Doktor Petro Nako, një emër që flet shumë

1746
Nga Neriman Gjivogli
Është folur e shkruar shumë nga njerëz që e kanë njohur dhe secili prej tyre është munduar të shtojë ndonjë detaj, kjo me qëllimin që në mënyrë transparente, portreti i tij, i këtij mjeku dhe njeriu human, të dalë i plotë, i dashur dhe i paharruar, prandaj dhe spitali civil i Sarandës mban emrin e tij. Nga dokumentet dhe dëshmitë, del se, kushdo që e ka njohur, në takime, biseda apo vizita e kurime mjekësore, sjell të sinkronizuar portretin e tij që zbardh edhe shpirtin mjekut si gojëmbël, të papërtuar, njeri të sakrificës, aq sa figura e tij, veprimtaria e tij, janë kthyer në mit. Koha kur punoi doktor Petro Nako qe e mbushur me epidemi dhe sëmundje që kishin vështirësi kurimi, si tuberkulozi, malaria, sëmundjet ngjitëse, shtoi varfërinë ekonomike të popullatës dhe mungesës së ilaçeve. Sëmundjet dhe epidemitë bënin kërdinë në jetë njerëzore. Mundësia e njerëzve ishte e kufizuar, e kishin të pamundur të blinin dhe aspirinën, Por perëndia bën edhe mrekulli. Ajo u dërgoi për fat mjekun Petro Nako. Zëri, hapi, fjala e tij qenë gjallërim e shpresë për jetë kudo, në çdo shtëpi që shkonte. Një dorë e ngrohtë që mbillte shpresë për jetë qe midis banorëve. Kur nuk e njohu këtë mjek të ri, ardhur nga universiteti i Athinës? Edhe gurët e sokakëve të kalldrëmta, tej e përkëtej zonës, në fshatra kristianë e myslimanë, të sëmurët nuk kanë dallim për mjekun e ri. 
Mjeku Petro Nako lindi në Zminec të Sarandës në vitin 1883. Lindi dhe u rrit në një familje të varfër, por fisnike. Petron e mori me vete babai në Stamboll. Qyteti ku kishte emigruar si emigrant ekonomik. Në Stamboll mbaroi deri arsimin e mesëm. Pas mbarimit të shkollës së mesme punon mësues në rajonin e Marmarasë , pranë Stambollit. Ndërkohë kthehet në Shqipëri dhe punon si mësues në qytetin e Delvinës për katër vjet. Por ëndrra e Petros ishte të bëhej mjek. Në realizimin e ëndrrës së tij i duhej të përballej me vështirësi dhe me studim intensiv. Kjo e detyron që natën të punonte e ditën të studionte. Arrin të realizojë synimin. Në moshën 30 vjeçare diplomohet si mjek. Falë rezultateve të shkëlqyera dhe aftësive të veçanta, i pajisur me kulturë të gjerë shkencore dhe profesionale si mjek, kulturë shoqërore e poliedrike, emërohet dhe fillon punën si mjek në një nga spitalet më të mëdhenj të Athinës “Vangjelizmos”. Gjatë viteve të punës si mjek në këtë spital, u specializua për patologji të përgjithshme dhe sëmundjet infektive, në Paris për obsteter-gjinekolog dhe në Berlin për farmaceutikë. Studimet e tij u vlerësuan me titullin “Profesor” dhe arriti të zotëronte gjuhët; frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe rusisht. Në personalitetin e tij do të shfaqeshin reagime të origjinës ekonomike, si përkushtimi dhe shërbimi pa përtesë ndaj popullatës së varfër. Ishte njeri human i jashtëzakonshëm. Nga ana tjetër zemra e tij akumulonte një urrejtje për shkaktarët e kësaj gjendjeje, mashtruesit dhe shfrytëzuesit e popullit hallexhi e të vobektë, të pamundur për të blerë një kokërr aspirinë. Në punë e sipër, pikërisht për këto përjetime revoltuese dhe përkushtimit të tij ndaj shërbimit për të varfrit, iu dha shtysa dhe aktivizohet në Lëvizjen LANÇ të kohës, por që nuk kaloi pa pasoja, se kjo veprimtari bëri që ai të përjashtohet nga mjekësia dhe të dëbohet nga Greqia si njeri i padëshiruar. Me gjithë kërkesat që pati nga disa universitete të Evropës, ai vendosi dhe erdhi në fshatin e tij të lindjes, në Zminec. Në Zminec u martua e krijoi familje dhe kjo martesë i dha 6 fëmijë. Doktor Petrua, me t’u kthyer në fshatin e lindjes, iu fut punës me një zell shumë të madh, shkonte fshat më fshat e shtëpi më shtëpi. Kuptohet në atë kohë se në ç’gjendje të mjeruar ishte Vurgu i Delvinës. Me moçale e sëmundje ngjitëse, bashkuar edhe me varfërinë ekonomike. Për mjekun vizionar humanizmi qe udhërrëfyesi i punës dhe përpjekjeve. Fshat më fshat, me çantë në dorë, kudo shërbente falas ndaj të sëmurëve. Shërbimi i pakursyer qe natën e ditën, me orë e pa orë, kur ta lypte nevoja dhe nuk qenë pak rastet e paraqitura. Kudo gjendej i papërtuari, mjeku Petro Nako. Sëmundja nuk pret e kjo e bënte mjekun edhe këmbëshpejtë. Gjithçka qe falas ndaj të sëmurëve; vizitat, ilaçet, shërbimi…këto me kompensimet e parave që u merrte të pasurve gjatë vizitave dhe