Dogana greke e Kapshticës vendi, ku grabiten shqiptarët dhe mashtrohet Bashkimi Europian

1250
Sigal

Kriza  financiare që ka mbërthyer  Greqinë  ka ardhur mbi të gjitha nga  abuzimet dhe mashtrimet që ekonomia dhe zyrtarët e financave të këtij shteti kanë  bërë ndër vite, duke raportuar shifra të rreme për Bashkimin Europian. Në këtë kuadër, shtetet me potencë në Europë me Gjermaninë në krye i deklaruan qeverisë dhe zyrtarëve grekë se pa reforma nuk mund të vazhdoni të përfitoni dhe grabisni paratë e të tjerëve. Një shembull tipik, por edhe një vend që tregon se si grekët vazhdojnë të mashtrojnë dhe grabisin është Dogana greke e Kapshticës. Prezantimi i parë në këtë doganë është  me shërbimin e Policisë Kufitare Greke, e cila duhet pranuar se, është plot kulturë dhe etikë krejt ndryshe nga kolegu i vetë,  nëpunësi i Doganës greke të Kapshticës, i cili ndodhet vetëm 2 metra larg tij … Paturpësisht dhe në mënyrë të kundraligjshme, pikërisht dje rreth orës 14:00 deri 14:40 minuta nëpunësit e doganës greke nuk pranonin të firmosnin dhe t’u vulosnin qytetarëve shqiptarë që ktheheshin nga Selaniku faturat e “Taks Free”-së apo e shqipëruar më thjeshtë, faturat e rimbursueshme për mallrat, të cilat ishin blerë në tregun dhe supermarketët e Selanikut për përdorim personal dhe familjar. Me t’u paraqitur në doganën greke, nëpunësi i doganës filloi të kryejë procedurën. Pasi kontrolloi  mallin, i cili korrespondonte me faturat  e lëshuara nga bizneset e shtetit grek në Selanik, po përgatiste vulosjen dhe firmosjen e faturave. Por në këtë moment, hynë në zyrën e tij një tjetër person, i cili bashkëbisedoi me punonjësin që po kryente procedurën dhe pas kësaj bisede, punonjësi i shërbimit deklaroi se me urdhër të shefit( Kapos) nuk mund ta bëjmë rimbursimin. Megjithëse, ju kërkua nga ana e qytetarëve se përse ndodh një gjë e tillë, kur nga ana jonë janë të gjitha dokumentet në rregull, ai nuk dinte se çfarë të shpjegimi të jepte dhe u justifikua me ikjen e tij dhe përgjigjen se, pa urdhër të Kapos nuk bëj dot gjë. Sigurisht që, ky është një veprim antiligjor, i turpshëm  dhe tërësisht i dënueshëm. Në çdo doganë të vendeve të BE-së kur qarkullon apo merr një mall për qëllime  personale dhe familjare, ai mall kontrollohet dhe në pikën e fundit doganore të shteteve të Bashkimit këto fatura rimbursohen. Por rasti i doganierëve grekë të Kapshticës është i turpshëm dhe kriminal, për  mosdhënien e  shpjegimeve dhe arsyen ligjore për mos  vulosjen e faturave përkatëse. Organet e drejtësisë dhe ato të anti-kontrabandës greke i kanë pamjet filmike të kamerave dhe le ta rivlerësojnë  qëndrimin e papërgjegjshëm të  nëpunësve hajdutë  të kësaj dogane gjatë ditës së djeshme.  Ajo që përbën turpin më të madh të Doganës greke të Kapshticës është fakti që këta nëpunës nuk guxojnë të japin një shpjegim zyrtar me shkrim për arsyen e mosvulosjes dhe kompensimit të vlerës së mallrave personale të blera në Selanik. Arsyet mund të jenë të shumta dhe qytetarët e prekur nga kjo grabitje  aludojnë në disa drejtime, të cilat kanë të bëjnë me paaftësinë, korrupsionin dhe fyerjen që i bëhet në radhë të parë ligjit pastaj efekteve financiare të vetë shtetit grek, i cili më këto veprime bënë që, tregtarët t’i shohin doganat greke si “delen e zezë” të biznesit të tyre.  Greqia si pjesë e BE-së është e detyruar të respektojë rregullat e përcaktuara nga kjo bashkësi dhe jo të vazhdojë të grabisë  apo mashtrojë me qëllime përfitimi taksapaguesit europianë. Kryeministrja gjermane, ai italian,  francez etj., nuk mund të derdhin paratë e taksapaguesve të tyre për disa nëpunës ordinerë që kanë zaptuar Doganën greke të Kapshticës sikurse ndodhi dje në mesditë në këtë pikë. Dogana greke duhet ta dijë mirë se ka një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke të firmosur  nga Kryeministri grek dhe ai shqiptar (Micotaqis dhe Meksi) për qarkullimin e mallrave, e cila daton që më 9 Korrik 1993 dhe vendimi mban numrin 331. I pyetur ekskluzivisht për “Telegraf”, pas kësaj ngjarjeje një nga specialistët dhe drejtuesit e doganës shqiptare u shpreh: “Ky është një veprim i papërgjegjshëm dhe i patolerueshëm. BE dhe shteti grek duhet të ndërhyjnë urgjentisht pasi ‘Rimbursimi i Faturave’ (Taks- Free) për mallrat e blera në një shtet të caktuar është i detyrueshëm kur del nga kufiri dhe pika doganore. Madje, ky është një rregull botëror që nuk bënë vaki të shkelet me përjashtim të doganierëve grekë”. Sigurisht, hajdutët grekë të Doganës së Kapshticës  duhet ta dinë që ka një ligj që i mbron qytetarët europianë dhe ata botërorë nga çdo papërgjegjshmëri e “KAPOS” së Doganës greke të Kapshticës.  Gazeta “Telegraf”, deri në zgjidhjen e drejtë të kësaj ngjarjeje nuk do pushojë me komentet dhe thirrjet e saj, duke filluar nga Ambasada Greke në Tiranë, Ministria  Shqiptare e Financave, Dhoma e Tregtisë dhe zyrat e BE –së në Tiranë. Veç kësaj, sipas ecurisë së zgjidhjes së problemit, do t’i kërkohet qytetarëve shqiptarë të abandonojnë mallrat greke nga çdo pëllëmbë e tokës shqiptare  si dhe të ushtrohet presion i  ashpër ndaj kompanive greke të telefonisë, bankave, industrisë ushqimeve dhe gjithçka tjetër greke, duke pasur edhe angazhimin e partive politike .