Ditën gjumë, natën tym

566
Shteti shqiptar, konkretisht Ministria e Mjedisit, nëpërmjet një vendimi të formës së prerë të Inspektoriatit Shtetëror Mjedisor, pas një monitorimi 5 mujor, në ndjekje të detyrimeve të lëna për aktivitetet me standarde mjedisore, në datën 10 prill 2015, bllokoi aktivitetin e kompanisë turke “Kurum” e cila me leje të qeverisë shqiptare, prej 23 vjetësh mbledh e shkrin skrap dhe prodhon produkte metali në Elbasan. Është një kompani e cila prej 23 vitesh vazhdon të helmojë banorët e qarkut të Elbasanit, me tym-helmin e 18 gazrave që nxjerr nga oxhaqet të cilët faktikisht për nga përmasat dhe efektet e krimit ekologjik që bëjnë mbi popullatën e mjedisin, nuk duhet të ishin në aktivitet. Por ja që oxhaqet e mafies turke të skrapit e hekurit “vrasës” që shkrihet e prodhohet në Elbasan, vazhdon aktivitetin i qetë. Madje “Kurum” e vazhdon aktivitetin edhe pse qysh prej datës 10 prill 2015 është e bllokuar me vendim të Ministrisë së Mjedisit, nëpërmjet Inspektoratit Shtetëror Mjedisor Shqiptar. Por çfarë ndodh, realisht?
“Kurum” zbaton ligjin ditën, ndërsa natën punon…, shteti bën sikur nuk shikon!
Ka një fakt, që prej 2 muajsh po përdhos banalisht ligjin, po turpëron shtetin dhe po trondit banorët e zonës së Elbasanit e të krejt Shqipërisë. Firma turke “Kurum”, kjo “bandë” anti-mjedisore dhe me profil të plotë evazioni ekonomike-financiare, po vazhdon të helmojë sistematikisht dhe pa asnjë ndalim, jetën e 370 mijë banorëve të zonës, paçka se qysh prej 10 prillit 20015 është ndaluar me vulë e firmë shtetërore nga shteti shqiptar, të vazhdoj të ushtroj aktivitet grumbullim e shkrirje skrapi dhe prodhim hekuri, pa plotësuar 3 detyrime standardesh mjedisore. Ministria e Mjedisit, sipas njoftimit të saj zyrtar, datë 10 prill 2015 dhe procesverbalit të mbajtur po në këtë datë, me objekt: “… pezullohet aktiviteti i kompanisë “Kurum” në qarkun e Elbasanit, për shkelje dhe mungesë dokumentacioni aktiviteti dhe për ndotje të rëndë të mjedisit, me rrezik jetën e banorëve në zonën ku zhvillon aktivitet”. Këtë vendim e ka kundërshtuar Drejtori i Përgjithshëm i “Kurum”, miku i çdo qeverie të 20 viteve të fundit, zoti Byniamin Diriçanli, i cili edhe pse pas bllokimit të aktivitetit vazhdon e helmon banorët e zonës së Elbasanit me ndotje 27 herë më të lartë se norma e lejuar nga OBSH dhe 21 herë nga norma e lejuar prej shtetit turk për aktivitete metalurgjie në Turqi, duke mbajtur një “fjalim” në mediat e paguara prej tij, se gjoja… “aktiviteti i ‘Kurum’ ishte me standarde të BE, madje edhe duke mashtruar se kompania ka kryer investime gjigande për evitimin 100% të ndotjes prej aktivitetit në Elbasan. Nuk e dimë, nëse këtë e beson bosi turk i “Kurum”, apo qeveria shqiptare, por dimë faktin, që Elbasani vazhdon të helmohet nga aktiviteti i piratesk i kompanisë “Kurum-Zullum” e cila nuk përfill as shtet, as komunitet, as ligje, as standarde të BE! Prej “Kurum” thuhet se janë investuar 10 milionë euro për eleminimin e helmeve që nxjerrin oxhaqet e kësaj kompanie. Ku janë letrat dhe fundja ku janë investimet konkrete, mbasi “Kurum” punon akoma me teknologjinë e përpara “Metalurgjikut” të vitit 1990?! Skandali nuk qëndron tek mashtrimet e bosit turk të “Kurum”, por tek fakti që kjo kompani, që prej 10 prillit 2015, kur është ndaluar të ushtrojë aktivitet e deri sot, vazhdon të punoj natën! Pra, në marrëveshje me bosët e shtetit shqiptar, bosi turk i “Kurum” ditën zbaton ligjin e bllokimit, ndërsa natën shkel ligjin! Kujtojmë që Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, ka pezulluar aktivitetin e kompanisë “Kurum”, shoqëruar dhe me një gjobë prej 1 milionë lekë të reja, ose sa… 5 ton skrap! Sipas proces-verbalit të bllokimit të aktivitetit, Ministria e Mjedisit i ka lënë afat kompanisë helmuese (vrasëse) “Kurum”, që deri në 20 maj 2015 të plotësojë detyrimet për të rinisur aktivitetin, por kompania as ka zbatuar vendimin e pezullimit të aktivitetit, as ka plotësuar detyrimet. Ajo vazhdon prodhimin natën me oxhaqe që nxjerrin tym helmues, ndërsa ditën bënë sikur zbaton ligjin, por që në fakt grumbullon dhe përpunon skrapin si lëndë të parë për punën natën! 
