Dita e Verës dhe Zana e Çermenikës

1640
Sigal

Ritet e festës në vendlindjen e saj: Përgatitja për festë, ndezja e zjarreve, mbledhja e luleve, veroret, prerja e drurit në pyllë, Dreka e Verës dhe pikniku*

Kremtimi i festës së Ditës së Verës shqiptare e ka zanafillën në krahinën e Çermenikës. Shumë shekuj më parë, gjatë periudhë së Ilirisë antike, në këtë krahinë ka qenë tempulli i Dianës së kandavëve, perëndeshës së pjellorisë, të pyjeve dhe të gjuetisë.  Çdo filim viti, pas ikjes së dimrit të ftohtë dhe ardhjes së stinës së ngrohtë të pranverës, banorët e Kandavisë, krahinës së lashtë të Çermenikës, i kushtonin një festë hyjneshës së tyre, e cila ishte festa e lulëzimit të natyrës, që e kishin quajtur: Dita e Verës. Kjo festë, Dita e Verës, që ngjiz në formim dhe ritualitet mitin dhe realitetin, ka ardhur deri në ditët tona në formën e saj të zanafillës. Ajo është ndër të rrallat festë pagane popullore, ndër popujt europianë, e cila është festuar si e tillë. Në ç’masë Dita e Verës është një festë e mirëfilltë mbarëshqiptare? Të paktën në atë masë që ajo ka qenë pjesë përbërëse e identitetit tonë etnik. Si e festojnë çermenikasit Ditën e Verës, si i kanë ruajtur traditat e festës, cilat janë ritualet e e kësaj feste, çfarë simbolizojnë disa prej tyre, si mbledhja e luleve, ndezja e zjarreve, vendosja e veroreve, organizimi i piknikëve etj.? Të gjitha këto pyetje do të kenë përgjigje në këtë shkrim.

*   *   *

Sipas besimeve popullore, Zana e Çermenikës dilte nga faltorja e vet pikërisht më 14 mars. Kjo ditë, e cila përkonte me ardhjen e pranverës dhe ringjalljen e natyrës, simbolizonte të mirën, mbarësinë, dritën, gëzimin, gjelbërimin dhe begatinë. Kjo mbarësi e gjente shprehjen e saj të pasqyrohet edhe në urimet: “Asht’ si vera”, “Ka një çun/cucë si vera”, “T’u bëftë jeta verë/behar!” , “Ajo punë i vajti mbarë, iu bë verë”, “Jetimi s’pa verë në jetën e vet”etj., të cilat përdoren edhe sot e kësaj dite në të folurën e popullsisë vendase. Në Ditën e Verës familjet çermenikase mbusheshin me hare e gëzim dhe kremtonin e festonin të gjithë sëbashku: familjarë, të afërm, komshinj, krushqinj, shokë dhe miq, i madh e i vogël, i pasur dhe i varfër etj.

