Diskriminimi, largohen 80 % e punonjësve

970
Sigal

MAT / Reformë drastike në shërbimin pyjor

Ajo që nuk është menduar të ndodhë, po ndodh tani  në Drejtorinë e Pyjeve të Matit  si një fillesë e shkatërrimit total të pyjeve të këtij rrethi dhe ndoshta në vijimësi në rrethet e tjera të vendit. Riorganizimi i Shërbimit Pyjor ka sjellë shkurtim drastik të punonjësve në rrethin e Matit. Specialistë të ish- Drejtorisë së Shërbimit Pyjor bëjnë me dije se nga 32 punonjës do të mbeten vetëm 7 prej tyre, madje, gjysma do të jenë punonjës prapavije, pra nuk kanë lidhje me shërbimin pyjor. Inxhinierë pyjesh, teknikë të mesëm me përvojë të gjatë nuk u dihet fati i tyre se ku do përfundojnë, pasi asnjë orientim nuk është dhënë nga dikasteri përkatës në lidhje me këtë personel dhe kjo ka bërë që punonjësit të reagojnë ndaj këtij veprimi.

Ata japin siguri se Kryeministri Rama nuk ka dijeni për shkurtimet dhe veprimet e këtij dikasteri. Ministri Koka nuk ka marrë në konsideratë sipërfaqen e madhe të pyjeve në rrethin e Matit. Riza Buci, ish- shef i Policisë Pyjore shprehet se aktualisht Mati ka mbi 50 mijë hektarë pyje, ka bimë medicinale dhe një habitat të larmishëm. “Pyjet e Matit nisin nga Ulza deri në zonat alpine e liqenet akullnajore të Balgjajt. 18 mijë hektarë pyje, kryesisht dushqe kanë kaluar në vartësi të komunave, ndërkohë 32 mijë hektarë janë pyje shtetërorë. Krahasuar me rrethet Dibër e Bulqizë rrethi i Matit ka dyfishin e sipërfaqes pyjore. Ministria e Mjedisit ka planifikuar 4 specialistë pyjesh, 2 roje dhe një pastruese”,- tregon z. Buci për gazetën “Telegraf”. Ndryshe, thotë ai është menduar për Dibrën e Bulqizën. Inspektorati i Mjedisit me 26 veta do të jenë në Peshkopi ose Bulqizë. Edhe Drejtoria Rajonale me 15 veta është menduar në Dibër ose në Bulqizë. Rrethi më i ndëshkuar pas kësaj reforme do të jetë Mati. Argumentet e specialistëve të DSHP Mat lidhen dhe me faktin se nga afro 700 punonjës që ka Ministria e Mjedisit në shkallë vendi, rreth 250 do të jenë në shërbimet mbështetëse, roje, arkivistë, shoferë, pastruese. “Ky është luks i madh për Ministrinë e Mjedisit”, shprehen specialistët e pyjeve të Matit.

“Kuvendi u hoqi shoferët deputetëve, ndërkohë tani do të paguhen shoferë në 40 rrethe të vendit, madje dhe pastruese e arkivistë. A mund të paguhet një pastruese për një zyrë?”-shtrojnë pyetjen specialistët e Burrelit. Habia qëndron në faktin se numri i punonjësve që do të merren direkt me pyjet, do të jetë 3-4 veta në shumicën e rretheve të vendit, paçka se u duhet të menaxhojnë mijëra hektarë pyje. Për specialistët e pyjeve të Matit ky është një diskriminim që i bëhet rrethit dhe se është ndërhyrja e deputetëve, ajo që ndikon në largimin e një numri kaq të madh punonjësish nga puna, pa marrë në konsideratë faktin se pyjet e Matit do të dëmtohen rëndë për shumë arsye. “Priten pyjet e Qafë Shtamës dhe lënda drusore transportohet nga rrethi i Krujës. Merret lëndë drusore nga Guri i Bardhë dhe dërgohet në Tiranë, pa kaluar në Mat. E njëjta gjë ndodh me pyjet e Zallit të Gjoçajve nga Mirdita”, shprehet Riza Buci, specialist me më shumë se 40 vjet në fushën e pyjeve.

“Mati kërcënohet po ashtu nga zjarret në stinën e verës. Policia Pyjore gjatë kryerjes së shërbimit përfiton status të njëjtë me atë të Policisë së Shtetit, mirëpo kjo normë ligjore me sa duket nuk do të merret në konsideratë”,-shton Riza Buci.

Shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me largimin nga puna të 25 specialistëve,do të jetë shqetësim dhe për ata të Mirditës, rreth i cili mban një sipërfaqe të madhe pyjore prej 63 000 ha që mesa duket e atë çka po ndodh me pyjet e Matit, fati  “do u buzëqeshë dhe hektarëve të pyjeve të Mirditës”  që futet ndër vendet e para për nga sipërfaqja  pyjore në Shqipëri. Po të ndodhë kjo, me siguri do të kenë fatin e vitit 1997 kur dëmi ishte i pallogaritshëm.