Doktor Krasniqi, mjeku që u ngjall shpresat çifteve pa fëmijë

Unë, fillimisht pacienteve shqiptare ju drejtohem me mirëdita dhe pastaj i pyes nëse duan të flasin shqip apo frëngjisht. Ato më thonë: `shqip, shqip, më mirë`, edhe kur janë paciente të lindura në Zvicër”

Në Zvicër çdo ditë e më shumë po rritet numri i mjekëve shqiptarë. Njëri ndër ta është edhe Avdulla Krasniqi. Ai është i specializuar në Gjinekologji dhe Obstetrikë. Specializim i ngushtë i tij është diagnostikimi me ultrazë i sëmundjeve të ndryshme te gratë shtatzëna dhe te fëmijët akoma pa lindur. Po ashtu edhe çrregullimet e fertilitetit tek çiftet që kanë vështirësi të kenë fëmijë.

Krasniqi, në një intervistë për albinfo.ch flet për rrugën e gjatë për t’u bërë mjek, për shkollimin e deritanishëm, vështirësitë që kishte në fillim, ambiciet për të ardhmen, si dhe për çiftet shqiptare që vijnë te ai.

Shkollën fillore e ka të kryer në Livoç të Epërm, ndërsa gjimnazin në Gjilan dhe Fakultetin e Mjekësisë, në Tiranë. Specializimin e ka bërë në Paris, ku dhe ka punuar si mjek specialist derisa ka ardhur në Zvicër, në vitin 2014.

I specializuar në njërën ndër qendra më elitare të mjekësisë në Evropë

Dr Krasniqi ka diplomë të ekografisë në gjinekologji dhe obstetrikë nga Universiteti “Paris Descartes”, pjesë e Spitalit Universitar “Necker-Paris”, i cili është një ndër qendrat më të njohura në Francë dhe në Evropë për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve te gratë shtatzëna dhe te fëmijët akoma pa lindur.

Ai po ashtu ka diplomë nga Universiteti i përmendur për çrregullimet e fertilitetit tek çiftet që kanë vështirësi të kenë fëmijë dhe një diplomë evropiane në laparoskopi (teknikë e avancuar kirurgjikale) nga Universiteti D’Auvergne-Clermont Ferrand, po ashtu në Francë.

“Nga tetori i vitit 2014 deri më 30 nëntor 2016 kam qenë shef klinike në Spitalin kantonal te Friburgut, ndërsa nga 1 dhjetori 2016 kryemjek në Payerne”, tregon për albinfo.ch dr. Krasniqi.

Aktualisht ai është duke e vazhduar në Paris (Universiteti Paris Descartes) masterin për mjekësi feto-maternel (sëmundjet dhe çrregullimet e ndryshme te gratë) shtatzëna dhe në të njëjtën kohë është duke përgatitur hapjen e një klinike private në Lozanë, e cila do të jetë funksionale në fillim të vitit 2018. Në këtë klinikë ai do të punojë me Tropojën, bashkëshorten e tij, e cila po ndjek vitin e fundit në Biologjinë Mjekësore në Universitetin e Lozanës.

Pacientë nga e gjitha Zvicra dhe nga trojet shqiptare

Krasniqi ka theksuar se në Francë ka pasur më shumë vështirësi, sepse i është dashur ta bënte nostrifikimin e diplomës mbi bazën e konkursit dhe për faktin se numri i vendeve për specializim ka qenë i limituar. Ndërsa në Zvicër ai thotë se njohja e diplomës ka qenë vetëm formalitet administrativ.

“Kam pacientë nga e gjithë Zvicra. Për të marrë një këshillë mjekësore, një numër i madh i pacientëve jashtë Zvicrës si nga Franca, Gjermania, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Italia, Greqia, në pamundësi për të ardhur në konsultim, më kontaktojnë edhe përmes rrjeteve sociale” thekson Dr. Krasniqi, tek tregon se shumë çifte shqiptare drejtohen tek ai.

“Unë, fillimisht pacienteve shqiptare ju drejtohem me mirëdita dhe pastaj i pyes nëse duan të flasin shqip apo frëngjisht. Ato më thonë: “shqip, shqip, më mirë” edhe kur janë paciente që kanë lindur në Zvicër. Ato gëzohen dhe ju vjen mirë kur dëgjojnë shqip nga një mjek. Njoh edhe disa mjekë shqiptarë në Zvicër, por nuk kemi shumë bashkëpunim”, thekson mjeku i njohur shqiptar.

Përvoja jo të mira me spitalet në Kosovë

Ai shton se ka shprehur dëshirën që të kontribuojë edhe në Kosovë, por një gjë e tillë ka qenë e komplikuar. “Në vitin 2015 me deshiren që të shkoj në Kosovë i kam kontaktuar disa kolegë në QKUK. Atyre u kam shprehur interesimin që, së bashku me dy kolegë, njëri francez dhe tjetri zviceran, të ndajmë përvojën tonë me kolegët tanë atje. Fillimisht interesimi i tyre ka qenë i madh pastaj gjithçka ka kaluar në harresë, për arsye që as vetë nuk i di. Ideja ka qenë që të shkojmë me materialin tonë të nevojshëm dhe të formojmë ekipet atje në Kosovë, pastaj, një grup i vogël nga Prishtina, herë pas here të vijë këtu”, shprehet dr. Krasniqi.

Gjithashtu, në mënyrë që trajtimi i sëmundjeve të ndryshme të jetë i harmonizuar midis kolegëve në Prishtine dhe për t’ua lehtsuar marrjen e vendimeve përpara vështirësive të ndryshme në gjinekologji dhe obstetrikë, personave përgjegjës në repartin e gjinekologjisë në QKUK ua kam derguar të gjitha protokolet mjekësore franceze. Më e keqja e kësaj është se nuk e kanë marrë as mundin që të dërgojnë një mesazh falënderues”, thotë doktor Krasniqi.

Ai flet edhe vdekjet e nënave e të foshnjave në Kosovë. “Në Kosovë ka mjekë të mirë, por financimi shtetëror është jo i mjaftueshëm. Kam qenë vetë në repartin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës dhe kam parë kushtet. Ndërsa vdekjet e nënave dhe foshnjave, për fat të keq ndodhin edhe në Zvicër, Francë e vendet tjera” por çdo rast duhet analizuar me kujdes në mënyrë që të përjashtohet neglizhenca njerëzore.

Së shpejti, me klinikë private

Ai së bashku me gruan e tij do të hapin edhe klinikën private, e cila do të jetë funksionale, nga viti i ardhshëm. Klinika do të merret me fekondim artificial, ekografi 3D dhe 4D, duke mos lënë anash edhe trajtimin e problemeve të ndryshme te gratë shtatzëna dhe dhe jo shtatzëna. Sipas tij kjo është kërkesë edhe e shumë çifteve shqiptare.

Albinfo.ch