Parapërgatitja për festë, ndezja e zjarreve, mbledhja e luleve, veroret

Dita e Verës ishte festa më e madhe dhe kryefesta e Çermenikës. Gjatë datës 13 mars, fëmijë të vegjël, të moshave 6-13 vjeç, kishin dalë në pyll për të mbledhur bimë e lule të ndryshme që kishin çelur të parat, si hurthi, lule mujshini, lule thane, manushaqe, rrënjë carangthi etj. Me to zbukuroheshin muret e shtëpisë dhe portat, në mënyrë që agimi i datës 14 mars ta gjente shtëpinë sa më të zbukuruar. Disa nga bimët e mbledhura, si lule mujshini, barishtet e njoma, lulet e thanës, manushaqet etj, futeshin në një enë të mbushur me ujë. Në mëngjesin e 14 marsit, gati pa gdhirë mirë, gruaja më e moshuar e familjes do të spërkaste me këtë ujë, gati çdo dhomë të shtëpisë, si dhe të gjithë pjestarët e familjes që ishin akoma në gjumë. Një natë para Ditës së Verës njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre për të festuar fillimin e kësaj feste. Nënat dhe gjyshet gatuanin ushqimet dhe ëmbëlsirat sipas “kodit“ tradicional, duke mërmëritur në heshtje urimet dhe formulat magjike. Ato zienin misra, bënin kulecë të ëmbël me arra, zienin vezë, përgatisnin byrekë me vezë, revani, bakllava, kabuni, gatuanin pulë ose gjel etj., të cilat do të konsumoheshin në drekën dhe darkën e 14 marsit. Gjatë kësaj kohe, nënat dhe gjyshet kishin bërë gati dhuratat për fëmijët e vegjël, si mollët, dardhat, shegët, palat e fikut, vezët e ziera e të tjera, me të cilat do të qerasnin edhe fëmijët e fshatit, që do vinin për vizita që në mëngjesit e datës 14 mars. Në natën e 13 marsit, të rinj e të reja ndiznin zjare në kodra, në ara ose në oborret e shtëpive, duke djegur stivat me shkarpa, ose dru të thata të grumbulluara enkas për këtë festë. Nga djegia e tyre krijohej shumë tym dhe flakë, që simbolizonin largimin e dimrit, zhdukjen e së të keqes, të prapësive dhe i të gjitha të ligave që kishte mbartur viti i kaluar. Dita e Verës ishte dhe dita e veroreve (verojkave). Fëmijët kishin mbledhur në pyllë rrënjë carankthi dhe gratë i shtypnin këto rrënjë duke i zbutur e duke i rrahur deri sa ato të merrnin formën e një shtëllunge, me të cilën, pastaj, ato do të ndnin fije në formë peri. Fijet që kishin dalë nga shtëllunga e rrënjëve të carankthit bashkoheshin me fije prej lesh deleje, të cilat ishin të ngjyrosura më parë me ngjyra të kuqe, të bardha dhe jeshile. Me to krijoheshin unaza, që quheshin verore, të cilat do të lidheshin në kyçin e dorës në formën e një  byzylyku. Fëmijëve të vegjël, veroret ua qepnin në rrobat e trupit. Sipas banorëve të krahinës së Çermenikës, ngjyrat e veroreve simbolizonin: e kuqja përfaqësonte ngjyrën e gjakut, d.m.th., jetën; e bardha simbolizonte pastërtinë, sinqeritetin dhe shëndetin; dhe ngjyra jeshilje shprehte gjelbërimin, lulëzimin dhe begatinë. Verorja ngjizej me besytninë e fuqisë mbrojtëse nga e liga. Besohej se ajo i mbronte fëmijët nga sëmundjet dhe të marrët mësysh. Në aforizmin “Dimri qe me crule dhe vera vjen me lule”, shprehej “filozofia” popullore, se plogështinë, papastërtinë dhe sëmundjet i kishte marrë dimri me vete. Veroret në krahinën e Çermenikës kanë tri ngjyra: të bardhë, të kuqe dhe të blertë, ndryshe nga veroret e qytetin të  Elbasanit dhe të vende të tjera, që kanë vetëm dy ngjyra, të kuqe dhe të bardhë. Disa nga veroret vareshin në degët e thanave, shelgjeve etj., për të sjellë mbarrësi dhe fat. Veroret për shumë kohë nuk kalbeshin, as te njerëzit dhe as të pemët. Në disa fshatra të Çermenikës, copëzat e rrënjës së një bime që quhet “carangth”  zgolloheshin (gropëzoheshin), mbusheshin me ujë dhe hidheshin mbrapa shpine (kryesisht nga të rinjtë dhe të rejat). Nëse zgolla binte përmbys, për të riun apo të renë nuk parashikohej mbarësi atë vit, ndërsa, nëse binte së mbari, atëherë besohej se i riu apo e reja do të kishin fat.

FESTA E 14 MARSIT

Në datë 14 mars zgjimi bëhej që pa gdhirë. Më herët zgjoheshin të moshuarit, që do të hapnin derën e shtëpisë për bujari. Njëra nga gratë e moshuar, merrte shtamën dhe shkonte te burimi për të mbushur ujë të freskët. Pasi kthehej nga burimi, ajo nxirrte nga toka një plis bari të gjelbëruar dhe e sillte në shtëpi. Uji që kishte mbetur nga ena, ku kishin qenë vendosur lulet dhe barërat e mbledhura një ditë më parë, përzihej me ujin e enëve me të cilin fëmijët dhe të rriturit do të lanin sytë dhe fytyrën atë mëngjes. Me ujin që mbetej, ajo do të spërkaste ambientet e shtëpisë dhe familjarët që nuk ishin zgjuar akoma. Spërkatja bëhej duke uruar: “Të lonça gjumin!” dhe duke e përshpëritur: “Unë i dimnova, ti veroi!”. Pasi kishin larë fytyrën të gjithë pjestarët e familjes, të vegjël e të rritur, visheshinme rroba të reja.Njërëzit përshëndeteshin me njëri-tjetrin me urimin: “Shkoftë vera me shëndet!”. Gjatë paraditës, fëmijët dilnin nga shtëpia, për të nisur vizitat te të afërmit, komshinjtë dhe më gjërë, nëpër fshat. Ata shkonin për vizitë në shtëpitë që dëshironin vetë. Fëmijët mernin me vete një kanaçe me ujë dhe barë të njomë brenda, si dhe një plis dheu me bar, të cilën e hidhnin në oborr të shtëpisë ku hynin, duke thënë: “Mujshini, Dit’Vera,/Plisi te dera!”. Në rast se fëmijëve-vizitorë nuk u përgjgjeshin me bujari, atëherë ata largohesin të zemëruar, duke bërtitur me zë të lartë: “Marrsh’ morrat e pleshtat!?/ Gjumin e sabahut!/ Ethet e verës!…/ Me çekiça derës!”. Fëmijëve u dhuroheshin nga të zotët e shtëpive ku kryenin vizita, si vezë të ziera, mollë, arra, ftonj, pala fiku, kuleçë etj. Ndërsa merrnin dhuratën, ata, shënd e verë dhe plot humor, uronin: “Të gjet’vera me shëndet,/ Arra gunga mos na jep!”. Që t’i gjente vera të pastër e të ishin të tillë gjatë gjithë vitit, duke bërë humor, ata thoshin: “Më ka ç’u sorra/ për një dorë morra;/ po s’m’i dhe,/ t’u thaftë dora!”. Të rriturit, kudo që takohesin, përshëndeteshin me njëri-tjetrin, duke uruar: “Gëzuar me gjithë sa ke! Të zëntë më mirë mot! T’u bëftë jeta verë!” etj., dhe e pyesnin bashkëbiseduesin në lidhje me bunët e përditëshme bujësore e blegtorale, duke thënë: “Si dole për verë? Sa (bagëti) nxorre në verë?” etj.

