Doganat po vjedhin biznesin

574
Sigal

INTERVISTA/ Flet kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, Andrea Xhavara: “Kundërshtojmë procedurën e re”

Tre ditë vonesë, e 15 mijë dollarë më shumë, për çdo anije, këtë kosto të rëndë po vuajnë subjektet e biznesit në Portin e Durrësit, pas aplikimit të një procedure të re, që dogana e konsideron procedurë të thjeshtuar doganore. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, ka përforcuar qëndrimet kundërshtuese ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të doganave, për  “Deklaratën e Thjeshtuar Doganore”. Kreu i Dhomës së Tregtisë, Andrea Xhavara i bëri apel drejtorisë së Doganave, për anulimin e kësaj deklarate, e cila ngre barriera të panevojshme ndaj biznesit, duke rritur kostot dhe ulur shpejtësinë e kryerjes së procedurave. Xhavara në emër të biznesit ka kërkuar edhe heqjen e çmimit të referencave në doganë, të cilat vihen ndaj biznesit vendas, si një gjobë, vetëm me qëllimin për të vjelë sa më shumë para nga biznesi drejt buxhetit të shtetit.

Zoti Xhavara operatorët ekonomikë në Portin e Durrësit kanë ngritur shqetësimin për “Deklaratën e Thjeshtuar Doganore”, shqetësim i cili është pasqyruar në një peticion që i është dërguar institucioneve më të larta të shtetit. Cili është qëndrimi juaj?

Kjo është një klimë mosbesimi që dogana ka ndaj biznesit që operon në Portin e Durrësit. Këto procedura të reja doganore në lidhje me shkarkimin dhe zhdoganimin e mallit në port, kanë pësuar një ndryshim në regjimin doganor në portin, ku kërkohet që të gjitha mallrat pa përjashtim të kontrollohen dhe të peshohen. Kjo natyrisht rrit ndjeshëm kohën e shkarkimit dhe zhdoganimit të mallrave në port dhe po ndjeshëm shton edhe kostot. Kjo procedurë kërkon kontroll të imët dhe të detajuar të çdo malli. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ndan të njëjtin mendim me peticionin e firmosur nga operatorët ekonomikë. Shteti ka të drejtë të kontrollojë, por ky kontroll duhet të bëhet me sondazh, ndërsa për disa mallra të tjera siç janë paletat e melaminës dhe produkteve të këtyre llojeve, këto janë mallra, të cilat janë peshuar njëherë në perëndim, kanë peshën e caktuar dhe nuk kanë nevojë të peshohen sërish. Por nëse dyshohet për ndonjë shkelje apo mashtrim, do të mjaftonte sondazhi. Dogana i ka të gjitha mjetet dhe agjencitë kontrolluese, kanë Agjencinë e Anti-kontrabandës dhe këta duhet të bëjnë  të mundur të ndëshkojnë të gjithë shkelësit, në bazë të kodit doganor. Ne kërkojmë që të kthehen procedurat siç kanë qenë në bazë të zhdoganimit me “Import 5”.

Gruri po peshohet kamion më kamion. Kamionët peshohen bosh e plot nga dogana duke krijuar vonesa e kosto të mëdha për biznesin. A ka kjo kosto për biznesin?

Të peshosh grurin e një anijeje me tre mijë apo pesë mijë ton grurë, është një katastrofë për bizneset, sepse rrit në vlerë kolosale koston për agjentët doganorë e spedicionerë, si edhe për pronarët e anijeve që qëndrojnë në kalata, kur e gjithë anija është peshuar. Kështu hidhen dyshime mbi të gjithë agjencitë që kanë dokumentacionin e paraqitur nga agjencitë e huaja, ku këto të fundit, e kanë transportuar mallin, e mbi të gjitha edhe për agjencitë tona që përgatisin dokumentacionin, survejohen etj.. Kjo nuk është e drejtë të dyshohet mbi të gjithë biznesin, shteti ka të drejtën e kontrollit me sondazh edhe për mallrat rifuxho, në raportin pesha e anijes dhe malli.

Situata është e ndezur, sepse as dogana dhe as operatorët nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre. Dogana nga zbatimi i kësaj procedure dhe biznesi, nga kërkesat për anulimin e saj?

Shteti është shtet dhe ajo që biznesi kërkon vazhdimisht është ngritja e partneriteti real, i biznesit me shtetin. Partneriteti duhet edhe në një rast të tillë dhe është e nevojshme një takim i tillë, i këtij grupi të operatorëve ekonomikë me drejtorin e Doganave të Shqipërisë. Ne i mbështesim fuqishëm kërkesat e tyre.

Një tjetër fenomen abuziv që po vihet re gjatë muajit shtator është rritja e çmimit të referencave në doganë. Cili është qëndrimi Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë?

Ne si Dhomë Tregtie jemi kundër zbatimit të referencave në doganë. Zbatimi i referencave për biznesin së pari është në kundërshtim me kodin doganor, sipas të cilit duhet të njihet fatura dhe jo referenca e cila shpesh nuk dihet si caktohet. Çmimi i referencës është krejtësisht abuziv. Duke marrë një shembull grurin. Gruri është i kuotuar në bursë dhe çmimi i tij dihet. Me thatësirën që ka bërë çmimi i grurit është rritur dhe do të rritet. Por rritja e referencës me 10 dollarë për ton në doganën e Durrësit është një stil i vjetër nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, që nuk njeh faturat, por referencat. Në këtë rast, Drejtoria e Doganave e trajton biznesin me dy standarde të kundërta. Së pari dyshon se fatura është e rreme dhe së dyti ç’është edhe më e keqja kur bëhet zhdoganimi dhe paguhet taksa doganore atëherë do të zbatohet çmimi i referencës. Në këtë mënyrë shteti zbaton dy standarde. Këto dy standarde, ku njëherë njihet çmimi i referencës dhe njëherë çmimi i faturës, të zyrtarizohet një standard i dyfishtë jo i qartë ndaj biznesit.