Diskriminimi për Policinë e Burgjeve, gati protesta në Bruksel

571
Sigal

 

Nëpërkëmbja
shtetërore ndaj një shërbimi policor të rëndësishëm

 

Valentin
MACAJ

 

Ndoshta
do bëjnë habi me këtë thirrje, pasi flitet për një shërbim policor me histori
1-shekullore, që ka kaluar nën qeverinë e Vidit, Nolit, Zogut, Enverit e deri
më tani. Kjo agjenci ligj zbatuese e ka emrin Policia e Burgjeve, që para disa
vitesh kishte më shumë të drejta se kolegët e Policisë së Shtetit, ndërsa sot
është katandisur  më keq se një kompani
policie private. Faktet janë kokëforta, ato nuk lejojnë të ndryshosh realitetin
e hidhur në këtë shërbim! Pas shumë vitesh përpjekjeje e kërkesash demokratike,
në dhjetor të vitit 2008 u miratua në Kuvendin e Shqipërisë Ligji nr. 10032
“Për Policinë e Burgjeve”. Ky ligj, ndër të vetmit, i miratuar me unanimitet në
parlament, sillte një risi në këtë shërbim, jepte të drejta dhe cilësonte
detyrimet e palëve. Saktësonte rolet, funksionet, gradat, nivelin e pagës,
ecurinë në karrierë, trajnimet, kushtet e pranimit, të drejtën e statusit të
ushtarakut, të drejtën e ankimimit, të drejtën e organizimit në sindikatë,
formën dhe llojin e uniformës së shërbimit. Me miratimin e këtij ligji, u prit
që brenda afateve të niste implementimi i tij në favor të Policisë se Burgjeve,
por ndodhi ndryshe!

Pengesat
burokratike

Institucionet
përgjegjëse për miratimin e VKM-ve përkatëse në zbatim të këtij ligji, filluan
të shtynin detyrimin e tyre me pretendimin se duhej miratuar më parë
“Rregullorja  e personelit….” e cila u
miratua në shtator të 2009 me Urdhrin 
nr. 9125 të Ministrit  Drejtësisë.
Ligjërisht duhej që brenda 3-muajve të niste miratimi i VKM-ve përkatëse në
zbatim të një ligji, por u prit  1vit për
një “rregullore”! Pas kërkesave të vazhdueshme nga sindikata, u arrit shtesa e
pagës në vitin 2010, u fitua java 40 orëshe, u njoh puna e natës, orët shtesë,
orët e gatishmërisë, ditët e festës, rritja në gradë, minimizim i transferimeve
larg familjeve. Ligji  10032 “Për
policinë e burgjeve” ishte arritje për kohën, por fjalët e tij mbetën në letër,
pasi nuk u zbatua kurrë në favor të punonjësve. Një ndër faktorët e mos
zbatimit të Ligjit në favor të Policisë së Burgjeve ishte dhe është akoma
Departamenti i Administratës Publike pranë Këshillit të Ministrave, sot në
varësi të Ministrisë së Inovacionit. Debatet e palëve që duhen përfshirë në
përgatitjen e Projekt-Vendimit për Pagat dhe përfitimet financiare sipas
gradës, vështirësisë e funksionit, kanë lënë pa paga reale mijëra Punonjës te
Policisë së Burgjeve e për rrjedhojë familjet e tyre kanë mbetur përsëri të varfra.
Por, “kukamshefthi” me DAP-in e atëhershëm të Kryeministrisë e DAP-in e sotëm
nën juridiksionin e Ministrisë së Inovacionit në lidhje me Tabelën e Pagave në
Policinë e Burgjeve sipas gradës e funksionit, vazhdon gjithnjë pa
rrugëzgjidhje e përgjigje pozitive ndaj këtij shërbimi.  Vjen viti 2014 dhe akoma pa u implementuar
ligji i mëparshëm nr. 10032, i bëhen ndryshime me anë të Ligjit nr. 36 “Për
Policinë e Burgjeve”! Kjo ndodh gjithnjë në Shqipëri me zbatimin e ligjeve,
kaluan 25 vite kështu! Të ikën jeta duke pritur një zbatim ligji, një zbatim
vendimi apo një  urdhri të drejtë. U
mbyllën 8 vite të një qeverie pa dobi për shërbimin policor në burgje dhe
pritëm të nisë një erë e re pas vitit 2013. Na u premtua në tavolinën e
opozitës së atëhershme, që gjithçka do ndryshonte pozitivisht, .që nga
uniforma, mjetet e blinduara, pagat, trajnimet, motivimi në gradë, kushtet e
punës etj, etj! Disa muaj jetuam me ëndrrën, se ndryshimi pozitiv në krahasim
me “errësirën” e 8 viteve të shkuara  do
të rilindte Policinë e Burgjeve.  Për
këtë, kishte një moto elektorale para 3 vitesh: “Një shtet, një Polici”, sot
është kthyer në realitet tjetër “Një Shtet, një Polici e tij”.