PRERJA E DRURIT NË PYLLË

Ditën e festës, më 14 mars, nuk punohej as brenda, as jashtë shtëpije. Atë ditë do të kryhej riti i provës së tehut të sëpatës, me të cilën do të priteshin drutë në pyll. Dy burra (familjarë, të lagjes apo të fshatit) qëndronin para një peme të re e të njomë me nga një sopatë në dorë. Ata përsërisnin në formë rituali disa herë me zë të lartë, duke thënë: “E presim?” dhe tjetri ia kthente: “Të mos e presim!”. Në fund garën e “fitonte” i dyti dhe druri i ri e i njomë nuk pritej. Por sëpata do të provohej duke prerë një dru tjetër të thatë. Mesazhi që donin të përcillnin çermenikasit me këtë rit domethënës ishte: E reja duhet të rritet, të zhvillohet dhe të lulëzojë. Jeta nuk duhet të ndërpritet në mes në mënyrë arbitrare dhe me masakër, pasi seleksionimin e bënte vetë natyra, nëpërmjet plakjes, tharjes dhe vdekjes natyrale.

DREKA E VERËS. PIKNIKU

Dreka e Ditës së Verës shijohej gëzueshëm, me rite dhe me humor. Në Çermenikë organizoheshin dalje të organizuara në natyrë, apo piknike, si në pyje, lëndina, pranë burimeve të freskëta ose në livadhe, ku kishte nisur të mugëllonte bari e të çelnin lulet e stinës. Piknikët organizoheshin familjarisht, ose dhe më gjerë. Pasi zgjidhej vendi i përshtashëm, drekohej në natyrë. Ushqimet që konsumoheshin ishin të përgatitura që një natë më parë. Ato shoqëroheshin me fruta të thata, pije të ndryshme, lëngje frutash etj. Në piknik këndohej e vallëzohej, me ose pa shoqerim të veglave muzikore, dhe nga të rinjtë organizoheshin lojëra të ndryshme popullore, si mundje, vrapime, kërcime etj. Të rinjtë shiheshin, pëlqeheshin, ose dashuroheshin, pasi edhe vajzat shtëpiake në këtë ditë dilnin e festonin me familjarët e tyre në vendet piktoreske. Pas Ditës së Verës shtoheshin shumë fejesat dhe martesat brenda dhe jashtë fshatit, sepse, siç thamë, të rinjtë e të rejat njihnin njëri-tjetrin, prindërit u vinin syrin dhëndurëve apo nuseve të ardhshme dhe shkuesit piketonin më të mirët apo të mirat ku do ndërhynin për shkuesi. Të vegjlit në festime vraponin hareshëm, luanin me njëri-tjetrin dhe mblidhnin lulet e stinës. Festa e Ditës së verës vijonte edhe në mbrëmje. Njerëzit që ishin kthyer nga pikniku, shtroheshin përsëri për të ngrënë darkë. Edhe darka e festës së Ditës së Verës kishte solemnitetin e vet. Mbremjet priteshin me padurim, sidomos nga fëmijët, pasi atyre do t’u shpërndaheshin dhuratat. Darka shtrohej nëpër sofra, rreth të cilës uleshin për të ngrënë të gjithë pjestarët e familjes dhe të ftuarit. Në sofra, shtrohesin gjellët më karakteristike të krahinës, si: tavë mishi me pestil, mish tavë-kosi (tavë Elbasani), pulë me qullë arrash, çomlek, byrek me vezë, kabuni, revani, bakllava, pije të ndryshme, lëngje frutash të ziera, fruta të ruajtura gjatë dimrit, fruta të thata etj. Familjarët hanin, pinin dhe uroheshin me njëri-tjetrin deri natën vonë. Këndohej dhe luheshin valle nën tingujt e fyejve, dajreve, daulleve, tomrrave, pipzave etj. Shkëmbeheshin vizita mes të afërmish dhe komshinjsh. Familjet që kishin qoka apo sebepe, atë natë prisnin shumë vizitorë për urim. Në këtë natë feste bëheshin pajtesa dhe shuheshin shumë mëri dhe qejfmbetje. Me ngënies së darkës përfundonte edhe festa e Ditës së Verës në krahinën e Çermenikës.

*) Marrë nga libri “Zana e Çermenikës dhe Dita e Verës në trojet shqiptare” (Dorëshkrim).

 Avni ALCANI

Ferit FIXHA