Distrikti gjerman jep 4 mijë euro për familjet azilkërkuese, Andrea tregon ç’do të bëjë

709
Një program shpërblimi për azilkërkuesit që kthehen vullnetarisht në vendet e tyre të origjinës. Ky është projekti i miratuar së fundmi nga një prej distrikteve të Nordrhein-Westfalen në Gjermani për të ndihmuar 330 azilantët nga vendet e Ballkanit, kryesisht nga Shqipëria, të cilët janë në pritje të deportimit.
Warendorf miratoi një fond prej 80 mijë eurosh, çka do të thotë se një familje prej 4 personash mund të përfitojë deri në 4140 euro. Kësti i parë do të paguhet në aeroport, ndërsa kësti tjetër vetëm gjashtë muaj më vonë në vendin e origjinës.
Në këtë mënyrë dalin të fituar të dyja palët, pasi një familje do t’i kushtonte normalisht pushtetit lokal rreth 30 mijë euro në vit. Megjithatë, për autoritetet nuk bëhet fjalë për paratë.
“Deportimet janë shumë stresuese për këdo që preken. Azilkërkuesit kanë mjaftueshëm kohë për të menduar mbi kthimin vullnetar. Gjithashtu mund të ndihmohen nga përkthyes dhe këshillues”, thotë Petra Schreier, drejtuesja e departamentit.
Një projekt i ngjashëm do të zbatohet edhe nga qeveria federale, pra në të gjithë Gjermaninë.
Një nga familjet që pritet të përfitojnë të parat është ajo Pashaj, e cila në fund të nëntorit u njoftua për refuzimin e kërkesës për azil. Nëse familja nuk do të largohet vullnetarisht, ato do të duhet të përballeshin me deportimin.
“Paratë sigurisht që janë një ndihmë e madhe për ne. Sigurisht që do të preferoja të qëndroja këtu përgjithmonë, por nuk do rrezikoj gjithçka për dy ose tre muaj më tepër”, thotë kryefamiljari 37-vjeçar Andrea Pashaj.
Familja me 4 anëtarë, ku më e vogla Ayra ka lindur në Gjermani, fillimisht u largua nga Shqipëria për shkak të kushteve të jetesës. Ata do të duhet të qëndronin me prindërit dhe të ndanin së bashku një dhomë. Tani me 4 mijë euro, ata do të mund të pajisen me baziket.
Deri më tani këtë vit, distrikti i Warendorf ka kryer 80 deportime, shtuar 241 largimeve vullnetare dhe 96 deportimeve të dështuara.
Ndërkohë, numri i shqiptarëve që riatdhesohen është shumë herë më i lartë, ndërsa shifrat e atyre që kërkojnë azil gjatë tremujorit të dytë shënuan rritje. Më herët gjatë dhjetorit, Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri ishte shprehur se nuk do të kishte asnjë asistencë financiare për azilkërkuesit shqiptarë të refuzuar, por vendimi i distriktit përbën përjashtim nga deklarata.
Sigal