Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut-KMDLNj institucioneve: Miratojeni Ligjin për Amnisti për të burgosurit!

794
Sigal

Dita ndërkombëtare
për të Drejtat e Njeriut, 10- të Dhjetori, shënohet si ditë e cila
identifikohet me të drejtat e njeriut përkatësisht me shkeljen e këtyre të
drejtave që bëhet nga shumë vende të botës përkundër faktit se i kanë ratifikuar
të gjitha dokumentet ndëkombëtare për mbrojtjen, përparimin dhe promovimin e këtyre
të drejtave që nënkupton se ratifikimi i këtyre dokumenteve ka karakter
detyrues.

Kosova, si vend
në një trazicion të stërzgjatur , në aktin më të lartë juridik, Kushtetutën i
ka përfshirë të gjitha dokumentet relevante ndërkombëtare për të drejtat e
njeriut, që nga Deklarata Universale e KB – së e deri te Konventat evropiane
dhe ndërkombëtare që e rregullojnë këtë fushë të ndjeshme që shpesh ndërlidhet
edhe me sigurinë e vendit.

Të drejtat e njeriut
më së shumti u shkelen grupeve të cënueshme apo të margjinalizuara siç janë fëmijët,
të moshuarit, pjesëtarët të komunitetit pakicë, personave të zhvendosur, atyre
që kërkojnë drejtësi dhe informata për anëtarët që i kanë të zhdukur apo të
vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, komunitetit LGBT , personave me aftësi
të kufizuara, personave të privuar nga liria, etj.

KMDLNj , gjatë
këtyre ditëve ka qenë pjesë e aktiviteteve në mbrojtje të drejtave të grupeve të
margjinalizuara që ndërlidhet me 68 vjetorin e miratimit të Deklaratës
Universale për të Drejtat e Njeriut e OKB – së (10 dhjetor 1948) dhe 27
vjetorit të themelimit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të
Njeriut (14 dhjetor 1989) ndërsa , për 10 dhjetor angazhimi i KMDLNj –së
identifikohet në një grup të margjinalizuar, personat e burgosur dhe të dënuar
të cilët nuk kanë përfituar asgjë nga shteti, në mungesë të Ligjit për Amnisti,
sikur që kanë përfituar të burgosurit e vendeve të rajonit.

Personat që
bien në kundërshtim me ligjin dënohen me burg për vepra të kundërligjshme mirëpo
ata nuk duhet të dënohen përsëri gjatë vuajtjes së dënimit duke u përjashtuar
nga e drejta për falje dhe përfitime tjera.

Kosova është një
vend që ka pësuar një ndryshim rrënjësor të sistemit duke kaluar nga një sistem
i dhunshëm (regjimi i Serbisë), në një sistem gjysëmdemokratik ( faktori ndërkombëtar
me fuqi vendimarrjeje dhe faktori vendor në detyrim zbatimi) me qëllim të
instalimit të një sistemi demokratik e që po has në vështirësi të mëdha, si nga
jashtë , po ashtu edhe nga brenda.

Të burgosurit në
Kosovë, që nga përfundimi i luftës kanë kërkuar të drejtat e tyre që u takojnë
me ligjet në fuqi por ato u janë mohuar në të shumtën e rasteve. Për këtë arsye
ka pasur kundërshtime të organizuara të të burgosurve sikur që ishte greva e
urisë, mbyllja në dhoma dhe pavijone deri te kërcënimi për rrezikimin e sigurisë
personale dhe të përgjithshme të burgjeve të Kosovës. Rasti më i rëndë, i cili
kishte hetim gjysmak dhe asnjëherë nuk u adresua përgjegjësi tek ata që e
shkaktuan trangjedinë ishte rasti i shtatorit 2003 kur, në kërkim të drejtave për
të burgosurit ku kërkesa për Amnisti ishte ndër kryesoret, pas asnjë arsye
intervenuan forcat e sigurisë me ç’rast humbën jetën katër (4 ) të burgosur ndërsa
rëndë e lehtë pësuan 100 të tjerë. Vlen të theksohet se ndërmjetësues midis
autoriteteve ( kryesisht ndërkombëtare) dhe të burgosurve ishin Avokati i
Popullit dhe KMDLNj dhe pasi u arrit marrëveshja për mosinntervenim, ajo u
thye, pati përfundim tragjik dhe askush nuk u dënua për këtë krim që nuk
arsyetohet me asgjë.

Të burgosurit
nuk kanë një ofertë të qartë nga shteti se çka përfitojnë nga sjellja e mirë e
tyre prandaj demotivohen që në ditën e parë të vuajtjes së dënimit. Ata më
tutje dekurajohen kur shohin se përfituese e beneficioneve është një kategori që
nuk e meriton këtë.

