokuar edhe dhjetëra studentëve të tjerë, për të cilët janë aplikuar të njëjtat standarde të regjistrimit. Në fillim të vitit 2016- kur u vendos pezullimi i njohjes së gradave shkencore, rreth 150 studentë ishin pajisur me kartonin e gradës “Doktor”. Ndërkohë, për 170 kandidatët e tjerë të regjistruar në vitet 2010-2013 dhe në vazhdim mbetet ende e paqartë se mbi ç’kritere do të procedohet për njohjen e gradës shkencore. Më 27 korrik 2017, Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë vendosi të zhbllokojë procesin e njohjes së gradave shkencore, duke gjykuar se parregullsitë proceduriale nuk janë përgjegjësi e doktorantëve, por e administrimit të procesit nga FSHMT. Dekanja Çina thotë se ajo ka refuzuar të vijojë procedurat, pavarësisht se gjendet “prej më shumë se një viti në presion të fortë”. Çina këmbëngul që doktorantët duhet të përmbushin kriteret ligjore për njohjen e titullit, ndërsa pret që çështja tashmë të zgjidhet në Gjykatën Administrative të Tiranës. “Në shumë raste, dhe pse komisionet kanë votuar se nuk përmbushin kriteret ligjore, çuditërisht aplikimet janë pranuar,” – tha Çina. Arben Gjata, rektori i Universitetit të Mjekësisë pranon gjithashtu se një pjesë e doktoraturave nuk janë në nivelin e duhur akademik. “Nuk mund të them sot se të gjitha doktoratura që janë mbrojtur në Republikën e Shqipërisë, nga Universitetit më i fundit dhe deri tek Universitetit më i parë, janë të gjitha studime shumë të mira dhe ekzemplare. Natyrisht brenda tyre, besoj dhe mendoj, ka pasur probleme, disa kanë qenë më të mira dhe disa kanë qenë më të dobëta, dhe ky është një proces rritjeje i arsimit të lartë,” tha Gjata.