Vendimi: “Kurum” helmon Elbasanin, të ndez furrat pas plotësimit të 3 standardeve të BE
Ministria e Mjedisit dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, në përputhje me procedurat dhe me afatet ligjore”, Ndërtimi i Kombinatit Metalurgjik pranë qytetit të Elbasanit, rreth 40 vite më parë, i dha kësaj zonë një drejtim, efektet dhe pasojat, të cilat u shfaqën këto dy dekadat e fundit. Që nga viti 2002 në këtë qendër industriale shkrin skrap e prodhon hekur firma turke “Kurum” e cila, ka të punësuar rreth 650 punonjës dhe eksporton prodhimet në 5 shtete të rajonit.. Por firma turke “Kurum” punon jashtë standardeve mjedisore, madje me helmim të mjedisit dhe jetës së banorëve të zonës ku çlirohen e madje deri ku shkojnë shtëllungat e helmit të aktivitetit të saj. Në vendimin dhe procesverbalin e bllokimit të aktivitetit prodhues të firmës “Kurum”, përcaktohet kështu: “Të dorëzojë 3 dokumente të plota që provojnë standardet e mbrojtjes mjedisore, së pari planin e përputhshmërisë. Të paraqesë në ministri “Planin e menaxhimit të mbetjeve”, ku të përcaktohen të gjitha llojet e mbetjeve, sasitë dhe cikli i trajtimit deri në asgjësimin përfundimtar, në të cilin duhet të përfshihen dhe masat, afatet, si dhe investimet që duhet të kryhen nga ana e kompanisë për trajtimin e të gjitha mbetjeve që gjenerohen nga aktiviteti. Së fundi, kompania duhet të dorëzojë, planin e monitorimit, të detajuar si pjesë e lejes mjedisore dhe instrumenteve të inspektimit mjedisor.
Fakti/ 23 vite, 370 mijë banorë të Elbasanit janë të helmuar me blozën “Kurum”
Vetëm 3 vjet, nuk nxorën tym helmues oxhaqet e metalurgjikut në Elbasan, për të rinisur lëshimin e gazrave helmues me ardhjen (sjelljen) e firmës “KURUM”, duke i dhënë lejen e aktivitetit shkrirës pa përfillur komunitetin dhe standardet e organizatës Botërore të Shëndetësisë e BE. Prej 23 vitesh, aktiviteti i firmës “Kurum” vazhdon të helmojë kriminalisht jetën e banorëve të qytetit, të rrethit e krejt zonës së qarkut të Elbasanit, po kaq shkatërruese edhe për florën dhe faunën. Mjafton të shikosh një mëngjes e pse jo gjithë ditën qytetin e Elbasanit nga “Qafa e Kërrabës” dhe nuk… e shikon dot, mbasi ngjason me një “luginë” ngjyrë të bardhë, gri e të zezë mjegulle gjigande helmesh të përziera, që lëshojnë mbi këtë qytet oxhaqet e firmës “Kurum”. Kjo firmë edhe pse detyrohet me kontratë koncensionare e ligj shqiptar mjedisor, nuk pranon të investojë për vendosjen e filtrave të gazrave që lëshon në atmosferë, gjatë përpunimit të lëndës së parë skrap dhe prej prodhimit. Epiqendra e helmimit është zona e banuar e Komunës, Bradashesh. Kjo firmë ka ardhur në Shqipëri nga Turqia, si filial i kompanisë “Kurum Holding”, për të zhvilluar biznes shkrirje skrapi e prodhim hekuri, gize, çeliku e gëlqereje në ish – Kombinatin Metalurgjik, futur në aktivitet në Shqipëri me pazare qeveritare, si vazhdim i ish-çibanit teknologjik “vrasës”, ndërtuar me dhunë në kohën e diktaturës dhe pranuar e lejuar me “paqe” në 20 vitet e fundit, prej këtyre që thonë se kanë zhdukur “plagët” e diktaturës. Madje “paqja” e qeveritarëve me çibanin “Kurum” ka shkuar deri në atë “mirëkuptim”, sa në qershor 2009, në kundërshtim me Kushtetutën e RSH, drejtuesit e lartë të shtetit i kanë shitur asaj edhe mjediset e Uzinave të Prodhimit të Hekur-Çeliqeve, ndërkohë që kontrata ligjore miratuar në parlament e ka të sanksionuar qartë: Për 40 vjet, “Kurum” do t’i përdor mjediset vetëm me qira, pa të drejtë privatizimi. Sipërfaqja e privatizuar prej “Kurum”, ose “gropës” prej nga del mjegulla helmuese e vërshon drejt banorëve të Elbasanit është 219 mijë e 410 m2, përbërë nga 1 uzinë çeliku, 3 uzina petëzimi dhe 1 hapësirë pjesërisht e mbyllur me sipërfaqe 88 mijë e 410 m2. Bëni llogarinë dhe do nxirrni, se sa mijëra metër kub gazra helmues hedh çdo ditë “Kurum” në mjedis dhe në mushkëritë e 370 mijë banorëve të zonës? Fakti është ky: Një aktivitet-grumbullimi, përpunimi, shkrirjeje e prodhimi metalurgjie si “Kurum”, që ka kapacitet prodhimi vjetor prej 810 mijë ton hekur për ndërtim të petëzuar në të nxehtë, 680 mijë ton prodhim çelik të lëngshëm dhe afro 100 mijë tonë gëlqere në vit! Sa për saktësim, me këtë teknologji primitive mesjetare që ka në përdorim, me këto parametra prodhimi, aktiviteti “Kurum” nuk është pranuar të veproj as prej qeverisë në periferitë e Indisë dhe as prej qeverive të vendeve të Botës së Tretë. Ndërsa prej shtetit shqiptar, lejohet e përkëdhelet edhe me “ndere” të tjera të kundërligjshme, madje edhe pse është bllokuar po prej vet shtetit! (Vijon)
Sigal