Ky trajtim i të
burgosurve apo mohim i së drejtës për përfitim të beneficioneve, faljes nga
Presidenti e sidomos mungesa e Ligjit për Amnisti , në masë të madhe e ka
penguar dhe vështirësuar punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës, nga oficeri
korrektues i pavijonit deri te strukturat më të lartë udhëheqëse të cilët kanë
përgatitur dosjet e kompletuara të atyre që kanë bërë kërkesë për falje dhe në
disa raste nga 650 – 700 kërkesa, të dorëzuara apo të shqyrtuara janë falur 2 –
3 të dënuar!

Kjo ka ndikuar
dhe po ndikon në rritjen e tensioneve brenda institucioneve të paraburgimit dhe
atyre korrektuese duke i vënë në situatë të rëndë pikërisht ata që më së paku
ose fare nuk vendosin për faljen e të burgosurve, oficerët korrektues dhe
manxhmentin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Deri më tani
situata është mbajtur nën kontrollë në saje të premtimeve për miratimin e
Ligjit për Amnisti i cili deri më tani nuk është miratuar nga përgjegjësit dhe
ndërmjetësimit të OJQ – ve që monitorojnë këto qendra , që në radhë të parë
interesohen për të drejtat e personave të privuar nga liria sikur edhe për
stafin korrektues në rast se u shkilen të drejtat e tyre.

KMDLNj e përkujton
opinionin në Kosovë se falja, shkurtimi i dënimeve dhe beneficionet për të
burgosurit në vendet e rajonit është shndërruar në rregull, në standard që
zbatohet në rast të datave me rëndësi apo në përfundim të vitit. Shqipëria, përkatësisht
qeveria shqiptare me propozim të ministrit të Drejtësisë z. Ylli Manjani i
liroi nga vuajtja e dënimit 1000 të burgosur, ndërsa ua uli dënimet 3000 të
burgosurve të tjerë që nënkupton se 4000 të burgosur përfituan nga mëshira e
shtetit.

Kosova ka përafërsisht
1800 të burgosur kurse falja nga Presidenti, deri më tani më shumë mund të
llogaritet si dënim shtesë se sa një akt mëshire i të parit të shtetit.

Kosova ka nevojë
urgjentisht të miratojë Ligjin për Amnisti në mënyrë që të vendoset një rregull
dhe e drejtë në burgjet e Kosovës, e munguar deri më tani me ç’rast duhet të
merret si model dhe praktikë rasti i Shqipërisë.

Në burgjet e
Kosovës ka raste kur mbahen të burgosur të dënuar me diagnoza ku jeta e tyre
matet me ditë dhe javë e jo më në muaj apo vite dhe shtteti nuk i liron ata
duke ua mundësuar që ditët e fundit e jetës t’i kalojnë në familjet e tyre apo
të kërkojnë mjekim me ndihmën e familjes në kohën ku shteti që i mbanë të
burgosur e që ka për detyrim mbrojtjen e shëndetit të tyre, nuk as kushte
minimale për trajtimin e tyre.

KMDLNj,
propozon që deri në miratim të Ligjit për Amnisti të bëhet një zgjidhje e ndërmjetme
duke ua llogaritur të gjithë të dënuarve 9 muaj burg sa një vit kalendarik prej
12 muajve.

KMDLNj – ë, mbështetur
në përvojën e gjatë monitoruese në qendrat ku mbahen persona të privuar nga
liria vlerëson se me një përzgjedhje profesionale, të paanshme dhe të mbikëqyrur,
lirisht do të mund të lirohen nga vuajtja e dënimit së paku 30% e të dënuarve
ndërsa të tjerëve mund t’u shkurtohen dënimet në përputhje me lartësinë e dënimit
të shqiptuar , pa e rrezikuar situatën e sigurisë që nënkupton se nuk do të
ndikonte në rritjen e shkallës së kriminalitetit. Në këtë mënyrë do të kursehej
buxheti i Kosovës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, do të kishte kohë të këndellej
dhe ta rikthejë kredibilitetin e humbur, shpesh herë pa fajin e këtij Shërbimi.

Së fundi, është
e pakuptimtë dhe jashtë çdo logjike që Kosova të jetë njëri ndër shtetet që ka
filluar shqiptimin e masave alternative të dënimit, ku masa e paraburgimit
shqiptohet si masë e skajshme kurse në fushën e faljeve dhe amnistisë është
vendi i fundit në rajon.