kurimeve mjekësore. U bë i njohur shërbimi i tij në të gjithë n/prefekturën dhe fshatrat e Sarandës dhe Delvinës. Shkonte kudo ku qe nevoja me thjeshtësinë e tij, pa mburrje, pa shpërblim, vetëm të shpëtonte jetë njerëzish. Dhe kjo punë humane e ndoqi për 18 vjet rresht. Qindra njerëz shpëtuan e mijëra sëmundje u shëruan nga mjeku Petro Nako. Vitet që kaloni mjekun Petro Nako nuk e lodhën, nuk e stepën, nuk e ligështuan, nuk e tkurrën shpirtin e tij human, përkundrazi i shtonin energjitë. Fali dhe përkushtoi çdo gjë në mision të faljes së jetës dhe kurimeve të të sëmurëve. Mjeku Nako ishte tanimë ikona shpëtimtare e çdo familjeje të varfër. Kur dikush tentonte ta paguante nga të varfrit, mjeku i pakursyer ngrinte kokën lart, me vështrimin nga tavani, shikonte trarët e tymosur e të kalbur nën çati, qeshte hidhur dhe me dhimbje u thoshte: Lekët që do më jepni mua, mbajini për ilaçe. Por ndodhej edhe nën qesëndisjen e disa cinikëve të pakët që shikonin paranë më të vlefshme nga shëndeti. -Po pse nuk merr lekë? Je komunist? , e provokoni me pyetje, por mjeku ua kthente: -Jam mjek. Janë të varfër. Nuk kanë. Shpirtin t’u marr? Që në fillimet e LANÇ të popullit shqiptar, mjeku Petro Nako lidhet me të. Së bashku me Heroin e Popullit Lefter Talo qenë në një batalion. Dhe u rreshtua në grupin e katërt partizan. Por edhe shtëpia e tij u bë bazë e Luftës. Dhe më vonë, shtëpinë, e ktheu në një spital të vogël ku kuroheshin dhe mjekoheshin shumë partizanë të plagosur. Kështu, i lidhur me Luftën dhe jetën e të varfërve, vazhdoi të punojë pa pushim e pa përtuar në kurimin dhe mjekimin e propaganduar të ardhmen e mirë që ai besonte se do vinte. Shpresonte dhe ëndërronte për këtë. Për botën e re që besonte se po lindte. E gjithë familja dhe fisi i tij u lidh me LANÇ-in. Sipas kujtimeve të dëshmitarëve, të lëna me shkrim si: Bajram Sinoimeri, Dilaver Poçi, Ismail Halili, Dharaf Nelaj, Sokrat Nasho, Thoma Ballkoni etj., mjeku edhe pse i moshuar, jo vetëm që mori pjesë aktive në Luftë, por zbatoi me ndërgjegje e devotshmëri të gjitha detyrat që iu ngarkuan përmes një terrori të egër gjermano-ballisto-zervist. Ai punoi dhe luftoi për 19 vite, njëherësh duke mjekuar e kuruar deri në shërim me qindra njerëz. Pushtuesit gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre e kishin halë në sy aktivitetin e mjekut Petro Nako dhe e shikonin me syrin e sadizmit dhe aspak për veprimtarinë e tij, si njeri dhe mjek human në shërbim të jetë njerëzore dhe jo mbjelljes së vdekjes. Njeriu që kishte shërbyer pa kursim. Gjatë muajit prill, 16-24 prill 1944, pushtuesit gjermanë organizuan një operacion në zonën e Theollogos, fshatrave të Konispolit, Livadhjasë, Muzinë e Krane. Qëllimi qe goditja e grupit të katërt partizan. Forcat gjermane, të mbështetura nga forcat tradhtare, dogjën fshatrat Zminec, Grazhdan, Pandelejmon e Karroq. Në fshatin Zminec, fshati i doktor Nakos dogjën të gjallë 17 fshtarë të pafajshëm, ardhur për strehim në shtëpinë e mjekut Petro Nako. Në harkun kohor, 16-22 prill ranë dëshmorë Islam Minga, Kaso Azefi, Maliq Thana, Nasho Mici, Andrea Stefo, si dhe anëtarët e LANÇ, Stavro e Dhimitër Nikollo, italiani Antonio Moreti. Lajmi i vrasjes së mjekut Petro Nako u prit me pikëllim të madh nga populli dhe partizanët. Dita e varrimit të tij u shpall ditë zie. Shumë nga ata që punuan dhe jetuan me të, u kuruan dhe bashkëpunuan, në kujtimet e tyre e kanë skalitur në tregimet dhe dorëshkrimet e tyre portretin e tij human e të dashur, mjekut dhe dëshmorit partizan, Petro Nako, me gjithë rrezatimin e tij njerëzor.

Kryetare e komitetit të veteranëve të LANÇ-it Sarandë 
Shënim: Gazeta “Telegraf “ çdo vit ka përcjellë jehonën e masakrës tragjike të 19 prillit 1944 nga nazistët gjermanë në Zminec të Sarandës, masakër që është e dyta në këtë Rreth, se pas Zminecit ndodhi ajo e Hondrovunit në Bregdet. Këtë radhë po përcjellim promemorien e kryetares së komitetit të veteranëve të Sarandës, zonjës Neriman Gjivogli. u Pushkatimi i Petro Nakos tregoi thelbin antinjerëzor të nazi-fashizmit. U vra një mjek që shëroi e kuroi njerëz, një mjek që fali jetë. Emrin e Petro Nakos sot e mban spitali civil i Sarandës. Gjithashtu fotot e familjes së Petro Nakos dhe vet Petros janë ekskluzivitet i gazetës “Telegraf”, pasi organizata e vetaranëve nuk disponon të tilla foto. (Shënimi im, A. Mema)
Sigal