Doganierë e tatimorë, në garë për para

562
Sigal

Në administratën dhe në institucionet e shtetit po instalohen “sulltanët” e rinj

Koha e qeverisjes kaotike, e cila po shoqëron vendin prej një viti, ka krijuar goditje të qëllimshme ndaj ligjeve kushtetuese. Kjo duket në çdo zyrë dhe në çdo institucion të shtetit, por ajo preket, pikësëpari, në dogana dhe në tatime. Janë pikërisht uniformat e shtetit, të cilat, pasi kanë ardhur të etur pas 8 vitesh pritje, kanë mësuar abuzimin, aferat  korruptive, shkeljen e ligjit, për të arritur fitime të mëdha, për të persekutuar bizneset, për të shoqëruar dhe mbuluar kontrabandën, me presionet ndaj subjekteve për t’u zhvatur para dhe vetëm para. Janë pikërisht doganierët dhe tatimorët, këta punonjës të shtetit, të cilët, për të vënë pasuri dhe duke dëmtuar imazhin e zyrtarit dhe të shtetit, sot kanë nisur garën për para. Sipas një ish-punonjësi të Tatimeve, i cili punoi edhe në Doganën e Durrësit disa muaj me ndërhyrjen e një pushtetari të lartë, “situata  atje nuk ka ndryshuar aspak”. E njëjta  praktikë duke nisur me abuzimet me faturat, me regjistrat, abuzimi me dokumentacionin, marrja e ryshfeteve, pasurimin e shefave dhe ngritjet e tyre në detyrë, ndarjet e fitimeve me deputetët dhe ministrat, takimet e fshehta në vila në bregdet. Abuzimet me detyrën, deri sot nuk kanë trembur dhe nuk kanë detyruar asnjë doganier apo tatimor që të japin llogari para ligjit. Kjo praktikë e ndjekur prej vitesh, po shoqëron edhe sot administratën tatimore dhe doganore në Shqipëri, e cila, pavarësisht monitoruesve të huaj, duket se nuk trembet dhe nuk tërhiqet nga veprimet antiligjore. Por më të prekurit nga kjo “epidemi”mbeten bizneset, të cilat po vuajnë mbi supet e tyre taksat në rritje, dhunën verbale të uniformave të shtetit dhe kapitullimin e aktiviteteve të tyre. Ajo çka sot propagandohet për “rritje të performancës dhe rritje të të ardhurave”, mbetet një demagogji e dështuar. Rritja e taksave dhe tarifave doganore e tatimore, mbetet vrastare për qindra biznese. Në Durrës  p.sh, në qytet-portin më të madh të vendit, mbi 300 biznese të vogla kanë kapitulluar, mbi 40 agjenci transporti dhe spedicionere po mbyllin aktivitetet e tyre, pasi favorizohen ato informale që kanë mburojë politike. Një arsye tjetër mbetet edhe presioni dhe gjobëvënia nga ana e uniformave të shtetit, e sekserëve të tyre, që kanë nisur fushatën e turpshme të pasurimit me forma korruptive dhe të pista. Ndëshkimi ligjor duhet të nisë nga radhët e uniformave të shtetit, nga “kapterët” apo dhe shefat e tyre që brenda vitit janë kthyer në agallarë të tipit oriental, që institucionet po i trajtojnë si prona të tyre, dhe qytetarin dhe bizneset si sende që duhet t’u binden verbërisht atyre. Kjo situatë kërkon ndryshim radikal, në rast të kundërt, në administratën dhe institucionet e shtetit do të instalohen sulltanët e rinj, të cilët vetëm rilindës nuk mund të jenë. Por skandalet nuk mbyllen vetëm me tatimorët dhe doganierët. Krimi ekonomik është vërsulur dhe nuk po lë gjë pa bërë, i nxitur dhe  implikuar vetëm e vetëm që të grabisë biznese e biznesmenë. Madje, ka edhe nga ata që bëjnë presione dhe nxisin grupet kriminale me qëllimin e vetëm që tregtarët të kërkojnë ndihmën dhe mbështetjen e inspektorëve dhe drejtuesve të krimit ekonomik të zonës. Drejtuesit e zonës së Myzeqesë kanë filluar të kërkojnë veç parave edhe kostume nga Greqia apo Italia pasi “shefi’ sipas tyre e do firmato veshjen. Ja, kjo është situata aktuale dhe realiteti shqiptar, ndryshe nga ai që ministri Tahiri dhe Kryeministri Rama deklaruan në shoun përpara nisjes për në Berlin. Por Berlini ka informacione konkrete me zë dhe me figurë jo vetëm për kriminelët dhe lidhjet e tyre, por edhe për telefonatat e agallarëve të rinj të politikës së Rilindjes me gjyqtarë, me drejtues të policisë, me prokurorë dhe të tjerë.

Artur  AJAZI