Doktor Aliu ose ikona e bluzave të bardha…

1141
Të gjithë u befasuan nga ai çast tronditës kur mësuan se njeriu me virtyte të rralla, mjeku Ali Islamllari, neurolog në qytetin e Çorovodës kishte ndërruar jetë. Ishin çaste të çuditshme, paksa të pabesueshme kur dëgjon që të ketë ndërruar jetë ai që u jepte jetë të tjerëve. I tërë qyteti u rëndua nga pesha e dhimbjes. Aty për aty u krijua një gjendje shoku, jo vetëm tek familjarët dhe far’ e fisi, por tek të gjithë qytetarët e Çorovodës dhe Backës, fshatit në rrëzë të Qafës së Martës ku ai lindi në 12.06.1948 dhe kaloi vitet e vegjëlisë. Edhe pse rrjedh nga një familje e varfër por me sjellje e veprime të serës së lartë, të familjeve me peshë fjale. Aty, në ato mjedise, kotherja e bukës është produkti i djersës së ballit. Doktor Aliu ishte dhe mbeti i tillë.. Dhe me të mbaruar shkollën e mesme shkoi në fakultetin e mjekësisë në Tiranë. Në vitin 1973 diplomohet si mjek i përgjithshëm. Arsim dhe dituria do ta orientonte drejt këtë familje për të lexuar mirë fatet e të ardhmes së Aliut Nga viti 1974-1976 ka kryer po në Tiranë një specializim për Neurolog. Dhe mbas këtij specializimi vjen në Skrapar ku shërbeu në spitalin e Çorovodës 42 vjet me përkushtim dhe profesionalizëm. Doktor Aliu ishte në të gjitha drejtimet një model. Një model i intelektualit të përkushtuar në shërbim të komunitetit. Ai lumturinë e tij e shikonte tek shërbimi I kualifikuar ndaj njerëzve. Ai ishte një model i familjarit, ku shprehja “një familje e shëndoshë kontribuon në një këmbë të shëndoshë. Spitali i Çorovodës ku ka shërbyer doktor Aliu është i ngritur në një vend soditës, një spital me përmasa goxha të mëdha. Lëvizjet e qeta dhe me shumë delikatesë të Doktor Aliut, duket se mbretëronin në të gjitha këto ambiente, në të gjitha katet e spitalit. Pastaj nuk bëhet fjalë që ai ishte ikona e bluzave të bardha. Veprimet e tij, sjellja buzëqeshja e ngrohtë dhe shumë miqësore i bënte pacientët që të flisnin me admirim për doktor Aliun. Ka pasur një sjellje dhe ndjeshmëri prej profesionisti të vërtetë që jeton dhe pasionin e tij, të lidhur me suksesin dhe shëndetin e pacientit. Është e çuditshme, por është e vërtetë që, edhe pse në këtë periudhë tranzicioni kur humanizmi i bluzave të bardha është zbehur si gjethe vjeshte dhe përfitimi ka marrë masa të përbindshme, doktor Aliun nuk e zuri ky “fruth” që ka zënë mjekësinë shqiptare. Duket se humanizmi i tij ka rrënjosur harmoninë mes dashurisë së profesionit me atë të suksesit për ruajtjen e shëndetit të njerëzve. Doktor Aliu është respektuar nga të majtë e të djathtë, sepse deviza e tij ka qenë “Partia ime-kombi, partia ime-Shqipëria”. E ka pasur këtë siguri gjatë 42 viteve që shërbeu në spitalin e Çorovodës, ku u çeli portën e kaltër të shpirtit pacientëve. Aliu ishte një model i mjekut profesionist të pasionuar. Atë nuk e shikoje thjesht vetëm në orarin e punës, por kudo e kurdoherë ku kishin nevojë njerëzit, natë e ditë do të ishte në krye të detyrës. Aliu martohet me Margaritën nga fshati Muzhënckë. Nga kjo martesë erdhën në jetë 2 djem. Djali i madh Maraldi u bë vazhduesi më i mirë i vlerave të babait vazhdoi shkollën e mjekësisë dhe sot punon si mjek edhe nusen e ka marrë mjeke. Po të kërkosh të vizatosh karakterin e kësaj familjeje del që mishëron veçori pozitive të veçanta morale e profesionale, tre mjekë nga një familje, ku spikat vullneti i fortë, vendosmëria, mirësia njerëzore dhe respekti për t’u vënë në shërbim të komunitetit. Aliu nuk u mërzit një herë me pacientët, shpirti i tij nxori vetëm mjaltë. Kur iu dha lamtumira e fundit njerëzit psherëtinë rëndë në këtë ditë me diell të plotë, tek i jepej lamtumira fisnikut të bluzave të bardha. Doktor Aliu ka një emër të nderuar. Vetitë e tij të vyera profesionale u mbështetën fuqimisht në vetitë më të mira humane, si ndershmëria, dashuria për punën, atdhedashuria, komunikimi human me njerëzit që e kanë bërë të paharrueshëm figurën e mikut tonë, doktor Aliut.

S. METHOXHA
Sigal