Diskriminimi

Policia
e Burgjeve nuk gjendet gjëkundi! Ka 3-vite që shohim një polici që i shtohet
paga, merr uniformën e re çdo 6-muaj, pajiset me flotë mjetesh moderne thuajse çdo
3-muaj deri edhe në marrjen e makinave elektrike “bonus” nga OSHEE. Nga shtesa
prej 25% që mori në vitin e parë të Rilindjes, tani i premtohet 17% më shumë
duke arritur 42% shtesë pagë në një mandat qeveritar. Nëse shikojmë mesataren e
vendeve të rajonit, kjo është rritja më e madhe e pagave që nga fillimi i
krizës ekonomike të 2008-s për një shërbim policor. Dhe nuk kanë bërë aspak
keq, është një punë e vështirë që duhet vlerësuar e mirëpaguar. Xhelozia në
këtë rast nuk ka të bëjë me kolegët tanë në Policinë e Shtetit, por me një
harresë të tillë që i bëhet Policisë së Burgjeve nga Qeveria, kjo është e
pabesueshme! Lihet pa uniforma Policia e Burgjeve që nga 2007 e deri më sot, e
ndoshta nuk do ketë asnjë fond të parashikuar për 2017-n në këtë zë, ndërkohë
kolegët i ndërrojnë sipas stinës!

Mungesat
e përsëritura në Policinë e Burgjeve

Ngelet
Policia e Burgjeve pa mjete të blinduara e mjete transporti në shoqërimet për në
Gjykata e në Spitale, kur dihet se ka elementë shumë të rrezikshëm për
shoqërinë si të paraburgosur dhe të dënuar! Mungon vakti ushqimor për Policinë
e Burgjeve, kur i dënuari trajtohet me normë “piloti” e në fund të ditës
derdhet në kosh mbi 60% e ushqimit të gatuar. Pra, shkojnë në “kazan” taksat e
shqiptarëve për shkak të mos menaxhimit të drejtë të tyre në favor të dy palëve
njëkohësisht! Mungojnë kushtet elementare në vendet e punës për gjithë sektorët
e shërbimit në Policinë e Burgjeve! Të mungojë paga e 13-të që është një e
drejtë themelore për gjithë punonjësit shqiptarë, ky është diskriminim i pastër
ekonomik. Vitin që shkoi u kthyen mbrapsht me miliona lekë fonde nga çdo sektor
financë nëpër burgje, ngaqë mungonte një VKM për shpërblim fundviti. Ndoshta
ato para u morën nga të tjerë padrejtësisht e tavolina e gardianëve të ligjit
ngeli pa “gjelin e detit”. Nuk paguhet vjetërsia reale e punës në Policinë e
Burgjeve, por llogaritet vetëm ajo e pas 2010-s sipas një VKM vrastare të
qeverisë së kaluar, kur çdo punonjës i administratës e përfiton 1% pagë për çdo
vit pune vjetërsi! Realisht  jepet vetëm
75% e pagës  mujore për Policinë e
Burgjeve, pasi 25% nuk implementohet nga moszbatimi i ligjit nr. 36/2014 për
shkak të një projekt-vendimi që nuk po e përgatit DAP-i prej 2 vitesh! Të
kalojë një mandat premtues qeveritar dhe të mos ketë asnjëherë rritje page për
Policinë e Burgjeve, përkundrazi kolegëve u rritet 42% për 3-vite! Të mos ketë
asnjë fond apo projekt qeveritar për një Shkollë Penitenziare Shqiptare,
ndërkohë kur çdo vend i rajonit e ka një të tillë, do të thotë që në këtë
shërbim të futet kushdo që njeh një deputet apo ka një karton të blerë, pa
asnjë aftësim profesional policor. E në fund me dhimbje… para disa ditësh në
një aksident të përgjakshëm në Korçë, humbën jetën dy oficerë policie dhe u
plagosën dy të tjerë. Njëri vinte nga Kruja për në Korçë, tjetri vinte nga
Vlora për në Korçë!  I ndjeri Agim Besho
la familjen në Krujë me qera pa asnjë të ardhur dhe një djalë student pa
ndihmën e të atit. I ndjeri Fatmir Islamaj la 4 fëmije pa asnjë të ardhur
financiare në Vlorë. Por, ditën e aksidentit nuk kishte vetëm 2 oficerë
viktima, ishte edhe një koleg i tyre që vdiq për shkak të një sëmundje të
rëndë, Zylfi Shaholli e quanin! Ka një punonjës tjetër që po lufton me jetën në
Sarandë për shkak të një sëmundjeje të rëndë, një tjetër kolege po në Sarandë
la punën për shkak të sëmundjes dhe ndërroi jetë para disa kohësh! -Është një
tjetër në Lezhë që po shtyn ditët si pasojë e dëmtimeve të rënda që ka marrë
nga një aksident pas daljes nga shërbimi në burgun e Shënkollit. Ka disa
familje me jetimë për shkak të vdekjes së kryefamiljarëve policë nëpër
aksidente që nga Kukësi e deri në Korçë. Çdo ditë po dëgjojmë ankesa prej
punonjësve të sëmurë për shkak të stresit, mbingarkesës, kushteve të vështira
në vendin e punës, mungesës së ushqimit etj..etj..


gjitha këto ndodhin për shkak të lënies në harresë të një shërbimi bazik
policor! Policia e Burgjeve, me qëllim po diskriminohet nga segmente të
caktuara shtetërore e politike në financa, uniformë e logjistikë në mjete. Ky
shërbim po tretet çdo ditë, ndaj i bëjmë thirrje qeverisë të reagojë  sa nuk është vonë, pasi kështu humbet durimi
e nuk është çudi që një ditë të afërt të kemi një tendë grevë para Komisionit Evropian
në Bruksel, aty ku vendosen fatet e integrimit të Shqipërisë! Kjo është thirrja
e fundit për të marrë atë që meriton Policia e Burgjeve sipas Ligjit!